Gazeta Si - Aksidenti tragjik me 3 të vdekur dhe 4 të plagosur një ditë më parë në aksin Fushë Bulqizë-Shupenzë, dyshohet se ka ndodhur për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e dy mjeteve.
28-vjeçari Edision Lazri, shoferi i mjetit tip "Benz" me targa angleze, është arrestuar nga policia, pasi mjeti që ai drejtonte është përplasur me makinën tjetër "Benz", që drejtohej nga 55-vjeçari Kujtim Istrefi, i cili mbeti viktimë si pasojë e aksidentit.
LEXO EDHE:
Aksident tragjik në rrugën e Arbrit, 3 viktima nga e njëjta familje dhe 4 të plagosur
Përplasja ka qenë tepër e fortë, ku njëra nga makinat është ndarë në dysh. Nga akt ekspertimi, deri më tani shkak dyshohet se është shpejtësia tej normave të lejuara, por dhe ndërprerja e rrugës.
Ndërsa policia nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare, ekspertë nga Tirana kanë shkuar në Dibër për të realizuar akt-ekspertimin që do të hedhë dritë në shkaqet e aksidentit fatal.
Tre viktimat janë të së njëjtës familje: Kujtim Istrefi, Murat Istrefi dhe Lulëzime Istrefi. Dy burrat vdiqën në vend, ndërsa gruaja ndërroi jetë në spital. Po ashtu në spital po trajtohen dhe 4 të plagosurit e aksidentit që sipas raportimeve kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin.
Të plagosurit, Kadrie Markeçi 19 vjeç dhe Firuze Istrefi 56 vjeç, janë jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal të Peshkopisë.
Dy të plagosurit e tjerë, vëllezërit Mërgim dhe Edison Lazri, që ishin në “Mercedesin” me targa angleze, janë dërguar në Spitalin e Traumës për trajtim më të specializuar, pasi njëri prej tyre ka 2 brinjë të thyera dhe tjetri ka dëmtime në qafë.
Ajo që mbeti nga makinat tip “Benz” që u përfshinë në aksidentin, është bërë e mundur që të largohet këtë të enjte rreth orës 10:00 të paradites.
Dy automjetet tip “Benz”, njëra prej të cilave e shkatërruar tërësisht, janë larguar sot nga vendngjarja. Ato kanë qëndruar aty gjatë gjithë natës në vendin e konsideruar “skenë krimi”.
Dyshohet se mjeti tip “Mercedes Benz 240”, ku udhëtonin Kujtim dhe Murat Istrefi me dy bashkëshortet, Lulëzime dhe Firuze Istrefi, ka dalë nga një rrugë dytësore nga fshati Gjoricë ku kishin qenë për vizitë.
Në momentin që kanë dalë në rrugën nacionale, i kanë prerë rrugën mjetit tip “Mercedez” me targa angleze.
Si pasojë e shpejtësisë, përplasja ka qenë shumë e fuqishme dhe mjeti ku udhëtonin viktimat është ndarë në 2 pjesë.
Të vdekur:
1. Kujtim Istrefi ( Dehari ) – 57 vjeç (Maqellarë – Dibër)
2. Murat Istrefi (Dehari) – 76 vjeç (Maqellarë – Dibër)
3. Lulëzime Istrefi (Dehari) – 45 vjeç (Maqellarë – Dibër)
Të plagosur:
1. Mërgim Lazri – 25 vjeç (Bllatë e Epërme – Dibër)
2. Edison Lazri – 29 vjeç (Bllatë e Epërme – Dibër)
3. Firuze Istrefi – 56 vjeç (Maqellarë – Dibër)
4. Kadrie Markeçi – 19 vjeç (Shupenzë -Dibër)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.