Lajme

Ahmeti: Shqiptarët të votojnë Pendarovskin për President

Bashkimi Demokratik për Integrim mbylli fushatën për balotazhin e zgjedhjeve presidenciale që mbahen këtë të diel në Maqedoninë e Veriut. Ali Ahmeti deklaroi para mbështetësve të tij në Shkup se jo çdo herë elektorati i partisë së tij, ndan të njëjtin mendim si drejtuesit e BDI për çështje të caktuara. “Jo rastësisht kemi insistuar që në Marrëveshjen Ohrit të jetë njëra nga pikat me rëndësi të veçantë demokracia konsensuale. Kryetari i Kuvendit është zgjedhur përmes konsensusit, përmes mirëkuptimit dhe dialogut ashtu mendojmë që në të ardhmen edhe Kryetari i shtetit të realizohet si një qëllim, aspiratë, por edhe demonstrim për të gjithë qytetarët në këtë vend, se Zot në këtë shtëpi janë edhe shqiptarët dhe se një Kryetar i këtij shteti mund të jetë edhe shqiptar, por kjo vjen përmes një procesi që quhet konsensualitet,” u shpreh kryetari Ahmeti.

Ai tha se me gjakftohtësi, me urtësi kemi ardhur tek një vendim për një kandidat konsensual dhe   të përbashkët, Stevo Pendarovksin, që e mbështet si LSDM e kryeministrit Zoran Zaev dhe BDI. “Kështu mendojmë se i bëhet një punë e madhe vetë shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ka zëra se BDI-ja nuk bëri asgjë. Çka kanë prit prej BDI-së? BDI-ja bëri që kandidati konsensual të jetë fitimtar në këto zgjedhje dhe hyjmë si fitimtarë, pa BDI-në do të ishin humbës. Prandaj të pakësohen edhe fjalët, mos irritohet elektorati i BDI-së dhe të kuptohet drejt elektorati sepse për 30 vite sa ka patur gara për president, në to kanë dalë edhe kandidatë shqiptarë. Edhe vetë BDI-ja e provoi dy herë radhazi. Jo rastësisht jemi ulur dhe analizuar se çka të bëjmë më tutje pasi hymë në një veprim ku dihet se nuk ka fitore, pse të bëjmë harxhime kot. Ndaj po instalojmë një koncept dhe filozofi që ka edhe çmim. Këtë koncept dhe kësaj filozofie i kanë hyrë vetëm anëtarët e BDI-së dhe nuk kanë guxim partitë dhe lëvizjet qytetare që lindin çdo ditë në këto hapësira” tha Ahmeti.

Kryetari i BDI-së deklaroi se në 5 maj votohet për NATO-n dhe për anëtarësim e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. “Në të kundërtën dërgohet porosi shumë e keqe dhe u jepet armë dhe argument të gjithë atyre vendeve në Bashkimin Evropian që janë kundër hapjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut në qershor të këtij viti. Me 5 maj duhet të jepet porosia e madhe për të gjitha ata skeptikë të vendit se nuk mund të ketë filozofi dhe koncept që na afron njëri me tjetrin, që e dërgon vendin përpara, që na ofron, na anëtarëson në NATO dhe Bashkimin Evropian. Me 5 maj të votohet kandidati konsensual z.Stevo Pendarovski”, deklaroi Ali Ahmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë