Drejtësia

Adnan Xholi tregon pikat e forta dhe të dobëta: Nuk fus njerëz në burg pa prova

Gazeta Si – Adnan Xholi ishte kandidati i parë që parshtroi në KLP platformën e tij nëse do të zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme për një mandat 3-vjeçar.

Ai lavdëroi punën e kolegëve të tij, ndërsa theksoi se më shumë kohë kalon me ta sesa me familjen e tij biologjike.

Xholi theksoi se pika e tij e dobët lidhet me fokusin e tij në mbledhjen e provave para se të kryhen arrestime. Por sipas tij, këtu qëndron dhe çelësi i suksesit të një prokurori.

“Pika e dobët ka të bëjë me interesin dhe përkushtimin në mbledhjen e provave para se të vijoj me arrestimet, pasi fillimisht fokusohem në mbledhjen e provave. Suksesi i prokurorit është në mbledhjen e provave. Unë nuk fus njerëz në burg pa prova; është shkelje ligjore, kushtetuese dhe hyjnore!”, deklaroi Xholi.

Gjatë fjalës së tij, Xholi tha se përparësia e tij qëndron te eksperienca mbi 28-vjeçare në drejtimin dhe menaxhimin e prokurorëve, si dhe në aktivitetin akademik dhe të mësimdhënies, që e konsideron si një element antistres.

“Pika ime e fortë ka të bëjë me kriteret që ky këshill ka përcaktuar për ngritjen në detyrë të prokurorëve, që thotë se për të pasur drejtësi drejtuese dhe menaxhuese, unë kam mbi 28 vite eksperiencë. Këtë e shikoj si avantazh. Pjesën akademike dhe të mësimdhënies e kam si antistres.”, tha Xholi.

Nga ana tjetër, ai pranoi se ka nevojë për përmirësim në fushën e hetimit të kriptovalutave, duke theksuar se është e pamundur të jetë ekspert në këtë fushë dhe se do të delegojë kompetencat përkatëse për të përballuar sfidat e reja.

“Kurse disavantazhi është që unë mësoj çdo ditë, nuk kam eksperiencën e duhur në hetimin e kriptovalutave. Por e kam të pamundur të jem ekspert i fushës së kriptovalutave dhe duhet të filloj të delegoj kompetencat. Kjo është pika ime e dobët, që do mundohem ta rikuperoj nëse marr pëlqimin tuaj”, tha Xholi.

I pyetur se si dëshiron të mbahet mend si prokuror dhe çfarë trashëgimie do të linte, Adnan Xholi u përgjigj: “Shpresoj të mbahem mend si prokurori që nuk e ka dëmtuar padrejtësisht askënd dhe nuk ka dhënë dënime pa bazë. Nuk dua një trashëgimi të tillë. Si drejtues, do të doja të isha tipi që i dëgjon të gjithë vartësit, i kupton, merr masa serioze dhe u gjendet pranë në çdo gjë. Jam një njeri i thjeshtë dhe nuk kërkoj salltanete. Nëse do të jem apo jo drejtues, këto virtyte do të mbeten gjithmonë pjesë e punës sime.”

Sipas tij, duhet që të vijohet me hetimet e shpejta dhe cilësore që të përmbajnë sekuestrimin e pasurive të aseteve të krimit.

“Falë angazhimit personal kanë arritur rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit. Jam krenar që punoj me ta. Do I mbështes në çdo situatë të aktivitetit pavarësisht votimit të sotëm, punën e kemi me njëri tjetrin dhe ata janë familja ime në sistemin e drejtësisë, – tha ai. – Më tepër qëndroj me ta sesa me familjen time biologjike. Krahas sukseseve të arritura, ka ardhur koha të vijohet me hetime të mëtejshme cilësore dhe të shpejta për të goditur kriminalitetin si me hetime penale ashtu edhe me ato pasurore me qëllim sekuestrimin e aseteve të krimit për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë”,- u shpreh Xholi.

 Xholi u pyet se si do të reagonte nëse një zyrtar i lartë do ta merrte në telefon për t’i thënë të ulë ritmit gjatë një hetimi për një funksionar të lartë të shtetit.

“Nuk më ka ndodhur në karrierën time që një zyrtar i lartë të guxojë të më marrë në telefon. Nëse ndodh që të ketë përpjekje për ndikim të paligjshëm, ka një ligj që e ndalon këtë. Çdo zyrtar e ka të pamundur të ndryshojë vendimmarrjen e prokurorit”.

Për punën në SPAK, ai deklaroi ndjekjen penale të një kryetari bashkie që përfshihej në ligjin e dekriminalizimit dhe nuk kishte deklaruar dënimin.

Po ashtu përmendi edhe dënimin e një ish-deputeti, i cili ishte zbuluar në SKY ECC se furnizonte grupet kriminale me informacione dhe në shkëmbim shpërblehej me vota.

Ndër punët e tij, ai tregoi goditjen e një grupi kriminal që grabiste shqiptarët që vinin nga Greqia në vitin ’97.

Një tjetër ishte edhe zbardhja e disa rrëmbimeve të biznesmenëve në Gjirokastër, po të njëjtin vit, ku u mbajtën peng për disa ditë. “U detyruan të hapnin edhe varrin e tyre”, tha Xholi.

Madje ai deklaroi se hetimet e pezulluara janë rifilluara nga ai, duke identifikuar autorët dhe duke i dënuar ata.

Sa i përket Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ai deklaroi se ka hetuar dy masakrat, atë të Cërrikut dhe Qafë Gjashtës, duke dënuar autorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë