Mentor Kasa – “Nëse ne do të kishim paratë, do të kishim bërë diçka ndryshe. Por gjërat ishin vendosur më parë. Nuk është e lehtë për ne”.
Me këto fjalë, citohej kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj në një artikull të “Christian Science Monitor”. Në shkrimin në fjalë, autori vinte re ngjashmërinë e madhe të Xhamisë së Namazgjasë me stilin e xhamive turke.
Ngjashmëria nuk mund të shmangej, pasi ajo është një prej investimeve të Turqisë në Shqipëri. Kur nisi puna për ndërtimin e saj, në maj të 2015, në Tiranë ishte vetë Recep Taip Erdogan. Në atë kohë u tha se kjo xhami do të ishte gati në më pak se 3 vite dhe Presidenti turk do të rikthehej për ta përuruar.
Por, sot kur kanë kaluar më shumë se tre vjet, xhamia që do të jetë më e madhja në Ballkan nuk është hapur ende, ndërsa qarkullojnë zëra se hapja e saj lidhet me kushtin e Erdogan për largimin e Bruçajt nga kreu i KMSH-së.
Prej disa kohësh në median turke dhe më pas në atë shqiptare kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj akuzohet si “gylenist” dhe ka disa zëra që thonë se Ankaraja po kushtëzon përurimin e Xhamisë së Namazgjasë me largimin e Bruçajt nga KMSH. Ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu me një gjuhë diplomatike e përjashtoi këtë.
“Është duke përfunduar ndërtimi i xhamisë. Kanë mbetur disa detaje dhe vazhdojnë punimet. Kur japim ndihma të tilla marrim me vëmendje kërkesat e vendit pritës dhe nuk kemi synime të tjera”, deklaroi ai.
Ditmir Bushati u tregua më i drejtpërdrejtë. Ai i quajti spekulime, kujtoi parimin e laicitetit të shtetit shqiptar dhe të papranueshme ndërhyrjen tek institucionet fetare, edhe kur ajo mund të vijë nga vende mike, siç është Turqia.
“Qëndrim i njohur që ka të bëjë me ADN e kombit shqiptar, laicitetin që është parimi udhërrëfyes dhe do të ishte absurde që të mendohej që shteti shqiptar mund të përfshihet në çështje fetare, e jo më një vend i huaj, qoftë një vend mik siç është Turqia.
Vetë Bruçaj ka dalë disa herë në media për të komentuar zërat që lidhin hapjen e xhamisë së re me largimin e tij nga posti që mban.
“Punimet po ecin mirë dhe po punohet shumë brenda xhamisë sepse ka detaje, nuk është thjeshtë një xhami. Është një kompleks dhe aty do të kemi bibliotekën më të madhe. Shumë ambiente do të jenë për qytetarët në këtë xhami”, deklaroi ai në qershor për emisionin Wake UP.
Po në qershor, akuzave si “gylenist” iu përgjigj duke u rikthyer pas në kohë, në ditët kur Shqipëria ishte një vend ateist me ligj.
“Kam qenë në klasë të shtatë ose të tetë, në kohën e komunizmit në fshatin tim. Mësuesi i Gjuhë-Letërsisë, që vinte nga qyteti bëri një konkurs poezie. Unë dola i pari dhe e mori poezinë dhe e vendosi në tabelën e të dalluarve. Shokët e panë dhe më thanë hajde se të kanë vendosur poezinë tek tabela. U mblodhëm aty dhe në një moment vjen një nga drejtuesit e shkollës dhe e gris poezinë. Më pas, drejtuesi i thotë mësuesit, po ti nuk e njeh kush është ky? Ky është djali i kulakut. Shkova i thashë babait, pse jemi kulakë dhe më tha, se kështu do partia. Sikur të ishte babai gjallë do më pyeste pse të quajnë gylenist, do t’i thoja se kështu e do partia o babi, nuk do të kisha përgjigje tjetër për këtë”, deklaronte Skënder Bruçaj për Real Story në muajin qershor.
Në këtë intervistë ai paralajmëron se ndërhyrja politike në çështjet fetare minon bashkëjetesën fetare në Shqipëri.
“Nëse do të ketë ndërhyrje konkrete në punët e brendshme të institucioneve fetare, do të ketë ndërhyrje në përdorimin e udhëheqësve fetarë për të fituar pushtet politik, do të ishte një humbje shumë e madhe dhe ndikim negativ në bashkëjetesën fetare. Nuk më duket normale që kreu i një shteti tjetër të ndërhyjë në çështjet e brendshme të një institucioni fetar në një vend tjetër”, tha Bruçaj.
Në intervistën për Wake Up ai tha se xhamia e re nuk po ndërtohet me paratë e qeverisë turke, por me paratë e popullit turk.
“Historiku i xhamisë nuk është i tanishëm. Kërkesa e parë daton në vitin 1938, pastaj në 1993 u bë një marrëveshje me Komunitetin Mysliman të Turqisë dhe që atëherë, nuk është një xhami që ndërtohet me paratë e qeverisë turke, por me paratë e myslimanëve turq, një pjesë e të cilëve janë edhe me origjinë shqiptare”, deklaroi ai.
Bruçaj kërkoi që Turqia të mos eksportojë në Shqipëri problemet e brendshme të saj politiko-fetare.
“Hallet që kanë turqit duam që të mos na i sjellin këtu, sepse ne kemi hallet tona dhe po bëjmë përpjekje që t’i tejkalojmë dhe t’i zgjidhim”, vijoi ai.
Gazeta “Si” kontaktoi Komunitetin Mysliman Shqiptar. Zëdhënësi Agron Hoxha nuk tha se nuk ka gjë për të komentuar nga deklarata e Cavusoglu këtë të premte, ndërsa puna për përfundimin e xhamisë vazhdon. Ai thotë se Cavusoglu nuk pati takime në Komunitetin Mysliman Shqiptar dhe se kreu i KMSH-së, Skënder Bruçaj ndodhet në një samit jashtë Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.