Arsim

Abetarja unike/ Shezai Rrokaj: Autorët s’janë thirrur. S’bëhet për 1 vit. Politika të qëndrojë larg fëmijëve

Abetarja unike/ Shezai Rrokaj: Autorët s’janë thirrur. S’bëhet për 1 vit. Politika të qëndrojë larg fëmijëve

Autori i abetares së parë unike që u hartua në 100-vjetorin e pavarësisë, Shezai Rrokaj në një intervistë për Gazetën “Si”, kërkuar që politika të qëndrojë larg fëmijëve. Sipas tij, abetarja unike nuk duhet të politizohet, pasi fëmijëve shqiptarë duhet t’u dhurohet kudo ku ata jetojnë një libër që do t’u vlejë ndër breza.
I pyetur për marrëveshjen e firmosur një ditë më parë në Prishtinë mes ministrive të Arsimit të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, Rrokaj tha se autorët nuk janë thirrur për të diskutuar për abetaren e re të përbashkët që do të dalë në vitin 2022.

Rrokaj thotë se për hartimin e abetares së parë unike të vitit 2012, ku fitues ishin dy shtëpi botuese, “Pegi” nga Shqipëria dhe “Dukagjini” nga Kosova, autorët punuan mbi 5-6 vjet duke studiuar modele të afro 20 abetareve që janë në qarkullim sot në botën perëndimore, botën anglosaksone, gjermane e franceze duke iu përshtatur natyrës së gjuhës shqipe.

Në lidhje me këtë model të parin unik të abetares, autori Shezai Rrokaj tha se abetarja e 2012 i përmbush të gjitha standardet e kërkuara dhe i qëndron kohës.
“Janë bërë studime shumë të thella për këtë produkt, në fushën e psikologjisë, sociologjisë, të traditës shqiptare, të gjeografisë, historisë dhe çdo tekst aty ka domethënie, nuk është marrë rastësisht. Brenda abetares ka tekste për teknologjinë e sotme, ka tekste që lidhen me ëndërrat e fëmijëve, janë tekste ku flitet për figura kombëtare si Skënderbeu dhe Nënë Tereza”, thotë autori Shezai Rrokaj.

Shezai Rrokaj

Por a ka ardhur koha të kemi një dokument më të plotë të abetares që t’u shërbejë jo vetëm fëmijëve në Kosovë e Shqipëri?
Rrokaj thotë se meqë kërkohet një abetare e unifikuar, duhet të bashkëpunojnë të gjitha shtëpitë botuese, ku prurjet më të mira dhe përvojat të bëhen bashkë për krijimin e abetares unike që të realizojë pritshmëritë që nuk mund të realizoheshin në 2012.
Sipas Rrokaj, kjo abetare e re unike duhet të shtrihet në trevat mbarëshqiptare dhe në Maqedoninë e Veriut.
“Përvoja e grumbulluar na jep mundësinë që të gjitha energjitë të konvergojnë, të unifikohen dhe ministritë e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë mund të sugjerojnë unifikimin e të gjitha arritjeve të derisotme me qëllim që përvoja më e mirë të nxjerrë një abetare më të mirë”, tha Rrokaj.

Në lidhje me abetaren e 2012, ai thotë se është dokumenti më i mirë deri më sot që i ka rezistuar dhe i reziston kohës, por mund të ketë variant më të mirë të saj, në përputhje me vullnetin politik.
“Le të bashkohemi dhe të realizojmë një abetare të unifikuar që të ketë një vizion më të gjerë dhe këtu veç unifikimit të prurjeve të shtëpive botuese dhe autorëve të të dyja vendeve, Kosovë e Shqipëri, mund të shikohet përhapja e saj dhe në Medvegjë dhe Bujanovc, si edhe në Ulqin pra në pjesët që i përkasin “Open Balkan”-it të pritshëm, por dhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Diasporë”, thotë profesor Shezai Rrrokaj.
Sipas tij, nisur nga deklarata e ministres Kushi, kjo abetare e re unike mund të digjitalizohet duke qenë në duart e sa më shumë fëmijëve shqiptarë në mbarë botën.

Por a është afati i caktuar nga qeveria, i duhuri për ta pasur këtë dokument gati?
Profesor Shezai Rrokaj thotë se është e pamundur të realizohet një dokument i mirë me të gjitha parametrat e nevojshëm, brenda një viti.
“Nëse është mundësia për të prodhuar një dokument më të mirë jam gati të bashkëpupunoj, por nuk duhet të bëjmë diçka të shpejtë. Duke dashur të heqim vetullat, nxjerrim sytë. Një abetare është një punë e jashtëzakonshme, është një paketë e tërë, fillon që nga fletorja e modeluar ku fëmija ushtrohet, që nga parabetarja, fletorja e punës, abetarja vetë dhe libri i mësuesit, pra është një punë që nuk mund ta bëjë askush, në gjykimin tim, në kaq pak kohë sa është caktuar”, thotë Rrokaj.
Sipas tij, nëse politika do të kërkojë një konvergim të arritjeve më të mira të shtëpive botuese, por të nisësh nga e para hartimin e një pakete të plotë të abetares, është e pamundur.
“Nëse ne do të shesim këto produkte dhe njëherë por vetëm do të ndërrojmë dorë, dihet se çfarë produkti do të dalë”, thotë Rrokaj.

Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ceremonisë së prezantimit të abetares unike në vitin 2012 në Prizren

Në fund të intervistës, jo vetëm si autor prej 30 vitesh por dhe si gjysh, profesor Shezai Rrokaj ka një mesazh për politikanët.
“Unë kam qenë vetë disa vite pjesë e politikës dhe ne e dimë se politikën shpesh e kemi përdorur për pragmatizëm utilitarist të çastit për të zgjidhur çështje. Të mos luajmë përmes politikës me shpirtin e pastër të fëmijëve. Unë jam krijues prej 30 vitesh që punoj në këtë fushë dhe kurrë nuk do të doja që të mbetej abetarja ku unë jam bashkëautor nëse ajo nuk u përgjigjet pritshmërive të mia. Por kurrë nuk do të bëja eksperiment për shkak se i duhet politikës një aureolë 110-vjetshe për të bërë të njëjtën gjë që u bë në Prizren”, thotë në fund të intervistës profesor Shezai Rrokaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë