Zhvendosja e papritur e zyrës së Kadastrës nga Durrësi në Tiranë zyrtarisht thuhet se ka si shkak proceset e tejzgjatura dhe burokracitë në zgjidhjen e rasteve të konflikteve mbi pronësinë. Po zyrtarisht nuk përmendet ndonjë rast se cilat konflikte mbanin peng punën e kësaj Kadastre në këtë qytet.
Të gjitha dosjet dhe arkiva e kësaj Kadastre janë transferuar në Tiranën nën masa të forta sigurie nga Policia e Shtetit, ndërsa sportelet që presin e përcjellin qytetarët janë të vetmet që kanë mbetur hapur. Qytetarët mund të ankohen në këto sportele dhe ankesat e tyre përcillen për shqyrtim në Tiranë.
Jozyrtarisht, Gazetasi.al mëson se shkak i këtij vendimi të beftë e të panjoftuar më parë në asnjë prej kanaleve informuese të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë dosjet e bujshme të konflikteve të pronësisë në bregdet.
Përmasa e abuzimit ndër vite, thonë burimet e gazetasi.al, është e atillë sa përpjekjet e qeverisë për të vënë rregull në Kadastrën e Durrësit dështonin njëra pas tjetrës. “Drejtorët e punonjësit më parë iknin se sa vinin. Askujt nuk ua mbante që të hidhte firma në dokumenta”, thonë burimet.
Skemat e format tjetërsimit, mbivendosjes dhe përvetësimit të paligjshëm të këtyre pronave të lakmuara janë të larmishme. “Që nga mosarkivimi i dokumentacioneve, arkivimi i tyre tjetër për tjetër e deri te ndërhyrja te hartat që nuk përputhen me pronësinë reale në terren”, thonë më tej për Gazetën Si.
Bëhet fjalë për dosje ku janë të mikluar ngushtë interesa të botës së krimit, politikës, drejtësisë e biznesit, që ndër vite kanë përfunduar edhe me viktima. Rasti më i fundit që dyshohet se lidhet me konfliktet e pronësisë në Gjirin e Lalëzit ishte atentati i fillimit të nëntorit të 2019-s ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ku mbeti i vrarë shoferi i tij.
Në janar të këtij viti, SPAK mbylli hetimet për atentatin ndaj prokurorit, të ndodhur në atë që njihet si “Mbikalimi i Shkozetit” në Durrës. Ndaj prokurorit u qëllua më 1 nëntor 2019 teksa po udhëtonte në një automjet me shoferin e tij dhe me shtetasin Landi Muharremi, njohur edhe si “Rrumi” dhe me precedentë të theksuar kriminalë.
Pas këtij atentati, Gazeta “Si” solli materiale ekskluzive përmes të cilave kuptohej qartë se bëhej fjalë për një atentat të stilit mafioz, ku të përfshirë kanë qenë një grup personash. Megjithatë, në përfundim të hetimeve, SPAK mori nën akuzë vetëm dy persona. Bëhet fjalë për Redjan Rrajën dhe Arjol Halilajn.
Dyshime të forta janë se atentati lidhet me pronat në Gjirin e Lalëzit, ku Arjan Ndoja ka hetuar disa përplasje për pronësinë e tyre. Pak javë pas ngjarjes, Gazeta “Si” kontaktoi me anëtarë e grupit të hetimit që konfirmuan në atë kohë se kanë si pistë hetimi kryesore atentatin me motiv zotërimin e pronave në bregdetin e Durrësit dhe se në të kishin marrë pjesë të paktën tre persona.
Tokat e Gjirit të Lalëzit
Por a mund të ketë lidhje atentati me çështjen e tokave në Gjirin e Lalëzit? Gazeta “Si” mëson se prokurorët që prej fillimit kanë pasur dyshime për këtë pistë. Për shkak se prokurori Ndoja dhe “Rrumi” hamendësohet mund të kenë lidhje me disa lëvizjet për pronësi tokash në Gjirin e Lalëzit, SPAK dhe policia zbarkoi edhe në Gjykatën e Durrësit për të parë nëse ka pasur, apo jo procese gjyqësore për një tokë rreth 200 hektarët, për të cilën gjatë betejës gjyqësore ngeli i vrarë pas një atentati me bombë në makinën e tij edhe gjyqtari Skerdilajd Konomi.
Ka dyshime paraprake se të dyja palët kundërshtare që pretendojnë për tokën që njeh një luftë të madhe gjyqësore, gjenden sërish përballë në Gjykatën e Durrësit. Madje ka pasur edhe proces gjyqësor ku kërkohet regjistrimi i dhjetëra hektarëve në favor të njërës palë.
Një burim pranë Gjykatës së Durrësit i tregoi në atë kohë gazetës “Si” se seanca e fundit gjyqësore u zhvillua pikërisht një ditë para atentatit dhe pala e paditur janë të afërm të gjyqtarit të Vlorës. Ky fakt me shumë mundësi mund të shpjegojë se përse në makinën e prokurorit Ndoja gjendej dosja e fotokopjuar e çështjes së tokave, për të cilat ishte angazhuar më herët edhe gjyqtari vlonjat, Skerdilajd Konomi.
“Dosja Konomi në makinën e Ndojës”: E vjedhur nga posta
Ndër dokumentat e gjetura në makinën ku iu bë atenat prokurorit Arjan Ndoja u gjet edhe dosja e pronave të Gjirit të Lalëzit, e vjedhur nga kasaforta e Prokurorisë së Durrësit një vit më parë, si dhe dosja e gjykatësit të vrarë disa vite më parë në Vlorë, Skerdilajd Konomi.
Burimet thanë në atë kohë për Gazetën Si se pista kryesore e hetimit është pikërisht një konflikt për tokat e pretenduar nga familja e viktimës, ku disa kohë më parë është bërë një transaksion i dyshimtë në hipotekën e Durrësit në favor të një organizate kriminale, çka mendohet se ka çuar edhe në konfliktin mes prokurorit dhe drejtuesit të ri të hipotekës që kishte rënë në gjurmët e këtij transaksioni”.
Në vitin 2018 në Prokurorinë e Durrësit ndodhi një grabitje e dokumenteve nga persona të paidentifikuar, të cilët morën serverin, ku dyshohet se ishin dokumente që lidheshin me problemin e pronave në Gjirin e Lalzit.
Drejtori i Postës në Durrës ishte vëllai i Aleksandër Lahos (Landi Muharremi), apo njohur shkurtimisht si “Rrumi” dhe “i forti i Sukthit” dhe personi me precedentë penalë që ndodhej në makinë me prokurorin Ndoja gjatë atentatit. Veç serverit të prokurorisë së Durrësit u vodh dhe posta e prokurorisë, ku dyshohej se dokumentet që ndodheshin aty lidheshin pikërisht me dosjen e pronave. Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari paralajmëronte pas atenatit se në dosje do të dalin të lidhura edhe çështje te tjera, përfshirë edhe vrasjen e gjykatësit, Skerdilajd Konomi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.