Menaxhim

Agroturizmi po rritet, por menaxhimi, fondet, rrugët deri edhe mungesa e energjisë mbeten sfidë për të

Nga Megi Iskurti – Agroturizmi është modeli që po nxit ekonominë rurale dhe pavarësisht se ka njohur një hop të madh zhvillimi, ai ende përballet me sfida dhe kufizime që po frenojnë rritjen e tij.

Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar(KASH) evidenton për Gazetasi.al disa nga dobësitë me të cilat hasen aktualisht subjektet agroturistike në Shqipëri.

“Ekziston një mungesë përvoje dhe një nivel i ulët i aftësive menaxhuese mes fermerëve dhe agrobizneseve që synojnë të shtojnë agroturizmin në aktivitetet e tyre. Niveli i ulët i arsimit në zonat rurale shpesh rezulton në mungesë të stafit të kualiflkuar për ofrimin e shërbimeve të agroturizmit.

Sektori vuan nga marketingu i dobët dhe promovimi i pamjaftueshëm. Infrastruktura rrugore dhe transporti i papërshtatshëm publik janë gjithashtu një pengesë e cila kërkon ndërhyrje të menjëhershme me qëllim rritjen e kërkesës.

Në disa zona ka edhe mungesë të rrjetit që furnizon me energji elektrike, sjell si shembull këtu subjektet e agroturizmit në Lumin e Shalës të cilat furnizohen me energji me gjenerator me lëndë djegëse.”

Agim Rrapaj

Rrapaj shton se pavarësisht të gjithë potencialit të lartë që ka Shqipëria për të zhvilluar agroturizmin, potenciali i pashfrytëzuar për zhvillimin e tij ekziston pothuajse në të gjithë vendin.

“Qarqet që premtojnë më shumë në ndërthurjen e bujqësisë me atraksionet turistike janë Korça, Berati, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, Kukësi dhe Dibra. Në secilin qark ka rreth 500 ferma të regjistruara që përshtaten me karakteristikat e agroturizmit dhe 20% e tyre janë të gatshme të fillojnë një agrobiznes.

Ekzistenca e 12 qarqeve nënkupton një potencial prej 1,200 njësish të reja agroturizmi që presin mundësi investimi e financimi brenda pesë deri në shtatë vitet e ardhshme.

Aksesi në financim është një nga pengesat kryesore, ndërsa paraqet gjithashtu edhe një mundësi për institucionet financiare të cilat po shprehin interes duke investuar në produkte të specializuara.

Sidoqoftë, kredidhënia për agroturizmin nuk trajtohet veçmas. Përkundrazi, ajo përfshihet në portofolin e bujqësisë, çka përbën gjithashtu një kufizim shumë të madh.”-thotë Rrapaj për Gazetasi.al

Pavarësisht se subjektet agroturistike po ndërtohen gjithnjë e më shumë për të rikthyer traditën për njerëzit që i kanë akoma të forta lidhjen me fshatit, shumica e nismave publike dhe private në sektor janë të përqendruara në nxitjen e ofertës, ndërsa pak është bërë për të krijuar kërkesë.

“Koordinimi midis nismave të promovimit të kërkesës dhe ofertës në agroturizëm është  i rëndësishëm për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.

Aksesi i ulët në financim konsiderohet si një nga pengesat kryesore të rritjes në mënyrë të qëndrueshme për sektorin e agroturizmit. Zhvillimi i qëndrueshëm i këtij sektori kërkon përpjekje më të mëdha nga të gjithë aktorët në zinxhirët e vlerave në bujqësi dhe turizëm dhe më shumë fokus nga bankat dhe institucionet financiare në financimin e sektorit me produkte të dedikuara kredie.

Shqipëria është një vend bujqësor me vendndodhje të jashtëzakonshme gjeografike, me peizazhe të mrekullueshme dhe mjaft e pasur në kulinari dhe gastronomi. Ndërthurur me traditën e bukur të mikpritjes, Shqipëria ofron një potencial të madh për zhvillimin e agroturizmit. Ky sektor pritet që të rritet shpejt në të ardhmen e afërt dhe të mesme.

Investimet më të zakonshme që mund ta bëjnë të qëndrueshëm këtë sektor janë ato që përqendrohen në ndërtimin e ambienteve akomoduese, rinovimin e banesave të vjetra tradicionale, shndërrimin e tyre në bujtina dhe restorantet që shërbejnë gatime tradicionale e produkte tipike autentike. Gjithashtu, investimet e pritshme kanë të bëjnë me aktivitetet e marketingut dhe ato promovuese, linjat e përpunimit dhe paketimit në fermë, zhvillimin e programeve të garantimit të cilësisë dhe marrjen e certifikimit, si dhe me investimet për zhvillimin e shërbimeve të agroturizmit. Te gjitha këto investime kërkojnë mbështetje me financime si nga institucionet financiare banka private dhe nga institucionet publike ashtu dhe nga donatorët me grante dhe kredi të buta me kushte lehtësuese.-citon Rrapaj për Gazetasi.al.

Para 15 vitesh fshatrat e Shqipërisë ishin njëjtë, me toka djerrë e të rinj në emigracion, por tani agroturizmi po u jep një tjetër dimension atyre.

Ashtu si në çdo fushë ku biznesi më i lehtë është të kopjosh tjetrin, edhe agroturizmi rrezikohet nga mbiinvestimet por megjithatë në thelb të tij ai mbetet autentik dhe ka një identitet përkatës që jo kushdo mund ta bëjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë