Ngjarje

Aksidenti me 4 viktima, arrestohen 3 persona. Drejtuesi i betonieres pa patentë dhe nuk kishte ndezur bllokazhin

Gazeta Si – Tre persona janë arrestuar pak orë pas aksidentit tragjik me 4 viktima pak para mesnatës në Fushë Prezë pranë Rinasit.

Sipas policisë, janë vënë në pranga, drejtuesi i betonierës, me të cilën u përplas automjeti me të cilin udhëtonin 4 të rinjtë, një i afërm i tij për pengim të zbulimit të së vërtetës dhe menaxheri i firmës së betonit. Ndërsa është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme.

Policia njofton se shoferi 24-vjeçar i betonieres, A.K., nuk kishte patentë për të drejtuar një mjet të tillë të tonazhit të rëndë.

Sipas policisë, ai e kishte ndaluar betonieren në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin.

Nga goditja në pjesën e pasme të betonieres, automjeti tip “Mercedes-Benz” u përfshi nga flakët dhe për pasojë humbën jetën 4 të rinjtë. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres u largua nga vendngjarja për t’u kapur më vonë. 

Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit, drejtim automjeti në mënyrë të parregullt dhe largim nga vendi i aksidentit.

Po kështu, është arrestuar edhe V.K., 25 vjeç, kushëri i shoferit të betonieres, pasi e ndihmoi atë të largohej nga vendngjarja.

Gjithashtu, është vënë në pranga edhe D.K., 34 vjeç, menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shoferi i betonieres.

Nga verifikimet e kryera, del se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres pa patur patentë për këtë kategori mjetesh.

Ndërsa në kërkim është shpallur administratori i firmës së prodhimit të betonit.

Nga aksidenti i rëndë humbën jetën 25-vjeçari Enejdi Laçi që drejtonte mjetin, vëllai i tij Erildi Laçi 20 vjeç, kushëriri i tyre Andi Laçi 22 vjeç dhe shoku Enrikejd Kurti 24 vjeç. Ata u dogjën brenda mjetit Benz që shpërtheu në flakë pas përplasjes me betonieren.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë