Menaxhim

AKEP përballë Kuvendit: Po hetojmë kompanitë celulare për abuzim. 5G gati në 2025

Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kishte radhën e raportimit sot përballë deputetëve të komisionit të Ekonomisë.

Në fjalën e tij, kreu i AKEP, Tomi Frashëri theksoi se ky autoritet po dialogon me dy kompanitë celulare në vend si edhe po i heton ato, për shkak të çmimeve të rritura, por se është herët për të përmendur abuzime.

“Deri në vitin 2022 ka pasur ulje të madhe të çmimeve, ndërsa nga viti 2022 në 2023 është parë një tendencë rritjeje. Duopoli ka efekt në rritje çmimesh, por tregu është në zhvillim e sipër dhe duhet parë trendi. Ne po monitorojmë se çfarë sjell tregu me vetëm dy operatorë, por është shumë herët për të thënë diçka në lidhje me abuzimet. AKEP është vetëm entitet rregullator dhe nuk mund të ndërhyjë në tregun e lirë për të ndryshuar çmimet. Është e drejta e operatorëve që të aplikojnë rindeksimin e çmimit në kontratë në bazë të normës së inflacionit. Është njoftuar që do të bëhet para disa vitesh dhe AKEP ka vënë kusht që të mos aplikojë para 2024 për shkak edhe të efekteve të luftës në Ukrainë dhe ka kërkuar që për pajtimtarët me kontratë të re informacioni të jetë i plotë dhe transparentë”, tha Frashëri.

Ai ndaloi dhe tek ankesat e qytetarëve, që pretendojnë se marrin më pak internet nga se paguajnë. Frashëri tha se është e pamundur të vërtetohet ky pretendim, sepse nuk ka instrumente matëse. 

“Ne në AKEP nuk kemi ankesa në numër domethënës që kanë të bëjnë me këtë lloj pretendimin. Duhet bërë kujdes për internetin dhe përdorimin e tij, sepse sot shkarkohen produkte që kanë kapacitet të lartë dhe përdorimi i internetit për të shkarkuar çdo gjë bënë që interneti të konsumohet. Nuk ka një instrument të mirëfilltë për të matur e sa Gigabyte është përdorur, ose nuk nga operatorët nuk është dhënë aq sa është në kontratë. Ne kemi hyr në dialog me operatorët dhe ata nuk verifikojnë dot asnjë rast që është vjedhur internet nga operatori”, tha kreu i AKEP.

Pyetur nga deputetët për teknologjinë 5G, Frashëri tha se më 1 janar 2025 Shqipëria do ta ketë të implementuar atë.

“Për 5G-në në komunikimet elektronike, AKEP ka marr iniciativë për të shpejtuar implementimin e kësaj teknologjie.  Do filloj implementimi që nga 1 janari 2025, do duhet që të bëhen investimet e duhura fillimisht financiarisht dhe teknologjikisht. Jemi vonë prandaj AKP vendosi që brezin e 3.5 megaherz ta vendos në përdorim të 5 g. Do filloj që të implementohet nga viti 2025 fillimisht në qytetet e mëdha”, tha ndwr tw tjera drejtuesi i AKEP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë