Drejtësia

Abuzimi me fondet e BE, SPAK sekuestron llogaritë bankare e pasuri të Ilir Beqajt dhe 5 personave të tjerë

Gazeta Si - SPAK ka sekuestruar dhjetëra llogari bankare dhe pasuri të Ilir Beqajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, nën hetim dhe i arrestuar për abuzim me fondet “SASPAC” të BE në Shqipëri.

Në një njoftim të SPAK, thuhet se nën sekuestro janë vendosur edhe 3 automjete.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka sekuestruar 14 323 125 (katërmbëdhjetë milion e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë; 15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro; 42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD;

Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim  si Ilir Beqaj, bashkëpunëtorit të tij Ermal Kurtulaj, dhe ndaj katër personave të tjerë nën hetim.

Sekuestro preventive është vendosur edhe mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k.. Sekuestro preventive po ashtu edhe mbi tre automjete regjistruar në pronësi të personave nën hetim E.K dhe E.M.

“Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara po kryejnë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e këtyre vendimeve. Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë apo për fakte të tjera penale”, - thuhet në njoftimin e SPAK.

Si një person nën hetim për korrupsion, fshehje pasurie, mashtrim dhe shkelje e barazisë në tendera Beqaj mori statusin e të paraburgosurit në muajin korrik dhe për shkak të detyrës që ka mbajtur si drejtor i përgjithshëm i SASPAK.

Përmes kësaj agjencie SPAK dyshon se ish funksionari, bashkë me koordinatorin Ermal Kurtulaj edhe ky në burg si dhe pesë persona të tjerë abuzuan me fondet e Bashkimit Europian duke tjetërsuar destinacionin e tyre.

Automatikisht, masa tjetër ndaj Beqajt që është "detyrim paraqitje" për dosjen e Sterilizimit është bërë nul, pasi ish-ministri gjendet në pamundësi për të dalë para nië oficeri të premteve përsa kohë adresa e tij tanimë dihet.

Beqaj dhe 6 të tjerët akuzohen nga SPAK për korrupsion, mashtrim, fshehje pasurie dhe shkelje të barazisë në tendera.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Beqaj ka abuzuar me fondet europiane si drejtor i Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj, duke kryer prokurime fiktive në bashkëpunim me koordinatorin Ermal Kurtulaj, si dhe ka fshehur pasurinë me deklarata të rreme.

Beqaj dhe bashkëpunëtori i tij Ermal Kurtulaj ndodhen në "arrest me burg", 3 persona të tjerë janë nën masën e sigurisë "arrest shtëpie", ndërsa 2 në masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë