Nga Gazeta ‘Si’– Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, mohoi implikimin e saj në veprime antiligjore siç pretendon SPAK në dosjen penale ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të tjerëve.
Deklaratat ajo i bëri para mbledhjes së grupit socialist, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.
Bushka pranoi se ka njohje me Veliajn dhe Xoxen dhe miqësi të vjetër me ta, por tha se kurrë nuk ka interferuar në paligjshmëri, madje akuzat dhe lajmin e ka mësuar vetëm nga mediat.
Ajo rrëfeu se vajza për të cilën flitet në dosje është kushërira e saj, lidhje gjaku, që është presionuar nga ana e SPAK dhe trysnuar nga institucioni i akuzës.
“Kam kërkuar këtë fjalë nisur nga dy premisa. E para lajmi i arrestimit të kryëbashkiakut të Tiranës Erion Veliaj që e dëgjova nga mediat dhe deklarata e SPAK. Kam punuar me përkushtim për të vërtetën. Ngjarjet e fundit kanë treguar se institucionet e drejtësisë të rejat të krijuara nga Kuvendi dhe Komisioni Ligjeve kanë treguar pavarësinë e këtij institucioni.
Jo vetëm e njoh Ajola Xoxën por edhe kam punuar me të dhe e kam pranuar. Erjon Veliaj është miku im dhe kam punuar së bashku me të. Kam vuajtur bashkë me ta kalvarin e tyre dhe atë që kanë vuajtur. Kam qenë pranë Ajolës për ta mbështetur.
Erionit i kam transmetuar besimin te e drejta dhe e vërteta. Jam krenare që kam punuar me Erion Veliajn.
Jam shqetësuar edhe si deputete për mënyrën se si janë marrë këto dëshmi dhe sesi është vepruar.
Janë detyruar shumë persona të deklarojnë edhe kundër vetes, të dëshmojnë nën presion. Tani që dosja është publike, tani nuk është më aludim. Janë dyshime për të krijuar prova, për ta hequr nga detyra. Problematikat e kësaj çështje nuk janë të izoluara, janë vënë në dukje edhe më parë. Edhe te Ligjet edhe në Komisione dhe me faktorin ndërkombëtar, janë shprehur shqetësime, ku ka pasur edhe rekomandime konstruktive për standardet. Përmendja ime dhe e bashkëshortit tim, është e vërtetë. Bashkëshorti im ofron shërbim informacioni prej vitit 2006, mirëmbajtje të shërbimit të internetit me shërbim 16 mijë lekë. Shërbime që vlejnë në total 112 mijë lekë.
Kaq vlen dinjiteti im? Po familja ime, po prindërit e mi. Si t’ia shpjegoj fëmijëve të mi, familjes time?
Përsa i përket pretendimit për pengim të së vërtetës. Po e kam takuar vajzën në fjalë, është kushërirë e imja, është lidhje gjaku. E kam këshilluar të thotë të vertetën, e kam këshilluar dhe qetësuar. I kam thënë të marrë edhe avokat, të mbrohet. E kam kritikuar që adresa e organizatës të kishte ndryshuar prej vitit 2017 dhe ia kisha kërkuar disa herë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur në SPAK dhe atë që është thënë nga ajo. Nuk jam thirrur nuk jam dëgjuar ndonjëherë. Nuk më është dhënë mundësia të shprehem as me të tretët.
Nuk kam pasur asnjë aktivitet me organizatat e shoqërisë civile, përveçse si bashkëpunëtore dhe miqësie. Kallëzim anonym, duke hetuar jo për veprën penale, po për jetën e një perzoni publik. Kjo na jep arsyen për të besuar në dyshime të arsyeshme se nuk bëhet për të zbardhur të vërtetën”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.