Lajme

“Air Albania” merr certifikatën e operimit

Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar ka lëshuar certifikatën e operimit për kompaninë ajrore mbajtëse të flamurit “Air Albania”.

“Ky është finalizimi i një procesi intensiv dhe rigoroz të çertifikimit të një kompanie ajrore shqiptare, për kryerjen e operimeve komplekse të transportit të sigurt të pasagjerëve”, tha drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri.

Drejtori Keri shpjegoi se fluturimet e “Air Albania” do të fillojnë me destinacion aeroportin e ri të Stambollit, ndërkohë kompania ka deklaruar se është në pritje të avionit të dytë që do të ketë synim destinacionet europiane. Kompania ka thënë se do të jetë në disa aeroporte në Itali; Romë, Milano, Bolonia dhe në Britaninë e Madhe në Londër.

“Futja e kompanisë ajrore “AirAlbania” ka si synim aspekte pozitive si ulja e çmimit të biletave, si një alternativë më e mirë dhe më e lirë duke ofruar destinacione ku jetojnë shqiptarët. Dua të theksoj se në këtë proces, janë ndjekur gjithë procedurat që ndiqen në çdo vend të Bashkimit Europian dhe ishte me bindje një nga proceset më rigoroz”, është shprehur Keri.

Ai sqaroi gjithashtu procedurën e dhënies së certifikatës së operimit.
“Përgjatë procesit të aplikimit, Aviacioni Civil Shqiptar zhvilloi edhe disa inspektime të detyrueshme në organizatat me të cilat “Air Albania” do të bashkëpunonte. Një nga këto ishte “Turkish Airlines” Cabin Crew Training Organisation, për të cilin u bë pranimi/njohja e organizatёs sё trajnimit për zhvillimin e trajnimit fillestar dhe konvertues pёr Ekuipazhin e Kabinës”, tha drejtori Keri.

Gjithashtu është inspektuar trajnimi në simulator i pilotëve dhe po në këto dy ditë u inspektua edhe Qendra Operacionale (OÇ) dhe Organizata e Trajnimit tё Pilotёve “Turkish Airlines” në Stamboll.

Një tjetër organizatë e inspektuar dhe pranuar është ajo e Mirëmbajtjes Turkish Technik, ku në tetor u inspektua mënyra e mbajtjes së rekordeve të avionit pranë kësaj organizate (Sektori i Vlefshmërisë në AAC).

  • AAC në bashkëpunim me ekspertët italian intervistoi personelin kyç të kompanisë, përkatësisht mbajtësin e postit të manaxherit të operimeve, manaxherit të vlefshmërisë ajrore ETJ ku u mbajtën evidenca, u lanë rekomandime dhe më pas u pranuan PHs. Një nga hallkat më të rëndësishme të procesit të pajisjes me AOC është edhe regjistrimi i avionit.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë