Taksa

Ahmetaj rrëzon kërkesën e Braçes, TVSh për bujqësinë nuk ndryshon

Qeveria thotë se ekonomia u rrit me thuajse 18 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por të ndarë në sektorë, bujqësia ka pësuar një rënie të lehtë me 0.9 për qind.

Qeveria e shpjegon këtë rënie me importet, ndërsa Ahmetaj i ktheu përgjigje edhe kërkesës së Erion Braçes, që tha se skema e subencionimit të TVSh, e miratuar në 2018 dështoi dhe kërkoi ndryshimin e saj.

Braçe e argumentoi kërkesën e bërë me faktin që sipas të dhënave të INSTAT ka një rënie si të fuqisë punëtore, ashtu edhe të numrit të krerëve të bagëtive në vend. Por, Ahmetaj nuk mendon kështu.

“Po ta krahasojmë me vitet e kaluara, që nga viti 2013 sasia e qumështit mbetet thuajse në të njëjtat nivele, 1.1 deri në 1.2 milionë tonë, pavarësisht mbështetjes fiskale. Nga ana tjetër, si ka mundësi që kanë rënë krerët e lopëve, ndërsa qumështi ka mbetur në nivele thuajse të njëjta?”, tha ai.

Ahmetaj u shpreh se qeveria nuk ngarkon me taksa bujqësinë dhe efektet e rritjes së çmimeve të këtyre produkteve vijnë për shkak të importit. Ai tha gjithashtu se ka ardhur koha që bujqësia shqiptare të kalojë në një ekonomi shkalle.

“Nuk mund të ketë bujqësi të suksesshme me ngastra të vogla në ferma të mëdha e të teknologjizuara”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj i lexon shifrat jo më si shenja të rimëkëmbjes ekonomike pas tërmetit dhe pandemisë, por si konsolidim i kësaj rimëkëmbjeje.

“Tregojnë që ekonomia po konsolidohet dita-ditës falë një menaxhimi të kujdesshëm pas tërmetit dhe pandemisë”, tha Ahmetaj.

Zv.Kryeministri doli në një konferencë për shtyp së bashku me ministren e Financave, Delina Ibrahimaj. E pyetur në lidhje me rritjen e çmimeve të ushqimeve shportës, ministrja Ibrahimaj drejtoi gishtin nga rritja e çmimeve të importeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë