Ngjarje

Afganët po vijnë, por çfarë është Njësia e Pasagjerit që po bëhet gati për kontrollin e tyre, krahas anti-terrorit

Kur një afgan kërkoi azil mbasi u kap duke kaluar kufirin në rrugë të paligjshme, ai nuk u dërgua në qendrën e Babrrusë por në Kareç, një qendër e mbyllur pak kilometra larg kryeqytetit. “Ai deklaroi se ishte larguar nga vendi i tij për shkak të gjakmarrjes, që nga autoritetet u pa si një justifikim i tij për të fituar kohë” tha një burim policor i Gazetasi.al sipas të cilit të gjithë migrantët e paligjshëm nga vende të ndryshme të Lindjes raportojnë rrezikim të jetës dhe familjes.

“Çdonjëri flet për dënimin me vdekje në vendin e tij dhe për rrezikim të anëtarëve”. Kur Farzad F. 33 vjeç nga Afganistani u kap në Shqipëri, njerëzit që po e ndihmonin atë ishin dy iranianë. Por i riu tregoi se si ra në rrjetën e një grupi që e garantoi se do udhëtonte sa më larg Afganistanit teksa ishte në gjendje të dëshpëruar për tu larguar me çdo çmim dhe kosto. Në kohë pandemie, lidhjet u garantuan në rastin e tij përmes komunikimit virtual.

“U njoha me R. S, nëpërmjet aplikacionit Telegram. U lidhëm me shtetasin që e njohim me emrin  G. Sh”.  

Ky person u pagua për t’i transportuar nga Korça në Mal të Zi e mandej në Bosnjë Hercegovinë, por kur afgani mbeti në rrethinat e Kamzës derisa të transportohej, atij ia hapi derën një shqiptar që i dha për të ngrënë dhe për të fjetur, veçon policia në raport shërbimi që megjithatë nuk e referoi mikpritësin për dhënie ndihme. Të dyshuarit që përfunduan nën akuzë ishin iranianët e paguar për udhëtimin

Amerikanët po na bënin gati?

Njëherazi me prezencën e Frontex që po patrullon prej dy vitesh 400 kilometra kufi të gjelbër me Greqinë, gjatë muajit korrik amerikanët shfaqën  interesimin e tyre për Njësinë e Pasagjerit, e njohur ndryshe si NJIP. Kjo njësi po bëhej gati dy vitet e fundit përmes projektligjeve dhe ligjeve në fuqi, ku autoritetet po parapërgatiteshin për një kontroll sa më të rreptë të pasagjerëve që do të përdorin linjat ajrore për të hyrë në Shqipëri apo për të dalë prej këtej.

Zyra e shtypit njoftoi për njërin nga këto takime të përbashkëta “Në fokusin e takimit, krahas nënshkrimit të dy dokumenteve teknike përkatësisht “Marrëveshje për sigurinë e Ndërlidhjes ndërmjet MB të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit Amerikan për Sigurinë e Atdheut, Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA” dhe “Marrëveshje për Sigurinë e Ndërlidhjes ndërmjet MB të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit Amerikan për Sigurinë e Atdheut, Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA për Sistemin e Avancuar e Informacionit për Pasagjerët (APIS)/Sistemi i Automatizuar i Targetimit (ATS) dhe Sistemi i Automatizuar i Targetimit Global ATS-G), u fol gjithashtu për të ardhmen e Njësisë së re të Policisë Kriminale shqiptare të Informacionit të Pasagjerit.”

Studiuesi Bashkim Abazi

Burimet e Gazetasi.al shtojnë se kjo njësi është përfshirë krahas antiterrorit për informacionin ndaj pasagjerëve të veçantë që pritet të mbërrijnë në Shqipëri dhe të qëndrojnë përkohësisht derisa të transferohen në USA. “Jemi të lirë të transferojmë të dhëna qofshin ato edhe personale, sa kohë më herët ish ministri i brendshëm Sandër Lleshaj lidhi një marrëveshje me komisionerin për të dhënat personale” përmendi paraprakisht një burim i sigurtë policor i Gazetasi.al, sipas të cilit autoritetet do të filtrojnë informacionet edhe për afganët. Nga ana e tij studiuesi Bashkim Abazi këmbëngul gjatë intervistës për Gazetasi.al se Shqipëria u shënua si vend mikpritës jo vetëm për afganët, por edhe ujgurët dhe MEK.

“Jo vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni ballkanit e më gjerë janë pjesë e pashmangshme e rrugëtimeve migratore dhe kalimeve klandestine. I lirë, i pa parashikuar, i imponuar dhe i mbykqyrur emigracioni krijon një mori problematike. Linjat, koridoret apo vatrat burimore, tranzite dhe destinacioni i fundit përfshijnë rrjete të krimit të organizuar, mafies së drogës, grupeve të pastrimit të parasë, rrjetet e prostitucionit, të trafikut të organeve, fëmijëve, të lypsarisë’.

Pyetjes së Gazetasi.al a jemi të rrezikuar, studiuesi i  kriminologjisë i përgjigjet: “Koncepti i ngritur mbi teknologjinë si “objektiv apo target në distancë” si dhe kryerja e aktit terrorist nga grupe apo celula interesi janë objekt veprimtarie e instrumenteve ligjzbatues, inteligjentë, të ekspertizës dhe analizave. Le t’ua lemë atyre dhe të respektojmë kodin etik dhe profesional të institucionit në raport me individin”, thotë Abazi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë