Histori

Abdikoi nga froni për një grua të divorcuar disa herë, historia e pazakontë e mbretit britanik Eduard VIII

Nga Gazeta Si - Pas njoftimit të Buckingham Palace mbi sëmundjen e Charles III, të gjithë po pyesin se cila do jetë e ardhmja e një mbreti të kurorëzuar në moshën 75-vjeçare (6 maj 2023), pas mbretërimit gati 70-vjeçar të nënës së tij Elizabeth II. Çfarë do të ndodhë nëse përkeqësohet gjendja e tij shëndetësore?

Ka nga ata që po flasin tashmë për abdikim, por kjo është një zgjedhje shumë e rrallë në historinë e monarkisë britanike. Abdikimi i fundit ka ndodhur në vitin 1936, kur mbreti i atëhershëm Eduard VIII hoqi dorë nga kurora për t’u martuar me një grua të zakonshme.

Eduard VIII, ishte sundimtar i Mbretërisë së Bashkuar për më pak se një vit, megjithatë ai mbetet ende sot një figurë shumë e diskutueshme. Mbretërimi shumë i shkurtër i tij ishte i kundërt me atë të Elizabeth II, mbesës së tij, e cila mbretëroi për 7 dekada.

Eduard VIII, që hipi në fron më 20 janar 1936, shkaktoi shumë diskutime në atë kohë për lidhjen e tij dashurore me Wallis Simpson, një amerikane e shtresës së mesme e divorcuar disa herë. Dhe për t’u martuar me të, ai hoqi dorë nga froni më 11 dhjetor të po atij viti, për t’u zëvendësuar nga vëllai i tij më i vogël Alberti, i kurorëzuar si George VI.

I lindur më 23 qershor 1894, djali i madh i familjes monarkike Windsor, Eduard VIII i ardhshëm ishte “Davidi” për të afërmit dhe miqtë. Në atë familje të ftohtë, në venat e së cilës rridhte gjak gjerman, ai konsiderohej si një njeri i pamatur.

Ndërkohë me babanë e tij, George V, familja mbretërore e kishte ruajtur atë shenjtërinë tipike të Epokës Viktoriane. Babai i Davidit nuk toleronte asnjë lëshim ndaj modernitetit.

Ai i urrente mbrëmjet mondane, thonjtë e lyer, gratë që pinin duhan në publik, xhazin, zakonin e fundjavave të kaluara larg shtëpisë. Gjithçka që e donte djali i tij i madh, një frekuentues i rregullt i klubeve të natës.

Por pas vdekjes së babait të tij më 20 janar 1936, ai ishte princi i shkëlqyer që u bë mbret. I premtoi vetes se do të sillte një lloj freskie në atmosferën e zymtë të Buckingham Palace. Zgjodhi emrin Eduard VIII, dhe donte të tregonte menjëherë shenja shkëputje me të kaluarën. Në një nga vendet më tradicionale në botë, donte të prezantonte një stil të ri, midis atij të një mbreti skandinav dhe të një presidenti amerikan. Eduardi vazhdoi të jetonte në rezidencën e tij në Londër, duke e shpërfillur Buckingham Palace.

Dhe ndonëse preferonte të ecte në këmbë si një qytetar normal, detyrohej shpesh të udhëtonte me Daimler-in e familjes. Publikimi i një fotoje, ku shihet duke kaluar rrugën me çadër në një ditë me shi shkaktoi skandal. Ajo foto tregonte dëshirën e tij të madhe për t’u sjellë si një njeri i zakonshëm.

Për më tepër, ky njeri “i zakonshëm” ishte një beqar, një fakt shqetësues për një Windsor. Princi i Uellsit, kishte refuzuar gjithmonë që të krijonte një familje, siç ia kërkonin prindërit e tij, tejet të shqetësuar për të ardhmen e dinastisë. Sjelljes së pahijshme, iu shtua simpatia e tij për regjimet autoritare, veçanërisht ndaj Adolf Hitlerit.

Kjo e shqetësoi jo pak qeverinë angleze. Në fakt, Eduardi VIII pretendonte se merrej personalisht me politikën e jashtme, që zakonisht ishte një kompetencë e qeverisë dhe punoi shumë për të lehtësuar tensionin ndërkombëtar që u krijua pas aventurës së Benito Mussolinit në Etiopi.

Dyshohej se me Davidin në fron, Britania nuk do të luftonte kurrë ndaj Hitlerit. Po për arsye personale, kishte marrë pjesë edhe në Luftën e Parë Botërore, Eduard VIII ishte i bindur se ishte detyra e tij të bënte të gjitha përpjekjet për të parandaluar skenarin ku anglezët dhe gjermanët do të përballeshin sërish në fushën e betejës.

Nga ana tjetër, kryeministri konservator, Stanley Baldwin, së bashku me shumicën e autoriteteve britanike, besonin se një përplasje me Hitlerin ishte e pashmangshme dhe nuk donte që mbreti të ishte pengesë. Që në moshë të re, princi ishte i shqetësuar për kushtet e anglezëve më të varfër, dhe i bëri presion qeverisë të zbatonte një plan të madh strehimi për familjet që nuk punonin.

Për konservatorët, duke vënë në pah dështimet e qeverisë në sferën sociale, mbreti i ardhshëm po afrohej paksa më shumë se ç’duhej me popullin. Trashëgimtari i fronit, shihej vazhdimisht duke biseduar me punëtorët, duke i vizituar ata në miniera dhe industri.

Kjo i dha atij një popullaritet të madh (dhe e bëri antipatik tek qeveria). Për të gjitha këto arsye, kur u bë mbret, duhej të gjendej një pretekst kushtetues për ta detyruar atë të hiqte dorë nga froni. Dhe në krye të asaj që ishte në fakt një komplot kundër Eduard, një ngjarje kjo e paprecedentë në Britaninë e Madhe, ishte kreu i qeverisë Baldwin.

Preteksti u gjet shumë shpejt. Eduardi VIII ishte i vendosur të martohej me Wallis Simpson, një borgjeze amerikane e divorcuar dy herë dhe me shumë histori dashurie. Shumë njerëz menduan se i dominuar nga ajo grua, Eduard u inkurajua nga ajo të kishte një lidhje me Hitlerin.

Kryeministri britanik e kundërshtoi këtë martesë me argumente ligjore dhe fetare. Eduardi nuk mund të martohej me një grua që edhe pse e divorcuar, ishte ende e martuar sipas Kishës Anglikane. Në fakt, martesa e parë e kremtuar me një rit fetar, nuk ishte anuluar dhe për këtë arsye mbetej ende e vlefshme.

Dhe meqë burri i parë i Wallis ishte ende gjallë, Eduardi duhej të konsiderohej një “konkubinë”. Një kusht i papranueshëm për një sovran, që është edhe kreu i Kungimit në Kishën Anglikane. Shumë figura të larta u rreshtuan kundër Eduardit, por një nga ata që këmbënguli më shumë për abdikimin e tij ishte Neville Chamberlain, kryeministër i ardhshëm i vendit, në atë kohë Ministër i Financave.

Në letrat që politikani konservator u dërgonte motrave të tij, ai e përshkruan Wallis Simpson si një grua “tërësisht egoiste dhe një aventuriere të pashpirt“. Letrat zbulojnë edhe formën e presionit që Chamberlain ushtronte mbi mbretin, për ta detyruar atë të hiqte dorë nga froni. Nëse ai do të martohej me Wallis, ai do të ndërpriste financimet për familjen mbretërore. Çuditërisht, një tjetër eksponent konservator u rreshtua në krah të Eduard: Winston Churchill.

Megjithatë, mbështetja e këtij të fundit nuk mjaftoi. Dhe kur sovrani u përball me një zgjedhje (martesën ose fronin) ai zgjodhi të parën, duke abdikuar më 11 dhjetor 1936 në favor të vëllait të tij Albertit që mori emrin e George VI.

Përmes një fjalimi dramatik në radio, Eduardi ua bëri të ditur vendimin e tij popullit britanik. Ai e deklaroi veten të paaftë për të përmbushur detyrat e tij, pa pasur gruan që donte në krah. Davidi dhe Wallis u martuan në Francë, në kështjellën Conde pranë qytetit Tours më 3 qershor 1937.

Që nga ai moment, nisi edhe kalvari për ta. Çifti u refuzua nga familja mbretërore. Edhe pse morën titullin Dukë të Windsorit, ata nuk u lejuan të banonin në kështjellën me të njëjtin emër, dhe u detyruan të bënin një jetë “gati në mërgim”. Në tetor 1937, ata shkuan në Gjermani, ku u pritën me gëzim nga Hitleri dhe udhëheqësit nazistë.

Davidi u shoqërua të vizitonte fabrikat më të mira gjermane, si ato të kompanisë Krupp në Essen dhe kampet e trajnimit të trupave SS. Ai ishte i ftuar nderi në vilën e Hermann Göring  në Karinhall. Ndërsa më 22 tetor, u pritën nga Fyhreri në Berchtesgaden, rezidenca e tij në Alpet bavareze.

Ai udhëtim, konfirmoi miqësinë dhe një pakt të fshehtë midis ish-mbretit dhe Rajhut të Tretë. Në fakt, nuk ishte një mister, që nëse Britania e Madhe do të humbte në Luftën e Dytë Botërore, Hitleri do të kishte dashur të rrëzonte George VI dhe të rivendoste në fron Eduard VIII.

Dokumentacioni politik mbi sovranin që bëri “refuzimin e madh”, ruhet ende në Kështjellën Windsor. Dhe dyshimi për tradhti rëndon ende mbi ish-monarkun, i cili mund t’i ketë transmetuar gjermanëve të dhëna mbi pikat e dobëta të linjës mbrojtëse Maginot në Francë, mbi planet e mbrojtjes belge, dhe mbi pikat e tjera të dobëta të aleatëve.

Pikërisht për shkak të kësaj afërsie të rrezikshme me Hitlerin, Dukët Windsor u izoluan nga qeveria britanike shumë larg Evropës. Ata u dërguan në Bahamas (koloni angleze, në Amerikën Qendrore), ku ish-mbreti u bë guvernator. Çifti u kthye në Evropë pas luftës, duke u vendosur në Paris.

Ata u lejuan të ktheheshin në Britani vetëm në raste të rralla dhe për periudha të shkurtra. Edëard vdiq në kryeqytetin francez më 28 maj 1972. Gruaja e tij, e cila i qëndroi gjithmonë pranë, ndërroi jetë më 24 prill 1986. Ajo që ka mbetur nga historia e tyre është varri i përbashkët në kapelën mbretërore të Kështjellës Windsor dhe bizhutë e Wallis. Rreth njëzet prej tyre u hodhën në ankand në vitin 2010, nga Sotheby's, për shumën marramendëse 12.5 milionë dollarë.

Burimi: Focus. Përshtati në shqip: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë