Skandali për abuzimin seksual të një nxënëseje të mitur të shkollës “Rilindja” në Kavajë, duket se është akoma më i thellë.
Nga dëshmia e 14-vjeçares rezulton se drejtuesit e shkollës 9-vjeçare kanë qenë në dijeni të ngjarjes së rëndë, por nuk kanë bërë asnjë hap për ta denoncuar atë.
Faktet tronditëse kanë dalë nga dëshmia e të miturës së përdhunuar nga shokët e shkollës, e cila ka rrëfyer sot për rreth 3 orë në Gjykatën e Durrësit, tmerrin që ka përjetuar për 4 muaj.
Seanca e marrjes në pyetje është ndjekur përmes monitorit edhe nga avokatët mbrojtës të djemve, të cilët ndodhen tashmë pas hekurave.
Me kërkesën e Prokurorisë, gjykata vendosi sigurimin e padisë, pra pyetjen e të dëmtuarës, dëshmia e së cilës do të përdoret si provë në procesin ndaj 8 të akuzuarve, apo personave të tjerë që mund të rezultojnë të implikuar në krimin tronditës.
“Ky veprim hetimor u krye, për të shmangur çdo tentativë të mundshme për kërcënimin e të dëmtuarës, që të tërhiqej nga dëshmia, si dhe për shkak të moshës, traumave që ka kaluar e mitura, që mund t’i zbehte kujtesën. Seanca për pyetjen e 14-vjeçares zgjati rreth 3 orë e gjysmë dhe në disa raste gjykata është detyruar ta ndërpresë atë, pas shqetësimeve të shfaqura nga ana e të abuzuarës”, thuhet në reagimin e gjykatës së Durrësit.
Sipas gjykatës, institucioni arsimor ishte informuar për skandalin dhe për pesë ditë me radhë heshti duke mos denoncuar krimin në polici.
Në vendimin e gjykatës së Durrësit thuhet se, pasi u informua për ngjarjen, mësuesja e thirri 14-vjeçaren dhe i kërkoi t’i fliste për marrëdhënien me një nga djemtë e klasës.
“Në bisedë, vajza i ka rrëfyer asaj se ishte abuzuar seksualisht nga disa prej djemve të shkollës, të cilët e kërcënonin me publikimin e pamjeve filmike, në të cilat shfaqej duke kryer marrëdhënie me të dashurin e saj. Në këto kushte, mësuesja thirri nënën e vajzës dhe në prani të drejtoreshës e psikologes së shkollës, i ka treguar gjithçka kishte ndodhur. Institucioni u mjaftua me kaq. Heshti për ngjarjen, pasi nuk e denoncoi krimin tronditës në polici”, konstaton gjykata.
Ndërkohë Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për drejtorinë arsimore dhe drejtuesit e shkollës, pasi nuk kanë referuar rastin në prokurori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




