Prej vitesh astronomët dhe shkencëtarët kanë orientuar teleskopët dhe energjitë në drejtim të Marsit për të gjetur shenjat e para të jetës jashtëtokësore. Por, jeta jashtëtokësore mund të jetë gjetur në një tjetër drejtim: Afërdita.
Një grup shkencëtarësh amerikanë thonë se kanë rënë në gjurmët e fosfinës në atmosferën e këtij planeti, njohur ndryshe edhe si planeti “binjak i Tokës”. Në pamje të parë zbulimi duket krejt pa rëndësi, por shkencërisht është provuar, të paktën në Tokë, se fosfina gjendet vetëm në zonat ku ka jetë. Kjo do të thotë se gjurmët e saj në atmosferën e Afërditës sugjerojnë me gjasë praninë e jetës në këtë planet.
Gjetjet janë publikuar në revistën “Nature Astronomy”. Autorët e këtij zbulimi sqarojnë se nuk bëhet fjalë për marrjen e mostrave të fosfinës, as fotografim të tyre, por se teleskopët e vendosur në SHBA dhe Kili kanë identifikuar fosfinën në atmosferën e këtij planeti.
Studiuesit thonë se kanë analizuar dhe rianalizuar të dhënat për javë e muaj me radhë me dhjetra herë dhe rezultatet kanë qenë të njëjta deri në momentin kur kanë vendosur që të bëjnë publike gjetjet e tyre.
Megjithatë, jo të gjithë janë kaq optimistë. Disa shkencëtarë tregohen më të përmbajtur dhe sugjerojnë se fosfina në atmosferën e Afërditës mund të jetë produkt i proceseve gjeologjike dhe atmosferike në këtë planet që nuk mund të shpjegohen me rregullat e Tokës.
“Gjithsesi ky mbetet një zbulim i jashtëzakonshëm dhe që padyshim do të ushqejë edhe më tej kërkimet për mundësinë e jetës në atmosferën e Afërditës”, tha Sara Seager, shkencëtare planetare në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets dhe pjesëmarrëse në këtë studim.
“E dimë që është një zbulim i jashtëzakonshëm, që mund të jetë ende shumë më i jashtëzakonshëm. Nuk e dimë me siguri se sa i jashtëzakonshëm është nëse nuk shkojmë ta zbulojmë tek Afërdita”, thotë Clara Sousa Silva, astrofizikante molekulare në Universitetin e Harvardit, që sugjeron nisjen sa më parë të një misioni zbulues të komanduar nga distanca për në këtë planet.
Sarah Stewart Johnson, shkencëtare planetare në Universitetin e Xhorxhetoun, që nuk ishte e përfshirë në këtë studim, thotë se prej kohësh përflitet për fosfinën si një shenjë jete biologjike në planetet jashtë sistemit tonë diellor.
“Sa mirë që ne e gjetëm atë tek Afërdita, që është shpërfilluar nga NASA për shumë kohë. Është turp”, thotë ajo.
Megjithatë, si autorët pjesëmarrës në këtë zbulim, ashtu edhe kolegët e tyre kërkojnë që të shmangin euforinë dhe bëjnë thirrje për më shumë studime në këtë drejtim.
Afërdita konsiderohet si njëri prej planeteve më të magjepsës të sistemit tonë diellor. I quajtur ndryshe edhe si “binjaku i Tokës”, ka një dakordësi të gjerë mes shkencëtarëve se dikur në këtë planet ka lulëzuar jeta në formën që ne njohim sot në Tokë.
Por, ndërsa jeta në Tokë evoluoi nga peshqit, dinosaurët e deri tek njeriu, Afërdita u shndërrua në pak a shumë një “ferr” me temperatura të larta që larguan ujit dhe shkatërruan atmosferën e planetit. Sot, planeti i dytë në radhë nga Dielli ka një atmosferë të mbushur me gaz të dioksidit të karbonit dhe temperaturat mesatare në sipërfaqe janë rreth 430 gradë celcuis.
Afërdita ka gjithashtu një atmoferë rreth 90 herë më te dendur se Toka me një trysni shtypëse të njëjtë si të jesh 900 metra thellë në një oqean të Tokës. Kjo do të thotë se kushtet nuk janë aq të favorshme sa për të strehuar jetë, madje janë të pafavorshme edhe për sondat e drejtuara nga distanca.
Planeti njihet si “metalngrënës” në komunitetin e shkencëtarëve për shkak se përpjekjet e njeriut për të vendosur në orbitën e tij një sondë vëzhguese dhe studimore kanë dështuar me sukses. Afërdita ka një fushë gravitacionale të fuqishme, që i ka tërhequr të gjitha misionet studimore drejt shkatërrimit në sipërfaqen e planetit.
Aktualisht, vetëm sonda japoneze Akatsukti është duke e studiuar atmosferën dhe sipërfaqen e këtij planeti dhe këtë e bën nga një distancë sigurie e madhe për të mos u përthithur nga graviteti i tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.