Rend dhe Ligj

Admir Murataj, tmerri i bankave dhe CV-ja kriminale nga Greqia

Admir Murataj nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, por vetëm në 2017 emri i tij u përfol si truri i grabitjes së ndodhur në shkurt të atij vitit të një një autoblindi me para, që si destinacion kishte Aeroportin e Rinasit.

Grabitja ndodhi thuajse në të njëjtin vend ku në dhjetor të 2015 kishte ndodhur e para. Në 2015, autorët u larguan me 3.6 milionë euro duke humbur gjurmët. Skenari i përdorur në 2017 ishte i njëjtë, ndërkohë që mes këtyre ngjarjeve kishte ndodhur grabitja e parë brenda rrethimit të aeroportit, ku autorët u larguan me rreth 1 milion euro.

Hetimet për të trija ngjarjet vijonin paralelisht. Policia dyshonte se paratë ishin marrë nga e njëjta dorë: një bandë e mirëorganizuar dhe mirëinformuar mbi lëvizjet e parave në drejtim të Rinasit.

Në shtator të 2016, policia bie në gjurmët e Fatjon Xhyliut, një ish-punonjës i shoqërisë private “Rogat”, autoblindi i së cilës u grabit në dhjetor të 2015

Autokolona u godit në vendin e njohur si Qafa e Kasharit. Pasi neutralizuan policët privatë, katër persona të armatosur dhe të maskuar u larguan në rrugët dytësore me 3.2 milionë euro. Mjeti me të cilin u larguan u gjet i djegur pak orë më vonë, por asnjë gjurmë dhe shenjë që mund të ndihmonte grupin hetimor për të rënë në gjurmët e autorëve të mundshëm.

Grafik i rrugëve që ka ndjekur makina me para dhe ajo e autorëve në grabitjen e fundit në Rinas

Xhyliu nuk ishte zyrtarisht as në kërkim dhe as si i dyshuar, por jeta luksoze me shpenzime të shfrenuara që bënte, pavarësisht se rezultonte i papunë, e bindën policinë që ta mbante nën vëzhgim të gjatë. Burime nga policia pohojnë për gazetën “Si” se vëzhgimi ka zgjatur për muaj me radhë, madje edhe gjatë periudhës kur ndodhi grabitja e dytë në 2016. Vetëm nga vëzhgimet dhe përgjimet telefonike, policia nuk mundi të provojë se Xhyliu ishte pjesë në të dyja këto grabitje.

Por, në të tretën, të realizuar më 9 shkurt të 2017 dhe me të njëjtin skenar si ajo e 2015 gjërat ndryshuan. Policia arrestoi katër persona pak ditë më vonë si pjesë e operacionit të koduar me emrin “Patriot”. Mes të prangosurve ishte edhe Fatjon Xhyliu dhe Neim Avdulaj, ky i fundit ish-ushtarak i forcave Komando të Zall-Herrit.

Xhyliu pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe rrëfeu se ishte rekrutuar nga Neim Avdulaj për grabitjen në fjalë. Roli i tij ishte ai i informatorit dhe për këtë kishte marrë një shumë mbi 100 mijë euro si pagesë.

“Unë punoja pranë Rogat dhe kisha lidhje shoqërore me një tjetër punonjës të shoqërisë, Ditjon Memlika. Ai më prezantoi në atë kohë me një shokun e tij që kishte qenë në Forcat e Armatosura dhe që quhej Neim Avdulaj. Jemi takuar disa herë dhe më pas mua dhe Memlikës na lindi ideja të godisnim eskortën që do të transportonte paratë. I kërkuam ndihmë Neim Avdylajt, i cili si fillim pranoi të bashkëpunonte”, thotë Xhyliu në dëshminë e dhënë para Prokurorëve.

I penduari shton më tej se Avdulaj i ka njohur me dy persona të tjerë, të cilët janë prezantuar si nga Laçi. Njëri prej tyre mendohet se ka qenë Admir Murataj, ndërsa një tjetër ka refuzuar pjesëmarrjen me justifikimin se ishte në kërkim për një tjetër grabitje. Policia dyshon se personi që ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë grabitje ka qenë vetë Admir Murataj.

Murataj ka përdorur refuzimin si strategji për të humbur gjurmët përballë dy personave që sapo kishte njohur. Ai dyshohet se në këtë rast nuk ka marrë pjesë në terren, por ka qenë hartuesi i planit, që më pas është vënë në zbatim nga Dash Kupa, Ernest Kupa dhe të tjerët.

Dëshmia e Xhyliut është përforcuar nga ajo e vetë Avdulajt, ish-komandoja e Zall-Herrit. “Kur ka përfunduar grabitja, çantat janë shpërndarë nga Adi”, ka deklaruar ai në lidhje me grabitjen e ndodhur në 2015. Adi thirrej shkurtimisht nga pjesëtarët e tjerë të grupit Admir Murataj.

Ai ka dëshmuar edhe për grabitjen e tretë, atë të 9 shkurtit 2017. “U njoha me Admir Çerpjen nga një kushëriri i tij që ishte me mua në misionet paqeruajtëse në Afganistan. Pasi u bë plani, tetë muaj kam pirë kafe pranë një qendre tregtare pranë Piramidës, nga ku kam sparë lëvizjet e blindave të bankës. Unë do të informoja Çerpjan për çdo lëvizje deri ditën që u krye goditja”, ka dëshmuar ai. Avdulaj shpjegoi se ka sinjalizuar daljen e eskortës ku gjendej valuta përmes një numri të blerë në tregun e zi me mesazhin “Doli vajza”.

Veç Fation Xhylit, Ditjon Memlikës dhe Neim Avdulajt, në pranga përfunduan edhe Dash dhe Ernest Kupa, të afërm të Ilir Kupës. Dash Kupa u arrestua në pikën e kalimit kufitar të Morinës, në përpjekje për t’u larguar në drejtim të Kosovës. Admir Murataj u shpall në kërkim dhe dyshimet ishin se ai ja kishte dalë mbanë që të arratisej nga Shqipëria, po në drejtim të Kosovës.

Aftësia për t’u zhdukur pa lënë gjurmë edhe falë 13 identiteteve bëri që Murataj të konsiderohej si truri i grupit kriminal dhe të akuzohej se qëndronte pas edhe një grabitjeje tjetër të ndodhur më 13 shkurt të 2015 tek ish-Stacioni i Trenit në Tiranë, ku autoblindi u sulmua sapo kishte ngarkuar shumat e parave nga dega e një banke të nivelit të dytë.

Në janar të vitit të kaluar, pjesa më e madhe e bashkëpunëtorëve të Admir Muratajt u dënuan me burg. Ai vetë vazhdonte të rezultonte i zhdukur pa asnjë gjurmë, ndërsa policia kthehej duarbosh nga kontrollet e shpeshta që ndërmerrte në vilën superluksoze dhe me masa të forta sigurie të Muratajt në Fushë-Prezë.

Kohën në arrati nuk e ka shfrytëzuar vetëm për t’u fshehur. Gjatë kësaj periudhe, Murataj dyshohet se ka planifikuar grabitjen e fundit. Këtë herë gjërat nuk i shkuan sipas planit dhe në shkëmbimin e zjarrit me Policinë mbeti i vrarë. Dilema e autoriteteve tani është se kush janë të paktën dy personat e tjerë, me të cilët bashkëpunoi ai në goditjen e fundit?

Zanafilla e aktiviteti kriminal të tmerrit të bankave në Shqipëri

Rrethanat sesi Admir Murataj, ose Admir Nikaj ka hyrë në Shqipëri mbeten ende enigmatike, por e sigurtë është që ai rikthehej në atdhe me një CV të pasur dhe të rënduar kriminale në Greqi. Ai ishte pjesë e grupit prej 11 të burgosurish shqiptarë që në mars të 2013 u arratisën në mënyrë spektakolare nga burgu i Trikallasë, ku ishte dënuar për grabitjen e një banke në qytetin e Lamias.

Admir Murataj

Së bashku me Ilir Kupën, Marjan Kolën, Klement Çalën dhe persona të tjerë, Murataj kapërceu muret e burgut me ndihmën e shkallëve artizanale të ndërtuara me çarçafë e batanije, pasi më parë kishin prerë hekurat e qelisë. Jashtë grupin e të burgosurve e prisnin të tjerë persona, që ishin edhe të armatosur.

Gjatë arratisjes ka patur shkëmbim zjarri mes të burgosurve dhe policisë së burgut grek, ku janë përdorur edhe granatat difensive. Nga përplasja kanë mbetur të plagosur dy policë të burgut dhe një i burgosur shqiptar, që më vonë gjeti vdekjen si pasojë e plagëve të marra.

Autoritetet greke nisën një operacion masiv ndjekje ndaj tyre. Për të çoroditur policinë, të burgosurit u shpërndanë. Një pjesë e tyre u nisën në drejtim të kufirit me Shqipërinë, ndërsa të tjerë në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Mjeti i përdorur nga grupi që ndihmoi të burgosurit që të arratiseshin u gjet i djegur disa orë më vonë.

Policia greke e përqendroi operacionin e kapjes së tyre në kufirin me Shqipërinë. Për disa ditë u ndoqën këmba-këmbës Marjan Kola dhe Ilir Kupa. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Marjan Kola mbeti i vrarë, ndërkohë që Ilir Kupa ja doli mbanë që të kthehej në Shqipëri, ku u arrestua dhe dënua me 25 vite burg mbi akuzat e ngritura nga pala greke. Gjatë procesit gjyqësor, Ilir Kupa deklaronte se akuzat ndaj tij ishin rënduar artificialisht nga pala greke, se nuk ishte i armatosur gjatë arratisjes nga burgu i Trikallasë dhe se plani për arratisjen ishte i të ndjerit Marjan Kola.

“Marjan Kola kishte 17 vite në burg. Kishte hyrë që 14 vjeç dhe e kishin torturuar”, deklaronte ai ndër të tjera në procesin gjyqësor që u zhvillua në Shqipëri.

Admir Murataj humbi nga gjurmët e autoriteteve greke. Edhe për të dyshohej se kishte kaluar kufirin me Shqipërinë, të paktën deri në maj të 2013. Por jo. Murataj, së bashku me disa persona të tjerë ishte fshihej ende në Greqi dhe pikërisht në maj grabit rreth 1 milionë euro nga një bankë në qytetin e Larisës. Pas kësaj grabitjeje të bujshme, autoritetet greke akuzonin Muratajn se qëndronte në krye të një grupi prej të paktën katër personash, që konsideroheshin mjaft të rrezikshëm.

Ky grup fajësohej edhe për vrasjen e punonjësit të një supermarketi në 2012, pasi ky i fundit kishte refuzuar që gjatë grabitjes t’u jepte një shumë prej 3 mijë eurosh. Policia greke mendon se Murataj ka qenë i pranishëm në shkëmbimin e zjarrit me efektivët e saj në Domokos, në Greqinë Qendrore, ku i vdekur ka mbetur Edison Lika dhe xhaxhai i Muratajt.

Vendi ku u vra dhe grabit një i ri grek në 2012

Pas këtyre episodeve dhe në kërkim të vazhdueshëm nga policia greke, Admir Murataj rikthehet në Shqipëri. Koha se kur ka ndodhur dhe rruga e zgjedhur për t’u rikthyer nuk dihet. Mediat në Greqi hamendësojnë se ai është rikthyer në Shqipëri në fund të 2013 ose fillim të 2014, kohë kur policia gjeti një mjet të djegur pranë kufirit. Mjeti ishte denoncuar si i vjedhur disa javë më parë në një zonë ku policia po ndiqtë Muratajn dhe bandën e tij.

Për aktivitetin në Shqipëri Murataj akuzohet vetëm për grabitjet në Rinas, por nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë patur një rol, në mos kryesor dytësor në bandën e famshme të “Babagjyshëve”, që dyshohet se është autore e disa vjedhjeve në Shqipëri dhe Maqedoni, ku më e bujshmja mbetet ajo e një argjendarie në qendrën tregtare “TEG”, që i dha edhe emrin.

Ky është jetëshkrimi kriminal i Admir Muratajt, që për familjarët e tij është përdorur nga persona të tjerë.

“Ne nuk njohim asnjë nga shokët e tij, por do i shohim kush janë shokët, ata që e lanë në rrugë. U tha se Admiri ishte organizatori, por organizatori nuk vritet. Tani na intereson të shohim se çfarë ndodhi, tani do e shohim sa organizator është. Ai ka qenë vegël”, deklaroi pas identifikimit të trupit pa jetë të të vëllait, Cen Murataj.

Por, për policinë shqiptare ai ishte truri i të gjitha grabitjeve të bujshme të ndodhura vitet e fundit në Shqipëri.

13.02.2015
GRABITJA E BANKËS TE STACIONI I TRENIT

Admir Murataj (Nikaj) – kreu i grupit kriminal
Autorët e tjerë ende të paidentifikuar, vijon hetimi

01.12.2015
GRABITJA E BLINDAVE NË RRUGËN E LAKNASIT

Admir Murataj (Nikaj) – organizator, kreu i grupit kriminal
Dash Kupa
Ernest Kupa
Neim Avdulaj
Ditjon Memlika
Admir Çerpja

30.06.2016
GRABITJA E PARË BRENDA RRETHIMIT TË AEROPORTIT TË RINASIT

Admir Murataj (Nikaj) – i dyshuar si organizator
Autorët e tjerë të paidentifikuar

09.02.2017
GRABITJA E BLINDAVE NË AKSIN TIRANË-RINAS

Admir Murataj (Nikaj) – organizator, kreu i grupit kriminal
Dash Kupa
Ernest Kupa
Neim Avdulaj
Ditjon Memlika
Admir Çerpja
Fatjon Xhyliu
Aleksander Murataj
Dritan Sinani

09.04.2019
GRABITJA BRENDA RRETHIMIT TË AEROPORTIT TË RINASIT

Admir Murataj (NikaJ) – i dyshuar si kreu i grupit (mbeti i vrarë)
Autorët e tjerë ende të paidentifikuar


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë