Analize

A po marshon Kosova në mënyrë të heshtur drejt zgjedhjeve të reja

Nga Gazeta ‘Si’- Tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, Kosova ndodhet në paralizë institucionale.

Dështimet e Kuvendit për t’u konstituuar nuk përbëjnë më lajm. Sakaq, as kokëfortësia e Kurtit për të mos ndryshuar kandidaten për kryeparlamentare Albulena Haxhiu e cila në sytë e opozitës në Kosovë konsiderohet si “molla e sherrit”.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkojnë nga Kurti që të propozojë dikë tjetër. Ndërkohë, Abdixhiku nga LDK ka deklaruar se partia e tij, nuk do të ketë votë për asnjë kandidat që vjen nga VetëVendosja.

Analisti politik Belgzim Kamberi, vëren për Gazetasi.al se e gjithë kjo krizë në ndërtimin e institucioneve të reja të Kosovës, është politike. Peshën më të madhe të fajit, ia atribuon VetëVendosjes e cila mori numrin më të lartë të deputetëve në këto zgjedhje, përkatësisht 48 të tillë.

“Kjo krizë vjen si produkt i mungesës së vullnetit politik për të krijuar shumicën e nevojshme parlamentare, sidomos nga LVV-ja që ka marrë numrin më të madh të deputetëve së cilës me Kushtetutë i takon e drejta e propozimit të kryetarit të Kuvendit”, thotë ai.

I pyetur nëse votimi i fshehtë, i cili prej disa syresh është konsideruar si zgjidhja e duhur për të dalë nga ky ngërç që mund t’i sigurojë Haxhiut 61 vota, mund të nxjerrë Kosovën nga kriza, Kamberi nuk duket optimist.

Ai thotë për Gazetasi.al se edhe kjo pikë është e varur nga mungesa e marrëveshjes politike, pa të cilën, ai thotë se është vështirë që të sigurohen votat e nevojshme për të proceduar më tej.

Haxhiu, në sytë e opozitës në Kosovë konsiderohet si “molla e sherrit”.

Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me mbështetjen e deputetëve nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Ata argumentojnë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po teton që Haxhiu të zgjidhet me votim të fshehtë, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të marrë një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave të Kosovës të cilat për momentin zhvillohen cdo 48 orë.

Pse Haxhiu konsiderohet mollë sherri për konstituimin e Kuvendit?

Për opozitën në Kosovë, Haxhiu shihet si simbol i dështimit të Qeverisë në mandatin e kaluar katërvjeçar. Ndërkaq, Kurti refuzon ta ndryshojë duke arsyetuar se ajo është deputetja më e votuar në Kuvend, me 125 mijë vota.

“Pesha politike, legjitimiteti i zonjës Albulena Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është i pakontestueshëm”, u tha gazetarëve deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari Lila, disa ditë më herët.

Më i ashpër me këtë kandidaturë është treguar Krasniqi.

“Krejt mandatin e ka pasur me skandale të ndryshme, prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, e deri të ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë”, deklaroi ai.

Aktivisti i LVV-së, Dehari, u gjet i vdekur në një qeli burg në Prizren, në nëntorin e vitin 2016.

Në dhjetorin e vitit 2022, Haxhiu, e cila ishte ministre e Drejtësisë, konfirmoi se mostrat e Deharit ishin zhdukur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ndërkaq,një zhvillim tjetër që shkaktoi polemika ishte dhe buxheti i ndarë nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i cili zbriti nga tetë milionë euro, në më pak se 7 milionë euro.

Megjithatë, disa analistë mendojnë se mospajtimet e partive politike lidhur me emrin e Haxhiut si kryeparlamentare po shfrytëzohen edhe si pretekst nga palët për ta zvarritur më shumë konstituimin e Kuvendit.

Por si mund të zgjidhet kjo nyje politike?

Analistët politikë sugjerojnë se shtegdalje nga situata, do të ishte formimi i një qeverie të qëndrueshme nga LVV-ja, me një nga partitë e mëdha, PDK-në ose LDK-në, gjë e cila është e pamundur.

Marrëveshja për një qeveri të tillë, nuk duket as në horizont, ndërkaq për formimin e një qeverie të brishtë nuk kanë vullnet politik as LVV-ja në njërën anë, dhe as PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja në anën tjetër.

Në këtë mënyrë duket se Kosova po marshon në mënyrë të heshtur drejt zgjedhjeve të reja, të parakohshme.

“Është e qartë që Lëvizja Vetëvendosje as nuk dëshiron ta themelojë vetë Qeverinë dhe as nuk lejon opozitën ta marrë këtë të drejtë, sepse sikur të ishte e kundërta, kjo punë tashmë do të përfundonte.

Ekziston një plan që të shkohet në limitet kushtetuese dhe një ide që të sfidohen të gjitha mundësitë e vonesave, në mënyrë që të krijohet një mjegullnajë, pasi kjo është mënyra e vetme, me të cilën do të mund të realizohej ky plan”, thotë analisti politik Artan Muhaxhiri.

Në këtë rast si zgjidhje e vetme, mund të ngelet vetëm Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, Gjykatës Kushtetuese kanë të drejtë t’i drejtohen Presidenca, Kuvendi i Kosovës dhe Avokati i Popullit.

Në këtë rast, Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar. Si mund të shkohet deri te Gjykata Kushtetuese?

Sipas Muhaxhirit, këtë mund ta bëjë ose presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ose Avokati i Popullit.

Ai thotë se ata e kanë jo vetëm obligim ligjor, por edhe përgjegjësi morale që në bazë të kompetencave të tyre të bëjnë maksimumin për të dalë nga kjo bllokadë.

Pse këtë herë ngërçi institucional mund t’i kushtojë Kosovës më shumë se çdo herë tjetër?

Ndryshe nga rastet e kaluara, ngërçi aktual ka potencialin të kthehet në një krizë me pasoja serioze në fushën e ekonomisë, në një periudhë kur pasiguritë rajonale dhe ndërkombëtare po shtohen me një intensitet të frikshëm.

Banka Botërore, në raportin e saj të fundit “Përshtatja për Rritjen e Qëndrueshme”, paralajmëroi se parashikimi ekonomik për Kosovën mbetet “i ekspozuar ndaj një niveli të lartë të pasigurisë dhe rreziqeve të konsiderueshme.”

Në kontekstin aktual, përveç sfidave të jashtme, Kosova po përjeton edhe presione të brendshme inflacioniste, sipas ekonomistëve.

Në rrethana të tilla, e kombinuar me vonesat në formimin e institucioneve dhe rritjen potenciale të pasigurive globale, mund t’i ulë projeksionet e rritjes ekonomike nga institucionet ndërkombëtare për vitet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë