Ditën e sotme (2 nëntor) pedagogët kanë lajmëruar fillimin e grevës së urisë por disa prej tyre janë kundra kësaj, duke e cilësuar si një masë ekstreme ndërkohë që burime për Gazetasi.al shprehen se nuk është vendosur akoma nëse do të ketë bojkot apo jo.
Aleksandër Petre, kryetari i Sindikatës së Fakultetit të Shkencave të Natyrës ka thënë për Gazetasi.al se ditën e djeshme fakulteti ka votuar unanimisht kundër grevës së urisë.
“Unë jam kundër edhe si njeri edhe si përfaqësues i Fakultetit të shkencave”, tha Petre duke shtuar se fakulteti ka vendosur që të mbyllin bojkotin duke rifilluar mësimin.
Ai shpjegoi se fakulteti do të vendosë një ditë ku do të kryhet një orë protestë përballë kryeministrisë ose diku tjetër, orar që do të jetë në përputhje me oraret e mësimit në fakultet.
Qazim Lataj, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Universitetit të Tiranës tha për Gazetasi.al se nuk e kanë vendosur akoma nëse do të jenë pjesë e grevës së urisë apo nëse do të zgjedhin një rrugë tjetër proteste.
“Pasditen e sotme do të vendosim nëse do të futemi në grevë urie apo do të ndjekin një mënyrë tjetër proteste. Bojkoti vazhdon”, tha Lataj.
Deri më tani 5 Universitete kanë miratuar rritjen e pagave prej 8% për pedagogët, Universiteti i Tiranës, Mjekësisë, Sporteve, Universiteti bujqësor dhe ai i Politeknikut, ku dhe është njoftuar se do të mbahet greva e urisë, ku gjithashtu dhe kryetari i sindikatës Sandër Kovaçi është pedagog.
Burime për Gazetasi.al pranë Universitetit të Politeknikut thonë se kryetarët e sindikatave të fakulteteve ishin kundër grevës së urisë që e shohin atë si një masë ekstreme por janë disa pedagogë që kanë pranuar të bëhet një grevë urie dhe do të jenë pjesë e saj.
“Shumica e sindikatave të fakulteteve që janë pjesë e Universitetit të Politeknikut janë kundër grevës së urisë por janë vetë pedagogët që duan një grevë urie. Gjithsesi akoma nuk është vendosur përfundimisht nëse do të nisë greva e urisë apo jo”, thanë burimet.
Pedagogët janë futur në javën e tretë të bojkotit dhe ditën e hënë (31 tetor) i dhanë Qeverisë 2 ditë kohë për të kthyer një përgjigje për rritje page me 50% për dy vite.
Por e vetmja përgjigje që kanë marrë kanë qenë një sërë sulmesh nga Kryeministri Edi Rama duke i cilësuar si “të pafe dhe njerëz pa atdhe”.
Në mungesë të një përgjigje konkrete, pedagogët do të mblidhen në orën 16:00 tek Politekniku për të filluar grevën e urisë, të paktën siç është thënë deri më tani zyrtarisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.