Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë po diskohet kthimi i ligjit për tatimin mbi të ardhurat për lojërat e fatit. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, u shpreh se nuk ka asnjë ndryshim në ligjin e lojërave të fatit, përveçse do të taksohet me 15% edhe Lotaria Kombëtare.
“Qytetarët duhet të dinë se nuk ka asnjë ndryshim në ligjin e lojërave të fatit, gjithë sa thuhet është propagandë. Ndryshimet e bëra në ligjin e të ardhurave përfshijnë dy elementë. Ne unifikuam standardin, për të sqaruar gjithologët, mënyra se si definohet baza e taksimit në këto lojëra fati ka pasur një përjashtim Lotaria Kombëtare që taksohej ndryshe, të gjitha kompanitë e tjera taksoheshin me 15% dhe ajo 10%. Në si qeveri thamë që kjo kompani e bërë si koncesion në kohën e Saliut duhet të përmbushë të njëjtat standarde si të tjerat, të futet në shinat e ligjit. Sa i përket dekretit ata që kanë këshilluar Presidentin e kanë këshilluar gabim…”, u shpreh ministri Ahmetaj.
Po ashtu Ahmetaj u shpreh se nga data 1 janar e vitit 2019 në zonat e banuara nuk do të ketë më kazino elektronike dhe qytetet do të çlirohen nga ky aktivitet. Edhe bastet sportive do të jenë në distancë 200 metra nga njëra-tjetra.
“1 janari 2019, dua ta deklaroj për qytetarët sepse deputetët e dinë, nuk do të ketë shtyrje të ligjit sa i përket largimit të kazinove elektronike nga qytetet. Në 1 janar nuk do të ketë më në qytet kazino elektronike, do të largohen nga qyteti dhe këtë vendime ka marrë kjo mazhorancë, e ka marrë mazhoranca e PS, qeveria e PS. Në 1 janar dua ta ndaj me qytetarët, dua ta ndaj me kompanitë, dua ta ndaj dhe me ju nuk do të ketë më kazino elektronike, në bazë të ligjit kazinotë elektronike do të largohen në zona ku me ligj do të lejohet ky aktivitet që nuk ka lidhje me zonat e urbanizuara. E dyta, në bazë të definicionit të ligjit do të ushtrohen klauzolat e rrallimit të zyrave të basteve, 1 në 200 metra”, tha ministri Ahmetaj.
Ndërkohë, ministri bëri të ditur se nuk po i bën mbron lojërat e fatit, por tha se i ka rritur taksat për këtë biznes.
“E kemi rritur taksimin, Fatos Nano e la me 20, Saliu e bëri me 10 ne po i nxjerrim jashtë qyteteve”, tha ndër të tjera Ahmetaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.