Ka ndodhur

Acar në Dibër, ngrin rrjeti i shpërndarjes së ujit të pijshëm

Në ditën më të ftohtë të këtij viti deri tani, termometri në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës ka shënuar -16 gradë. Lëvizjet në qytet janë reduktuar ndjeshëm për shkak të motit të acartë dhe ngricave në rrugë.

Si pasojë e temperaturave shumë të ulëta, ka ngrirë rrjeti i shpërndarjes së ujit të pijshëm dhe pjesa më e madhe e qytetit të Peshkopisë është pa ujë të pijshëm.

Edhe pse disa nga rrugët që lidhin qytetin me qendrat e Njësive Administrative janë të hapura, vijojnë të jenë të bllokuara dhe pa komunikim shumë fshatra në zonat e thella.

Njësia Administrative Lurë është e bllokuar totalisht nga Dibra, ndërsa komunikimin e bën nga Rrësheni.Rrugët nacionale janë të kalueshme pa probleme, pasi kontraktorët kanë kriposur akset.

Përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në aksin Dibër-Librazhd, në segmentin nga Ostreni drejt Steblevës dhe në aksin Peshkopi-Kukës nga Cereni deri në Vasie, pasi ka prezencë bore dhe akulli në rrugë.

Në spitalin Rajonal të Dibrës, gjatë 24 orëve të fundit janë paraqitur 11 raste me lëndime dhe fraktura pasi janë rrëzuar në akull.

Policia rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve të shmangin rrugët problematike, të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët. Temperaturat e ulëta deri në -14 gradë gjatë orëve të natës kanë prekur edhe Korçën dhe Pogradecin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë