Menaxhim

AKEP: Kompanitë celulare kanë reduktuar opsionet e paketave për qytetarët. Tarifat për njësi, të larta

Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në një analizë për tregun e telekomunikacionit gjen se ngushtimi i këtij tregu i ka lënë shqiptarët pa opsione.

AKEP thekson se krijimi i një tregu në kushte oligopoli, ka ulur alternativat për konsumatorët që përballen me më pak larmishmëri shërbimesh celulare. Konkretisht One Albania që u bashkua me Albtelecom ka reduktuar numrin e paketave dhe më pas të njëjtën gjë e ka bërë edhe Vodafone Albania.

Një tjetër gjetje e AKEP është se kompanitë vendase ofrojnë çmime më të shtrenjta për njësi komunikimi se sa tarifat brenda planeve, madje ndonjëherë edhe më të shtrenjta se tarifat e Roaming në rrjetet e operatorëve të tjerë.

Kompanitë e telekomunikacionit në vend kanë arritur të ardhura rekord gjatë vitit 2024, thotë i njëjti raport.

Sipas AKEP, ky treg arkëtoi 39.3 mld lekë me rritje 4% nga një vit më parë. pjesa më e madhe ishin burim i tregut celular, 28 mld lekë dhe rreth 11 mld lekë nga tregu fiks, që u reduktuan me 4%. Rënia, sipas AKEP është diktuar nga rënia e të ardhurave të sipërmarrësit One Albania nga rrjetet fikse me rreth 1 miliardë lekë.

Në tregun celular, sipërmarrësi me të ardhurat më të larta të gjeneruara mbetet Vodafone Albania, me rreth 58% të totalit të këtij tregu.

Dërsa raporti nuk tregon se sa nga këto para janë investuar nga kompanitë e rrjetit celular, për atë fiks thotë se ka investuar 2.86 mld lekë.

Matjet e AKEP tregojnë se në Shqipëri janë aktive 3.4 karta SIM, ose 1.4 karta për banorë, më e larta se mesatarja europiane dhe globale. Gjtihësesi thirrjet dhe SMS-të me anë të numrit kanë pësuar rënie. Shifrat tregojnë se ka një rënie të abonentëve aktivë në të tërësi.

Përdorimi i internetit është rritur me 15% në raport vjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë