Ngjarje

A po luhet lojë për ta favorizuar Arta Markun në garën për kryeprokuror

Në Gjykatën e Apelit Administrativ duhej të zhvillohej seanca për padinë e avokatit Lulzim Alushaj, që kundërshton vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e skualifikoi nga gara për kryeprokuror.

Orari i parashikuar ishte 10:30, por seanca nuk është zhvilluar dhe gjasat janë që vendimi i Apelit të zvarritet edhe për disa kohë, duke mbajtur të pezulluara të gjitha procedurat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.

Disa burime i thanë Gazetës “Si” se shkak i shtyrjes së seancës është bërë mungesa gjyqtares Bernina Kondi, njëra nga gjyqtaret e trupës gjykuese. Kondi ka kërkuar shtyrje me argumentin se ka të atin sëmurë.

Lulzim Alushaj dorëzoi padinë në datën 2 tetor, pikërisht në ditën e fundit të parashikuar nga ligji për të ndërmarrë një hap të tillë kundër vendimit skualifikues të KLP-së.

Nga momenti i dorëzimit të padisë, Gjykata e Apelit Administrativ duhej ta shqyrtonte brenda 7 ditësh ankesën e avokatit Lulzim Alushaj. Çfarë ndodhi? Edhe këtu, në limitet e fundit kohore të përcaktuara, pra më 9 tetor dhe po në ditën e 7-të, gjyqtarja relatore e ka kthyer pas padinë për mangësi në dosje.

Ky vendim i ndërmjetëm ngre dyshime mbi ligjshmërinë e tij, pasi tejkalohet afati i shqyrtimit të kësaj padie me një javë. Gjithsesi, nga kjo shtyrje, avokatit Lulzim Alushaj i jepej kohë që të plotësonte dosjen dhe brenda 7 ditëve të tjera të zhvillohej seanca. Tashmë, sërish në limitet e kohore që kanë përcaktuar rregullat, njëra prej gjyqtareve ka kërkuar shtyrjen e seancës me argumentin se kishte babain sëmurë.

Mungesa e një vendimi nga Apeli Administrativ zvarrit procesin e renditjes së kandidatëve për mandatin 7-vjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm, ndaj të gjitha këto veprime e vendime të shtyjnë të mendosh se Gjykata e Apelit Administrativ është përfshirë në skenarin e KLP-së, që emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm të vonohet sa më shumë.

Kujt i intereson kjo shtyrje?

Kandidatura të konfirmuara janë ato të Olsian Çelës, Arta Markut dhe Fatjona Memçajt. KLP duhet të rendisë kandidaturat dhe të dorëzojë në Kuvend listën emërore. Sipas ndryshimeve të Kushtetutës në kuadër të reformës në drejtësi, renditja mund të përcaktojë edhe prokurorin e ri të Përgjithshëm, pasi nëse brenda 30 ditëve Parlamenti nuk bën dot 84 vota për të zgjedhur një emër nga lista në fjalë, kandidati i renditur i pari nga KLP emërohet automatikisht kryeprokuror.

Renditjes duhet t’i paraprijë miratimi e metodologjisë, nga e cila do të vlerësoheshin kandidatët. Por, ky miratim u shty pa afat, pasi ish-këshilltari i Arta Markut, anëtar në KLP, kërkoi të njihej me aktet. Edhe pse kjo kërkesë u pa si justifikim për të mos realizuar mbledhjen, anëtarët e tjerë ia plotësuan dëshirën dhe nuk e miratuan metodologjinë e pikëzimit.

Vlerësimi i kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm kryhet sipas neneve 6, 7, 8 dhe 9 të rregullores së miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të botuar në Fletoren Zyrtare më 28 mars të këtij viti. Neni 6-të përcakton vlerësimin e integritetit profesional në pesë kritere.

Neni 6 i Rregullores së miratuar nga KLP për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Gazeta Si, 16 tetor 2019

Olsian Çelaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Ai ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, madje nga 2008-2012 e ka drejtuar këtë institucion.

Ai ka marrë pjesë si ekspert në hartimin e paketës ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, ndërsa në të shkuarën ka qenë anëtar i Bordit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës dhe i Këshillit të Prokurorisë.

Kandidatja tjetër, Fatjona Memçaj pikën e fortë ka studimet akademike, ku veç Shkollës së Magjistraturës të përfunduar në Tiranë në vitin 2002, zotëron edhe një diplomë Master nga “East London University” dhe ka mbrojtur doktoraturën në “Middlesex London University”. Aktualisht ajo është edhe anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, e zgjedhur nga radhët e gjykatave të Apelit me mandatin që i përfundon në fund të këtij viti.

Përballë CV-së së këtyre dy kandidaturave, Arta Marku konkurron me përvojën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme të zgjedhur në një proces të tensionuar në seancën e 18 dhjetorit 2017 të Kuvendit të Shqipërisë. Ashtu si Olsian Çelaj dhe Fatjona Memçaj, edhe Arta Marku ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002, ndërsa më pë pas ka punuar si prokurore e Shkodrës dhe si pedagoge e jashtme në Universitetin e Shkodrës.

Pra, nisur nga CV-ja, Arta Marku dukshëm ka një disavantazh të theksuar ndaj Fatjona Memçajt, por sidomos ndaj Olsian Çelajt në katër kriteret e para të përcaktuara në nenin 6 të rregullores së KLP për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Nisur nga kjo, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme shpreson që të marrë pikët maksimale në kriterin e fundit të këtij neni që kanë të bëjë me punime akademike, studime shkencore, shkrime dhe ligjërata profesionale, botime, pjesëmarrje në aktivitete shkencore, pjesëmarrje në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit dhe çdo angazhim tjetër profesional i kandidatit gjatë 5 viteve të fundit në fushën e të drejtës.

Në varësi të angazhimit në këto fusha, kjo pikë përcakton se kandidatët vlerësohen nga një deri në katër pikë në total. Pikët maksimale duket se synon të shfrytëzojë Arta Marku, të cilës statusi i kryeprokurores së Shqipërisë i ka mundësuar pjesëmarrjen në disa konferenca, vendore dhe ndërkombëtare, e fundit prej të cilave pak ditë më parë Paris, ku ishte e pranishme në Konferencën Vjetore të rrjetit të Prokurorëve të Përgjithshëm të Bashkimit Europian, megjithëse Shqipëria nuk është ende një vend i BE-së.

Veç Parisit, Arta Marku në muajt e fundit ka marrë pjesë edhe në tryeza të tjera pune, konsultimi, konferenca dhe samite me tematikë drejtësinë dhe luftën kundër krimit, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, përkundër dy rivalëve të saj.

Si përfundim, shtyrja e procesit të zgjedhjes së kryeprokurorit të ri çon ujë vetëm tek mulliri i Arta Markut duke i shtuar asaj pikë tek kriteri i përvojës si drejtuese e Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe duke i mundësuar që këtë periudhë ta shfrytëzojë për pjesëmarrje në të tjera konferenca dhe aktivitete, ku konkurrentët e tjerë duket se nuk kanë luksin të shkojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë