Para

Aeroporti i Vlorës- Pacolli ankohet sërish. Kush është ‘viktima’, ai apo shqiptarët?

Nga Gazeta Si- Si të mos mjaftonte reagimi tepër i ashpër i Organizatave mjedisore për ndikimin që Aeroporti i Vlorës do ketë në mjedis, Aeroporti po kalon një nga fazat më të paqarta dhe problematike që prej nisjes së projektit, mes përplasjeve institucionale, konflikteve mes dy aksionerëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, dhe një statusi ligjor ende të pazgjidhur. Për muaj me radhë, opinioni publik është përballur me mesazhe kontradiktore: herë thuhet se punimet kanë nisur, herë se projekti është i bllokuar, herë se problemet mes ortakëve janë zgjidhur dhe herë jo?!!

Debati rreth aeroportit nuk kufizohet vetëm te ritmi i punimeve, por shtrihet te mënyra e menaxhimit të koncesionit, transparenca e marrëveshjeve, konfliktet kontraktuale, si dhe ndikimi ekonomik e mjedisor i projektit.

Më 23 janar, aksioneri kryesor i aeroportit, Behgjet Pacolli, deklaroi publikisht në Facebook se në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës “nga sot rikthehet normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi”, duke vlerësuar rolin e drejtësisë dhe pavarësinë e saj.

“Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj. Është një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësia në vendin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme”, shkroi asokohe Pacolli.

Por vetëm dy muaj më vonë, më 1 shkurt, narrativa ndryshoi rrënjësisht. Pacolli njoftoi se do të publikojë një libër për atë që e cilëson si “padrejtësi, pabesi dhe mashtrime” nga ortaku i tij Valon Ademi, duke paralajmëruar ndjekje penale dhe civile në disa juridiksione, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Emiratet dhe Libinë.

Ai e akuzon partnerin për falsifikime dokumentesh, mashtrime, tentativa për dëmtim reputacioni dhe cenim të pronës, duke premtuar se do të publikojë prova me emra dhe data konkrete.

“Ndërkohë që çdo ditë po dalin faktet e reja, pabesia e njeriut që i kisha besuar me vite nuk ishte ndalur vetëm te mashtrimet apo falsifikimi i dokumenteve, por përfshinte edhe tentativa poshtërimi, vjedhje, përbuzje të sofrës, gënjeshtra, intrigat, tërheqjen e bashkëpunëtorëve tjerë në këto akte kriminale dhe shumë veprime të tjera të ulëta. As këto nuk i kishin mjaftuar. Ai duke mos pas fytyrë të përballët me atë që kishte bërë, kishte vazhduar më tej, duke tentuar të rrënoj gjithçka që kam ndërtuar gjatë gjithë kohës së punës time, respektin ndaj njerëzve, moralin dhe pronën”, shkruan Pacolli, duke shtuar se faktet e këtyre pabesive do t’i publikojë një nga një, me emër dhe data.

“Këto veprime janë aq të rënda, sa kam filluar t’i përmbledh faktet edhe në një libër, të cilin do ta promovoj gjerë e gjatë”.

Konflikti mes dy aksionerëve të Aeroportit të Vlorës ka shkuar edhe më tej, pasi Behgjet Pacolli ka denoncuar publikisht se po i marrin duty free-t dhe shërbimet e tjera të aeroportit.

Kompania e Pacollit MABCO Construction SA denoncon veprime të paautorizuara në Aeroportin e Vlorës dhe paralajmëron për pavlefshmëri absolute dhe pasoja ligjore të rënda për çdo kontratë të lidhur.

“MABCO Construction SA, shoqëri e së drejtës zvicerane dhe ortaku mazhoritar me 98 për qind të kapitalit në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport, VIA shpk, paralajmëron publikisht dhe pa ekuivok se çdo kontratë, marrëveshje qiraje apo akt tregtar që po lidhet ose do të tentohet të lidhet për dyqane, bare, duty free apo shërbime të tjera në Aeroportin e Vlorës, nga z. Vegim Hoxha ose nëpërmjet tij, është juridikisht inekzistente, absolutisht e pavlefshme dhe e destinuar të rrëzohet,” thuhet në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga kompania e Pacollit.

Sipas saj, këto veprime po kryhen në kundërshtim flagrant me ligjin, me statutin e shoqërisë dhe me vendimet në fuqi të gjykatës.

Në qendër të konfliktit janë dy aksionerët kryesorë të projektit: Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi. Përplasja mes tyre ka përfunduar në dyert e gjykatës, e cila aktualisht ka bllokuar çdo lëvizje mbi aksionet e kompanisë koncesionare.

Valon Ademi, aksioneri i minorancës, e ka akuzuar publikisht Pacollin për mashtrim, ndërsa thelbi i konfliktit lidhet me ndarjen e aksioneve: zyrtarisht Ademi zotëron 2%, por pretendon 47%, duke u mbështetur në një kontratë noteriale të firmosur pas largimit të grupit turk “YDA” nga koncesioni.

Grupi “YDA”, që zotëronte 40% të aksioneve, ia shiti ato kompanisë “Mabco” të Pacollit për shumën simbolike prej 4,200 eurosh. Në të njëjtën ditë, “Mabco” dhe “2A Group” e Ademit firmosën një marrëveshje të re që përcaktonte një ndarje 53% me 47% të aksioneve.

Megjithatë, këto kontrata nuk janë regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke krijuar një vakum ligjor që ka thelluar konfliktin dhe ka bllokuar funksionimin normal të kompanisë.

Ndërkohë, përplasjet kanë sjellë pasoja direkte në drejtimin e projektit: administratori i parë u shkarkua, ndërsa i dyti dha dorëheqjen, duke e lënë aeroportin në një situatë pasigurie institucionale.

Në një kohë kur Aeroporti i Vlorës është promovuar si një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, realiteti aktual tregon një tjetër panoramë: një investim i madh publik dhe privat i zhytur në konflikte pronësie, procese gjyqësore dhe mungesë transparence, dhe s’po kuptohet kush është viktima Pacolli apo aeroporti dhe shqiptarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë