Editorial

A “u shtyp” Dvorani nga bërrylat Rama-Meta?

gazetasi

Ilir Meta u shfaq më i qetë se zakonisht në konferencën periodike javore për shtyp. Në daljen e shndërruar në traditë për çdo të premte para gazetarëve, që kësaj radhe zgjati rreth gjysmë ore, portretit të tij i mveshi një buzëqeshje thuajse të vazhdueshme.

Qetësia e shfaqur në portret u reflektua edhe në fjalën e Presidentit. Duke i qëndruar “modelit danez”, Meta habiti jo pak me qëndrimin e shkurtër dhe të moderuar në lidhje me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, që një ditë më parë i dha fitoren në betejën me Ardian Dvoranin, duke e larguar këtë të fundit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

LEXO EDHE:
Meta mirëpret largimin e Dvoranit dhe lë një porosi për Ramën në 29-vjetorin e PS-së
Simbolika e videos, Thaçi “krasiti” Kurtin, po Meta kë do të “kositë”?

Presidenti u shfaq në humor dhe me diplomaci iu shmang “kurthit” të pyetjes gazetareske nëse shkarkimi i Dvoranit ishte një dhuratë e Edi Ramës për të. “Kjo pyetje që bëtë ju më bën të mendoj se nëse kjo është e vërtetë, atëherë ky institucion kontrollohet nga mazhoranca. Shpresoj se kjo të mos jetë e vërtetë”, tha ai.

Vendimin e KLGj-së e vlerësoi si të vonuar, por pozitiv dhe një mundësi për t’i rikthyer integritetin reformës në drejtësi…dhe vetëm kaq! Meta nuk shfaqi asnjë shenjë euforie, gëzimi, ndjesie triumfi! Në të tyre u shfaq vetëm me urime…ndoshta me doza ironike! Socialistët i uroi për 29-vjetorin e themelimit të partisë me porosinë e reflektimit për Edi Ramën, ndërsa Bashën e uroi për ditëlindjen e 46-të, me porosinë e përbashkët e “arritjes së të tjera marrëveshjeve” që plotësojnë 15 kushtet e integrimit.

“Ftohtësia” me të cilën Meta interpretoi largimin e Dvoranit tingëlloi e çuditshme. E çuditshme për një njeri, që pas thuajse një viti përplasjesh të ashpra dhe padish e kundërpadish në prokurori, ia kishte dalë mbanë që të largojë nga një rol kyç në zbatimin e reformës në drejtësi njeriun që e akuzonte së drejtonte një strukturë mafioze, pas të cilës qëndronte objektivi i kapjes së Gjykatës Kushtetuese dhe për më tepër që këto përplasje janë bërë edhe objekt i socialistëve në Komisionin Hetimor Parlamentar.

Vetvetiu mund të hamendësohet se vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk e zuri të papërgatitur kreun e shtetit, se ai jo vetëm e priste, por ndoshta edhe e kishte paralajmëruar, se do ta “kosiste” Ardian Dvoranin nga KED, e ka dhënë që në fund të muajit prill.

Dy ditë pasi t’i kërkonte Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vendosë përfundimin e mandatit si anëtar i Gjykatës së Lartë për Ardian Dvoranin, Presidenti publikoi në rrjetet sociale një video, ku shfaqej me korrëse bari në oborrin e shtëpisë së tij dhe shoqëruar me urimin e një fundjave të mbarë për qytetarët, megjithëse ata ishin të izoluar plotësisht për shkak të Covid-19.

Kërkesa e Ilir Metës erdhi në një kohë kur në tavolinën politike po diskutohej jo pak për një afrim mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama. Monika Kryemadhi tha dy ditë më parë se mes tyre nuk kishte afrimitet njerëzor, por vetëm institucional. Pyetja që Gazeta Si ngriti pas kërkesës së beftë ndaj Dvoranit ishte; A ka ndonjë pakt të fshehtë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, që mund të vendosë fatin e tij në krye të KED-së?.

Me vendimin e KLGj-së u vendos fati i Dvoranit në KED, por pyetja e ngritur prej gazetës në ato ditë qëndron ende, por tani e modifikuar: A u “shtyp” Ardian Dvorani nga bërrylat e Metës dhe Edi Ramës?

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë