Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se pavarësisht reshjeve të borës dhe temperaturave shumë të ulëta, nuk ka pasur probleme me qarkullimin e mjeteve në të gjitha akset kryesore të vendit.
Sipas ARRSH-së, kontraktorët e mirëmbajtjes kanë punuar gjatë të gjithë natës duke pastruar dhe trajtuar me kripë rrugët, ndërsa kujdes i veçantë është treguar në zonat me prani të akullit.

ARRSH këshillon që të përdoren zinxhirët në akset Qafë-Qarri – Ersekë; Kot-Sevaster; Erind-Çajup; Ura e Cerenecit-Stëblevë-Lunik dhe pjesërisht më aksin Boboshticë-Dardhë.
Thirrje u bëhet të gjithë drejtuesve të mjeteve që të tregon të kujdesshëm gjatë drejtimit të mjetit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të mos nënvlerësojnë kushtet atmosferike në akset ku ARRSH thotë se duhen përdorur zinxhirë.
Nëse në akset kryesore situata paraqitet joproblematike, në zonat e thella të vendit, kryesisht në veri-lindje, fshatra të tërë janë izoluar si pasojë e dëborës dhe ngricave. Më problematike situata paraqitet në zonat e thella të Dibrës, përfshirë Lurën apo Kalanë e Dodës. Probleme raportohen edhe në zonat e thella të Kukësit dhe të Pukës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



