Libra

“Afërdita ime” –Një libër në ndihmë të të sëmurve me kancer

Është tmerrësisht e vështirë për ata që i qendrojnë pranë dhe kujdesen për një të sëmurë me kancer.

Veçanërisht kur pacienti është femër dhe duhet të mësohet menjëherë me transformimet fizike siç është rënia e flokëve nga trajtimet e kimioterapisë.

Jo se flokët në vetvete janë gjëja më e shtrenjtë në jetë, por janë një frikë e madhe e shtuar në atë gjendje të rënduar psikologjike të një njeriu që po lufton për jetën.

Këtë më tregon Argita Zalli, shkencëtarja shqiptare që është pedagoge në Imperal College në Londër, Angli dhe kryen kërkime shkencore në fushën e imunologjisë.

Sëbashku me motrën e saj binjake, shkencëtare, kërkuese në fushën e kancerit dhe pedagoge në Oxford, Londër kanë publikuar prej pak ditësh librin “Afërdita ime” kushtuar të sëmurëve me kancer.

Libri është fryt i kërkimeve shkencorë të të dyja motrave nisur nga eksperienca që kanë kaluar dhe janë duke kaluar aktualisht me nënën e tyre, Afërdita.

Kopertina e librit "Afërdita ime" nga Argita dhe Detina Zalli. Gazeta "Si", 25 prill 2020

“Është e dhimbshme kur i qendron pranë dhe kujdesesh për një të sëmurë me kancer, madje edhe kur studion vetë për atë sëmundje. Sidomos shoqërimi në spital është i vështirë, trajtimi me kemio, rënia e flokëve… Kujtoj që dilja me mamin nëpër dyqane për të kërkuar paruke dhe përpiqesha të bëja humor duke i thënë se je më e bukur se Pretty ëoman”- thotë Argita tek emocionohet në telefon.

Nënës së tyre pas 4 vitesh e gjysmë i është kthyer sërish kanceri i gjirit.

Nisur nga shumë pacientë që u shkruajnë dy motrave shkencëtare dhe nga eksperienca me nënën e tyre, ato kanë vendosur tu vijnë në ndihmë të gjithë pacientëve shqiptarë të sëmurë me kancer përmes librit “Afërdita ime” i cili përmban informacione në lidhje me trajtimin mjekësor dhe dietën ushqimore për të sëmurët, e cila është një dietë që shërben edhe për parandalimin e sëmundjes së kancerit.

”Kur mora vesh lajmin se mami ishte diagnostikuar për herë të parë me kancer isha në laborator duke vëzhguar qelizat kanceroze. Është puna ime e përditshme. E shokuar dhe e mbytur në lotë telefonova Argitën.”- kujton Detina.

Teksa Argita thotë se nuk mban mend se çfarë po ndodhte në atë moment dhe “Ndjeja sikur bota po më rrotullohej përreth. Nuk mbaja mend se ku po hidhja hapat. Mbaj mend që isha me vajzat e dajës gjatë gjithë kohës në telefon që më kontrollonin nëse isha mirë. Dhe kur u afrova tek stacioni i trenit mbaj mend që dikush më ofroi një shami që të fshija lotët.”

Tashmë kanë kaluar gati pesë vite dhe sot ato gjenden në të njëjtën situatë.

Motrat Argita & Detina Zalli me të ëmën, Afërditën

“Janë të shumta pyetjet që kemi. Unë mundohem të mos mendoj që mami është sëmurë, se ndryshe jam një person i shkatërruar. Kur më telefonon doktori i mamit, kur dëgjoj zilen e telefonit, më hipën një tmerr. Kush e di se ç’do më thotë. Por besimi dhe forca janë të mëdha. Prandaj ky libër është për ty, që po lufton kundër kësaj sëmundjeje. Ky libër është për ju që po kujdeseni për atë. Ky libër është për ne, nënë, baballarë, vëllezër dhe motra.”- thotë Detina.

Libri është në gjuhën shqipe, i shkarkueshëm dhe falas.

Argita tregon për gazetën “Si” se do të ndihmojë sa shumë të mundet pacientët shqiptarë me kancer, sepse “ata nuk kanë informacion. Ata kanë shumë pyetje.Prandaj vendosëm të sjellim këtë libër të parë me shpresën për ta zgjeruar në të ardhmen.  Besimi është  arma e parë kundër kësaj sëmundjeje. Duhet optimizëm sepse nëse i nënshtrohesh stresit, ulet imuniteti dhe beteja është e humbur. Në fazën fillestare patjetër që duhet ndihma e një psikologu”- shpjegon Argita.

Teksa tregon se e ëma ka ditë që është mirë psikologjikisht dhe ditë të tjera shfaq simptomat e sëmundjes, thotë se po përpiqet ti adoptojë dietën e publikuar në libër.

Dy shkencëtaret mendojnë se dieta vegane është më e mira, por deri tani nuk ka konkluzione shkencore përfundimtare për një dietë të tillë.

Ato thonë se tre gjëra janë kryesore për një pacient me kancer: terapia, psikologjia e fortë dhe një dietë sa më e mirë, e shëndetshme dhe e ekuilibruar.

Ato që shkencëtaret këshillojnë si një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar për të sëmurët me kancer : Karbohidrate 40-65% kalori ditore, perime dhe fruta antioksidant (brokoli, limon, lulelakër, presh, spinaq, luleshtrydhe, manaferra, karrota, bizele, thjerrëza,), mjalt antibakterial, maksimumi 1 lugë vaj ulliri në ditë në gjellë, për ata që e hanë mishin, jo më shm se 500 gr në javë.

Të evitohen ushqimet e procesuara, salçiçe, proshuta, turshi, reçel në vazo I presuar, sa më pak alkhool dhe  pini dy herë në ditë çaj jeshil.

Lëngjet janë shumë të rëndësishme, të paktën 1,6 litra ujë për gratë dhe 2 litra ujë për burrat në ditë sepse ruan temperaturën e trupit.

Argita thekson për pacientët me kancer që duhet të kenë kujdes nga mjekimet popullore ose ato alternative, pasi ndikojnë në efikasitetin e kurës. “Duhet konsultuar me domosdo me onkologun”- thotë ajo.

Argita shpjegon se “kjo është një periudhë delikate për të gjithë, por veçanërisht për të sëmurët me kancer, pasi janë personat më vulnerabël ndaj Covid-19. Përpos se duhet të izolohen, ata duhet të kenë një djetë ushqimore të shëndetshme”

Dy motrat shkencëtare përpos librit janë duke menduar se si ti vijnë akoma më shumë në ndihmë të sëmurëve me kancer, por kjo mbetet për një moment tjetër.

Detina dhe Argita Zalli janë larguar 21 vite më parë nga Shqipëria, Patosi i Fierit si emigrante kur ishin vetëm 13 vjeç.

Detina Zalli në kohën kur ishte në Harward

Prindërit e tyre kishin ëndrra për një jetë shumë më të mira për vajzat binjake.

Pas shumë sakrificash dhe perpicish në emigracion, ato janë në radhën e shkencëtarëve më të mira në botë me eksperiencë në stafet e univeristeteve më të mira Perëndimore.

Detina ka kryer postdoktoraturën në Harward, SHBA ku ka qenë edhe pedagoge. Gjithashtu ka dhënë leksione në universitete prestigjore në Azinë e largët teksa aktualisht është pedagoge në Oxford.

Të dy motrat janë në një grup shkencëtarësh që ndihmojnë me mbledhjen dhe transmetimin e informacioneve për Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë