Financa Personale

Aftësia paguese e familjeve me kredi u dobësua në 2022. Pritet rënie tjetër e kërkesës

Nga Gazeta ‘SI’ - 52% e familjeve huamarrëse, të anketuara nga Banka e Shqipërisë raportojnë se kanë pasur përkeqësim të aftësisë paguese, nga gjashtëmujori i dytë 2021 në atë 2022. Sipas tyre, kjo ka ndodhur nga rritja e fortë e çmimeve.

Prirje të ngjashme paraqet edhe indeksi i pritjeve mbi aftësinë paguese për gjysmën e parë të vitit 2023, i cili sinjalizon pritje më pesimiste të familjeve krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë.

47% e familjeve nuk kanë vënë re asnjë ndryshim në aftësinë e tyre paguese.

Rezultatet e vrojtimit gjashtëmujor që kryhet pranë familjeve për të vlerësuar gjendjen financiare dhe ngarkesën me borxh, tregojnë që rreth 26% e familjeve kishin të paktën një hua për të paguar në momentin e intervistimit. Kjo peshë është rritur me 4 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë, por raporti mbetet pranë mesatares historike të treguesit prej 27%.

Rreth 56% e të anketuarve kanë deklaruar se “nuk presin të marrin hua të re në 6 muajt e ardhshëm”, që nëse rezulton e vërtetë do të ulë më tej kërkesën për kredi. Në grupin e familjeve që planifikojnë të marrin një hua të re, rreth 55% janë “huamarrës të rinj” që nuk kanë hua të papaguar në momentin e intervistimit dhe kjo peshë ka rënë me rreth 5 pikë përqindje nga gjashtë muaj dhe një vit më parë.

“Rënia në vlerën e indeksit të planifikimit të huamarrjes mund të sinjalizojë një ngadalësim të kërkesës së individëve për kredi gjatë gjysmës së parë të vitit 2023. Këto prirje janë të pritshme në kushtet e rritjes së normave të interesit të kredisë, si rezultat i normalizimit të politikës monetare, dhe të pasigurisë së familjeve mbi dinamikat e ardhshme të çmimeve”, thekson raporti i Bankës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë