Ngjarje

Tiranë, i dehur dhe me semafor të kuq aksidenton për vdekje policin e burgjeve që punonte natën si taksist dhe pasagjerin e tij

Një polic burgjesh që punonte si taksist natën dhe pasagjeri me të cilin udhëtonte, u aksidentuan për vdekje rreth orës 03:15 të mëngjesit, pasi janë përplasur nga një automjet tjetër që dyshohet se është futur me semafor të kuq në kryqëzim me një shpejtësi të madhe.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë këtë të enjte dhe dy viktimat, Luan Cenollari 58 vjeç dhe Ali Bejo 59 vjeç, që udhëtonin në të njëjtin mjet, kanë ndërruar jetë në vend.

Me semafor të kuq, thikë dhe pushkë në makinë

Shoferi i makinës tjetër, i cili dyshohet deri tani si shkaktari i ngjarjes së rëndë, është 30-vjeçari Emirjan Doko, i është komunikuar masa e arrestit në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Pritet që pasi gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet, 30-vjeçari të japë versionin e tij të ngjarjes.

Dyshohet se ai ishte i dehur, me shpejtësi tej normave të lejuara dhe se ka kaluar me semafor të kuq në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”. Pas kontrollit, në makinë iu gjet një thikë dhe një pushkë, që mbetet e paqartë nëse e kishte ose jo me leje.

Automjeti tip “Citroen” që drejtohej nga Doko, po vinte nga “Pallati me Shigjeta” në drejtim të qendrës, ndërsa mjeti tip “Honda” ku ishin dy viktimat, po vinte nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit.

Polici i burgjeve punonte si taksist natën

Nga ana tjetër, viktima Luan Cenollari, baba i dy fëmijëve, ishte punonjës i Forcave Operacionale të Burgjeve në Tiranë. Sindikata e Shërbimeve policore, ka ndarë foton e Cenollarit, duke theksuar se në momentin e aksidentit ai ndodhej në punë, pasi gjatë orëve të natës punonte si taksi për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

“Gjendja e vështirë ekonomike dhe pamundësia për të përballuar koston e jetesës në metropol, kishte detyruar kolegun tonë të ndjerë, që të punonte si taksist në shërbim të qytetarëve. Pagat e ulëta në polici, mospagesa e orëve shtesë dhe puna në ditët e pushimit javor, detyrojnë kolegët tanë që të kryejnë një punë të dytë pas shërbimit ose të vetëlargohen nga shërbimi për shkak te diskriminimit në pagë e kushte pune”, – thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Sipas Shoqatës, vetëm përgjatë vitit 2021,  deri në tetor, janë vetëlarguar nga Policia e Burgjeve mbi 220 punonjës dhe ky trend po vazhdon në gjithë sistemin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë