Një qytet i përgjumur në Spanjën jugore është tronditur pasi u zbulua se nëpër media sociale kishin qarkulluar imazhe të shumë vajzave të vogla të zhveshura, krijuar nga Inteligjenca artificiale.
Fotot u krijuan duke përdorur foto të vajzave të veshura plotësisht, shumë prej tyre të marra nga llogaritë e tyre në rrjetet sociale.
Këto u përpunuan më pas nga një aplikacion që gjeneron një imazh nudo të një personi të veshur.
Deri më tani, më shumë se 20 vajza, të moshës 11 deri në 17 vjeç, janë paraqitur si viktima të përdorimit të aplikacionit në Almendralejo, një fshat në Spanjë.
Prindërit e vajzave kanë thënë për media spanjolle se vajzat e tyre u kanë thënë se në rrjetet sociale po qarkullonin foto të tyre të zhveshura ndërkohë që ato nuk kishin bërë kurrë foto të tilla.
Policia tani po heton dhe sipas raportimeve, të paktën 11 djem vendas janë identifikuar si të përfshirë në krijimin e imazheve ose në qarkullimin e tyre nëpërmjet aplikacioneve WhatsApp dhe Telegram.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pretendimin se një prej vajzave është tentuar të zhvatet duke përdorur një imazh të rremë të saj.
Almendralejo është një qytet piktoresk me një popullsi prej rreth 30,000 banorë, i cili njihet për prodhimin e ullinjve dhe verës së kuqe. Por nuk është mësuar me vëmendjen e papritur që ka sjellë ky rast, duke shkaktuar një tronditje për të gjithë vendin.
Edhe pse shumë nga imazhet e inteligjencës artificiale besohet se janë krijuar gjatë verës, rasti doli në dritë vetëm ditët e fundit.
Të dyshuarit në këtë rast janë të moshës nga 12 deri në 14 vjeç. Ligji spanjoll nuk mbulon në mënyrë specifike gjenerimin e imazheve të natyrës seksuale kur përfshin të rriturit, megjithëse krijimi i një materiali të tillë duke përdorur të mitur mund të konsiderohet pornografi për fëmijë.
Një tjetër akuzë e mundshme do të ishte për shkeljen e ligjeve të privatësisë. Në Spanjë, të miturit mund të përballen me akuza penale vetëm nga mosha 14 vjeç e lart.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.