Ka ndodhur

Acari dhe bora bllokojnë Dibrën, disa zona pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm

Bora dhe ngricat kanë krijuar problemet e para për shkak të temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin prej dy ditësh. Dibra është një ndër zonat që ndodhet nën pushtetin e temperaturave të ulëta dhe pranisë së ngricave në rrugë.

Gjatë natës së mbrëmshme, termometri në qytetin e Peshkopisë ka shënuar vlerën më të ulët -16 gradë nën zero, ndërsa në zonat e thella temperaturat kanë shënuar edhe më shumë.

Për shkak të motit të keq kanë mbetur pa energji elektrike tre Njësi Administrative në Bulqizë, Krasta, Ostreni, Trebishti dhe fshati i Tërnovës.

Zonat e thella të Lurës, Selishtës,Reçit, Luznisë, Sllovës, dhe Kalasë së Dodës janë të izoluara dhe prej 72 orësh një pjesë e tyre janë edhe pa energji elektrike.

Ndërkohë për shkak të ngricave një pjesë e qytetit të Peshkopisë është pa ujë të pijshëm, për shkak se tubacionet kanë ngrirë si pasojë e temperaturave shumë të ulëta.

Njësia Lurë është e bllokuar, nuk lëviz drejt Peshkopisë por vetëm nga Rrësheni, pasi lartësia e borës vjen nga 30 deri në 50 cm. Po kështu ka probleme edhe në njësinë Sllov, Zall-Reç, të cilat janë të bllokuara  nga prezenca e akullit dhe bora.

Ndërsa rruga nacionale nga Peshkopia drejt Tiranës lëvizet pa problem: Kukës-Peshkopi lëvizet vetëm me zinxhir, Ura e Çerenecit-Librazhd lëvizet me zinxhirë. Rruga e Arbrit është e kalueshme.

Gjatë natës ka pasur reshje dëbore edhe në Llogara, në Damës-Memaliaj dhe Hani i Hotit-Tamarë, por nuk ka pasur probleme me qarkullimin e mjeteve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se është punuar gjatë natës me mjete borëpastruese për shpërndarjen e kripës në të gjitha akset nacionale për të evituar ngricat, pasi temperaturat kanë qenë nën 0°C.

ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve, që të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë