Ngjarje

Abuzimi ndaj 15 vjeçares, Besa Shahini: Kemi problem mosraportimin

Pak minuta pasi Partia Demokratike i kërkoi dorëheqjen, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka thyer heshtjen, përmes një qëndrimi në Facebook. Ajo nuk u fokusua konkretisht mbi rastin e fundit ndaj dhunës seksuale të ushtruar nga një roje shkolle ndaj një 15 vjeçareje, por komentoi përgjithshëm masat që ishin marrë deri më tash ndaj rasteve të tilla.

“Jam zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur, të cilin nuk kemi arritur ta parandalojmë…”, shkruan Shahini që në fillim të reagimit.

Ajo sqaron se për secalin rast të zbuluar apo denoncuar, masat kane qënë të menjëhershme.

“Pezullim apo shkarkim nga puna MENJËHERË, e të gjithë stafit e të shkollës të cilët kanë qenë të përfshirë direkt apo indirekt në këto raste (përfshirë drejtues, psikologë apo mësues kujdestar që nuk kanë qenë të përfshirë në rast, por kanë patur për detyrë të kujdesen për mirëqënien e nxënësve);

hetim i thelluar i gjendjes së përgjithshme në shkollë përmes intervistave me nxënës, prindër dhe komunitetin shkollor;

ofrim i shërbimit psiko-social, dhe mbështetje e përgjithshme shkollore dhe pas-shkollore, për viktimat e ngacmimit apo abuzimit”, shkruan ajo. Sipas saj, problemi nuk qëndron tek mosndëshkueshmëria, por te fshehja dhe mosraportimi.

“Qartazi ka kulturë fshehjeje dhe mosraportimi, deri sa bëhet shumë vonë. Kjo është ajo që po synojmë ta ndryshojmë, së paku në shkollë, në hapësirat që do të duhej të ishin të sigurta për të gjithë fëmijët.

Dua të përsëris mesazhin që dhashë ditën e hënë: përgëzoj nxënësit tanë që kanë gjetur kurajon të denoncojnë bullizmin, dhunën apo abuzimin që kanë përjetuar. Kjo është e vetmja mënyrë që të rriturit dhe institucionet të kenë mundësi të dënojnë këtë dhunë dhe të sigurohen që nuk do të ndodhë më në të ardhmen”, shkruan ajo.

Që shkolla të shndërrohet në hapësirë të sigurtë, Shahini tha se, “ne po dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë dhe po trajnojmë ata për adresimin e ndjeshëm te çështjet e ngacmimit dhe abuzimit seksual”.

“Po e përsëris, nuk zgjidhjet kjo çështje vetëm me Kodin Penal. Duhet të ndryshojë gjithë kultura, mënyra se si shoqëria jonë trajton gratë, vajzat, grupet e brishta shoqërore. E gjithë kjo duhet të ndryshojë…”, shkruan ajo.

Një mesazh ajo përcolli edhe për median. “Media luan një rol kyç në këtë mes. Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr! Por, është ky raportim, që është reflektim i kulturës së përgjithshme të trajtimit të kësaj teme të ndjeshme, që na bën të kuptojmë se sa shumë punë kemi për t’u shndërruar në një shoqëri më të mirë, për gratë, për grupet e brishta dhe për fëmijët tanë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë