Nga Marina Kërcelli – Fiks mëngjes, duar për duar me vëllain drejt shkollës 9-vjeçare Çipan, në Devoll. Plot fëmijë turren rrëmbimthi brenda klasave. Teksa ndodhem përballë portës së madhe, pas shpine një zë i lehtë më tërheq vëmendjen, “Ah sikur”.
Kthej kokën dhe pyes: Pse sikur? Uli sytë, dhe tha: Unë nuk munda të vazhdoja arsimin e mesëm, i gjithë arsimimi im u mbyll pikërisht tek dyert e kësaj shkolle, menjëherë pas përfundimit të ciklit 9-vjeçar. Nuk mund të rrija pa ja bërë pyetjen: Po nëse rrethanat do të ishin ndryshe, a do të vazhdoje studimet më tej?
Fytyra e saj shndriti. “Po patjetër që do vazhdoja studimet, pasi pengesë e vetme për arsimin tim, dhe të motrës u bë mentaliteti që kanë familjet shqiptare, por sidomos familjet në zonat rurale. Adea, që për arsye personale nuk pranoi të thotë mbiemrin, më tregoi se kishte luftuar fort për të vazhduar studimet, por në këmbim i dhanë një martesë në moshë të hershme.
“Pavarësisht se iu luta babai, ku të paktën të kryeja arsimin e mesëm, ai preferoi mos të sakrifikonte për mua dhe zgjodhi rrugën më të lehtë, të më martojë 15 vjeçe”, tregon ajo.
Ndryshe nga bashkëmoshatarët, edhe pse ora shënonte pothuajse ora 9:30 e paradites, Adea pothuajse në këtë orar zgjohet çdo ditë nga gjumi. Është vetëm 16 vjeç, por ndryshe nga shokët dhe shoqet e saj që nxitojnë për në shkollë, Adean nuk e la babai që të ndjekë dijen. E pafuqishme për të dalë kundër vullnetit të të atit, 16-vjeçarja, tashmë është e martuar me një 29 vjeçar.
“Po edhe babi s’e ka keq, më duhet të shkoja vetëm deri në Fitore, në fshatin më të afërt që ka gjimnaz, do ishte mirë të mos shkoja vetëm….Po të kishte gjimnaz këtu në fshatin ku unë banoj, do të ishte ndryshe,” tha Adea me një zë të nënshtruar.
Familja e Adeas ka 5 anëtar, dy prindërit, Adea, si dhe motra dhe vëllai i vogël, që dhe ai pati të njëjtin fat si motrat. Adea është fëmija i parë dhe gjendja financiare e familjes është e dobët.
Babai emigron hera herës në Greqi dhe nëna është shtëpiake. Edhe dy fëmijët e tjerë veç Adeas që tashmë është e martuar, ditën e kalojnë në shtëpi, motra me punët e shtëpisë dhe vëllai ndihmon nënën e tij në punët e buqësisë.
Alma, nëna e Adeas i tha Gazetasi.al se “Na prishi punë që nuk kemi gjimnaz në fshat. Për zotin nuk mund të dal kundër burrit, “
“Ai nuk pranoni ta çojë në shkollë, jo se kishte frikë se vajza mund të bëjë diçka që na turpëronte, por janë shtuar njerëzit e këqij,” shtoi ajo, duke nënvizuar se nëse gjimnazi do të ishte në fshat, vajza nuk do të gjendej në këtë situatë.
Një prej mësueseve në këtë shkollën, nuk e fshehu hidhërimin për Adean.
“Nuk e imagjinon dot sa më dhimbset. E ka mbaruar 9-vjeçaren me notat maksimale dhe ta dish çfarë lufte kemi bërë dhe sa i jemi lutur të atit që ta çonte në gjimnaz. Kur e mora vesh që e ka ndaluar më theri në zemër,” thotë mësuesja.
Trishtimi i mësueses bëhet edhe më i madh kur na tregon se Adea ka edhe një motër më të vogël: “Po me sa duket, edhe atë nuk do e la kush të shkojë në shkollë,” shtoi ajo. Edhe pse Adea ishte vetëm 15-vjeç, familja e saj ka marrë morri kërkesa për martesë, dhe nuk nguruan ta martonin.
Historitë e vajzave që i martojnë sapo mbushin moshën e Adeës, në Shqipëri nuk janë të rralla.
“Kisha një vajzë para 5 vitesh, mbaroi klasën e 9, e kishin fejuar në qershor sapo mbaroi shkolla dhe në tetor e martuan,” kujton mësuesja e kësaj zone. “Më pikoi në zemër kur e mora vesh, ndoshta asaj i ecën mbarë, por ishte veçse një fëmijë dhe ky nuk është një rast i vetëm,” shtoi ajo.
E pyetur lidhur me këtë situate, Lireta, edukatorja e këtij fshati është shprehur se, janë vajzat ato të cilat regjistrojnë dhe shifrat më të larta të braktisjes së shkollës, në pjesën më të madhe për shkak të martesës, duke krijuar një rreth vicioz.
“Jemi shumë në faj ndaj femrave, pasi vazhdon të jetë e diskriminuar. Shkolla është larg, herë pas here nuk kanë tualete dhe familjet zgjedhin t’i martojnë, përgjithësisht me emigrantë për t’i siguruar një jetë më të mirë,” shprehet ajo, e cila ka pothuajse një jetën që jep mësim në këtë fshat, plot 17 vite.
“E lashë shkollën në vitin e parë të gjimnazit, pasi babai kuptoi ngacmimet që kisha prej çunave, dhe për shkak të mentalitetit ai sakrifikoi arsimimin tim” -më tregoi XH.M një tjetër e re që braktisë shkollën në Shqipërinë e vitit 2021.
Xh.M, vajza 20 vjeçare, ka plot 5 vite e cila i ka lënë në hije librat. E detyruar për ta braktisur shkollën, tashmë jeta e saj e përmbledhur në vetëm disa rreshta është, punësimi në fasoneri dhe një fejesë në moshë 15 vjeçare.
E pafuqishme hera herës për t’i përballuar të dyja njëkohësisht, ajo është shprehur se nuk kishte rrugë dalje tjetër.
“Nuk doja ta braktisja shkollën, e doja shumë librin, atmosferën dhe gjallërinë që me jepte shkolla. Por nuk kisha tjetër zgjidhje, ndaj dhe u fejova për të mos i lë në shkak komunitetit ku unë banoja, të bënin thashetheme rreth meje”, shprehet ajo.
Varfëria emërues i përbashkët
Për Mirën, vajzën 17 vjeçare, nuk ishte pengesë vetëm mentaliteti.
“Në këto kushte ku jemi, e kam të pamundur ta dërgoj në shkollë, sepse duhet të kujdeset për bagëtitë që kemi,” thotë babai i vajzës, ndërsa pohon se ka trokitur në dyert e bashkisë ku janë banorë, por askush nuk e ka marrë në konsideratë rastin e tyre.
“Unë kam nevojë për ndihmë ekonomike, asistencë, kam katër fëmijë, jetesa është e vështirët, me vështirësi i paguajmë edhe dritat, jam i zhytur në borxhe. Unë e kam mendjen si t’u siguroj një copë bukë për të ngrenë, jo ta çoj në shkollë, prandaj dhe kam marrë rrugët e kurbetit” përfundon ai.
Sipas të dhënave të fundit të bëra publike nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, MASR vetëm gjatë viti shkollor 2016-2017, 1881 nxënës ose 0.5% e numrit të nxënësve të regjistruar në arsimin e detyrueshëm raportoheshin se kanë braktisur shkollën. Në vitin shkollor 2017-2018, MASR raportoi se lanë arsimin e detyrueshëm, 1540 nxënës, ndërsa përgjatë vitin shkollor 2018-2019 ky numër ishte 1602 të mitur që lanë arsimin e detyruar
Ekspertët paralajmërojnë se shifrat mund të jenë edhe më të larta nga sa raportohen..
Rrethet me numrin më të lartë të braktisjes janë: Korça 2.33%, Dibra 1.33% dhe Kruja 1.21%, ndërkohë që qytete si Vlora, Përmeti, Hasi, Kolonja, Peqini, etj e kanë nivelin e braktisjes gati zero.
Kundra punt
Klara, një vajzë modeste dhe e ndrojtur mban minimum 1-3 libra nëpër duar çdo ditë dhe përpiqet që sadopak ta mbajë botën e saj të lidhur fort mbas librit, dhe kenaqësisë që merr prej tij.
“E lashë shkollën në vitin e dytë të gjimnazit, sepse babai bëri një ndërhyrje në zemër dhe nuk mund të punonte më, kështu që më duhej të kujdesesha unë për babin, në mënyrë që mami të vazhdonte punën e saj,” shprehet ajo.
Klara sot është 22 vjeçe dhe mbas përmirësimit të gjendjes së babai të saj, provoi të aftësohej në profesionin e estetikës, ku tashmë e ka gjetur veten si parukere. Gjatë gjithë kohës, ajo shkon dyer më dyer për të plotësuar nevojat që kanë klientët. Por edhe për këtë Klara na tregon se haset shpesh me paragjykime, sidomos nga të rinjtë dhe të moshuarit që shpesh mundohet t’i evitojë.
“Në shumë raste fillojnë e tallen, që unë ende lexoj libra, kur në të njëjtën kohë që jam në shtëpi dhe kryej profesionin, dhe për këtë ka kritika,” shpjegoi ajo, ndërsa shton se edhe pse nuk e përfundoi shkollën, nuk do të thotë se nuk mund të lexoje.
“Të paktën vëllai ta mbarojnë shkollën”, lutet e reja.
Dhe për ta mbyllur thotë “unë nuk kam çfarë humb nëse lexoj qoftë edhe një libër më shumë ”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.