Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi se sistemi i pagesës në aksin Thumanë-Kashar do të rihapet në ditët në vijim, por qytetarët do të njoftohen paraprakisht.
MIE thotë se pagesa do të jetë 2.1 euro pa TVSH ose këmbyer në lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, ditën e hapjes së sistemit të pagesave.
Deri në nisjen e këtij procesi, kompania do të kryejë në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit. Lidhur me orarin e këtyre testimeve publiku do të njoftohet 24 orë më përpara.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve gjatë fazës së kolaudimit, pasi ky aks rrugor u hap përpara afatit për t’i dhënë frymëmarrje qarkullimit dhe për të lehtësuar trafikun në akset e veriut si dhe për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në këto akse”, thuhet në njoftimin e MIE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.