Jete & Stil

Adoleshentët që nuk pëlqejnë trupin e tyre janë më të rrezikuar të preken nga depresioni kur të rriten

Studiuesit britanikë matën pakënaqësinë për format trupore në moshën 14-vjeçare dhe depresionin në të 18-at nga 3753 të rinj të lindur në 1991 dhe 1992. Rritja e rrezikut të depresionit ndryshonte bazuar në gjininë dhe ashpërsinë, por djemtë adoleshentë janë më të rrezikuar të vuajnë nga një depresion më i rëndë.
Ndërsa tek vajzat, një rritje e pakënaqësisë trupore çoi në një rritje prej 84% të rrezikut të një episodi të rëndë depresiv në moshën 18 vjeçare.
Mospëlqimi i pamjes fizike të dikujt, i njohur si pakënaqësia ndaj trupit, prek deri në 61% të adoleshentëve në të gjithë botën, sipas një studimi të mëparshëm. Pakënaqësia e trupit është identifikuar si një faktor rreziku për çrregullimet e të ngrënit, sjelljet jo të përshtatshme dhe shëndetin e dobët mendor. Ndërsa është thënë që femrat janë më të ndjeshme ndaj idealeve të imazhit të trupit, përhapja e mediave sociale mund të jetë fajtore për adoleshentët meshkuj që përjetojnë edhe pakënaqësi trupore, të cilat mund të përkthehen në episode të mëvonshme depresive.
“Ky është studimi i parë që demonstron se pakënaqësia e trupit në adoleshencë parashikon shfaqjen e episodeve të mëvonshme depresive në një grup të lindur në fillim të viteve 1990”, thonë studiuesit nga Universiteti i Anglisë Perëndimore në Bristol dhe Universiteti Erasmus Roterdam, Holandë.

“Këto zbulime nxjerrin në pah rëndësinë e njohjes së pakënaqësisë së trupit si shqetësim i shëndetit publik.”
Shumica e hulumtimeve të botuara mbi pakënaqësinë e trupit dhe depresionin janë kryer në Amerikë, ndërsa ‘relativisht pak vëmendje i është kushtuar konteksteve europiane’. Gjithashtu, pak studime kanë eksploruar këtë çështje midis të rinjve dhe të rriturve për të llogaritur ndikimin e internetit, teknologjisë dhe mediave sociale. Për studimin e tyre, studiuesit morën 3753 pjesëmarrës, 2078 femra dhe 1675 meshkuj, të gjithë të regjistruar në Studimi i gjatë i Avon për prindërit dhe fëmijët(ALSPAC). ALSPAC është një grup i madh i përbërë nga fëmijë të lindur nga 1 Prilli 1991 deri më 21 Dhjetor 1992.
Kur ishin 14 vjeç, adoleshentëve iu kërkua të vlerësonin kënaqësinë me pamjen e tyre fizike duke vlerësuar peshën, figurën, formën e trupit dhe zonat specifike, duke përfshirë gjinjtë, barkun, belin, kofshët, vithet, ijet, këmbët, fytyrën dhe flokët.
Këto karakteristika u vlerësuan bazuar në shkallë, ku zero është e barabartë me “jashtëzakonisht të pakënaqur” dhe pesë e barabartë me “jashtëzakonisht të kënaqur”. Të dy grupet, djemtë dhe vajzat ishin deri diku të kënaqur me trupin e tyre në përgjithësi në moshën 14 vjeç, megjithëse vajzat ishin më të pakënaqura sesa djemtë. Vajzat kishin tendencë të mos pëlqenin kofshët, barkun dhe peshën e tyre, por pëlqenin flokët dhe ijet, ndërsa djemtë ishin të pakënaqur me strukturen e trupit, stomakun dhe ijet, por nuk shqetësoheshin për flokët, peshën ose këmbët. Në përfundim, 32% e vajzave dhe 14% e djemve ishin të pakënaqur me peshën e tyre, dhe 27% e vajzave dhe 14% e djemve ishin të pakënaqur me pamjen e tyre.
Rreth katër vjet më vonë, depresioni u vlerësua klinikisht nga një infermiere në një moshë mesatare prej 18 vjeç duke përdorur Programin e Kompjuterizuar të Intervistave (CIS-R). CIS-R bën pyetje në lidhje me një sërë simptomash dhe mund të përdoret për të caktuar diagnoza të depresionit dhe çrregullimeve të ankthit. CIS-R sjell përgjigje ndaj simptomave të depresionit të përjetuara javët e kaluara dhe siguron një diagnozë të depresionit sipas kritereve të Organizatës Botërore të Shëndetit ICD-10. Kriteret e ICD-10 për depresion të lehtë, të moderuar dhe të rëndë u përdorën për të kategorizuar ashpërsinë e depresionit.
Në përgjithësi, vajzat kishin më shumë të ngjarë të përjetonin episode depresioni sesa djemtë në moshën 18-vjeçare, zbuloi ekipi hulumtues.

Në përgjithësi, 10% e vajzave raportuan të paktën një episod të lehtë depresiv krahasuar me 5% të djemve. 6% e vajzave dhe 2% e djemve raportuan të paktën një episod të moderuar depresiv, ndërsa episodet e rënda depresive prekën 1% të vajzave. Pakënaqësia e trupit në moshën 14-vjeçare parashikoi mbizotërimin e të gjitha shkallëve të ashpërsisë, episode të lehta, të moderuara dhe të rënda depresive në mesin e femrave.
Pakënaqësia e trupit në moshën 14 vjeç parashikoi vetëm episode të lehta dhe të rënda depresive tek meshkujt në moshën 18vjeçare, ndërsa kontrollonte për nivelet fillestare të depresionit.
Midis vajzave, çdo rritje në shkallën e pakënaqësisë trupore në moshën 14 vjeç u shoqërua me një rrezik të rritur të përjetimit të të paktën një episodi depresiv të butë (63%), të moderuar (67%) dhe/ose të rëndë (84%) në moshën 18-vjeçare.
Ndikimi i pakënaqësisë së trupit në episodet e lehta depresive ishte i krahasueshëm midis djemve dhe vajzave, por ndikimi i tij në episodet e rënda depresive ishte më i fortë tek djemtë. Çdo rritje në shkallën e pakënaqësisë trupore në moshën 14-vjeçare tek djemtë shoqërohej me një rrezik të rritur të përjetimit të të paktën një episodi të lehtë depresiv (50%) dhe/ose të rëndë (40%) në moshën 18-vjeçare.
“Rezultatet mund të ndryshojnë nga grupet e mëparshme edhe për shkak të rolit të rëndësishëm që kanë interneti, teknologjia dhe mediat sociale në stilin e jetës së brezave të fundit.” përfundon ekipi.
Studiuesit pranojnë mungesën e diversitetit etnik dhe socio-ekonomik në të dhënat e ALSPAC, e cila bazohet në foshnjat e lindura në fillim të viteve 1990. Kufizime të tjera përfshijnë mungesën e ndonjë informacioni mbi orientimin seksual.
Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë