Nga Gazeta ‘SI’ – Pa përfunduar mirë sezoni turistik 2024, një debat i ri është hapur për sezonin e ardhshëm.
Udhëzimi i fundit i qeverisë, për menaxhimin e stacioneve të plazhit po kontestohet nga operatorët turistikë, sipas të cilëve nuk i jep zgjidhje problemeve dhe është i paqartë.
Udhëzimi ka dy risi; dhënien e hapësirave për plazh vetëm hoteleve dhe përcaktimin hapësirës për plazh publik 30% të çdo 1 kilometri.
LEXO EDHE:
Si do të ndahen plazhet. Shezllonë vetëm për hotelet!
Kreu i shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi thotë për Gazetasi.al se udhëzimi nuk sqaron shumë detaje dhe nuk rregullon ngërçet e menaxhimit të hapësirës.
“Udhëzimi përcakton se në 1 kilometër plazh, 300 m do të jenë për publikun dhe 700 për privati, kjo është risia. Ka qenë më herët 30/70 por nuk përcaktohej vendndodhja. Pra dikush mund të zinte 10 km dhe e caktonte zonën për plazh publik ku dëshironte, në hapësira të paaksesueshme. Nuk ka sqarime se çfarë do të ndodhë në zonat ku nuk ka vende dhe ka vetëm hotele”, shpjegon Topuzi.
Ai tregon se udhëzimi nuk është konsultuar me asnjë grup interesi, të cilët kanë propozuar raportin 50/50 si Greqia dhe Italia, për të mos e kthyer plazhin në një “monopol”.
“Ne pretenduam të bëhej 50/50 si në Greqi që sapo ribëri ligjin. Duhet t’i japim mundësi dhe skalionit të dytë e të tretë se ke 270 mijë shtretër dhe vetëm 60 mijë janë hotele, vetëm 20%. Ke lejuar apartamentet dhe vilat, s’kanë të drejtë ata të shkojnë në plazh? 50/50 i jep mundësi edhe subjekteve të tjera të përdorin plazhin, nuk do e bëjmë monopol. Është diskutim për plazh publik!”, shprehet kreu i Tur-Operatorëve.
Këtë shqetësim e konfirmon edhe kreu i shoqatës për Operatorët e Jugut, Vasil Bedinaj, i cili thotë se për hapësirat e pakëta që Shqipëria ka, duhet patjetër raporti 50/50 publik-privat.
“70/30 jemi njësoj si ky vit. Arsyet pse duhet ta lënë përsëri kështu, ata e dinë. Nëse fusim dhe korrupsionin raporti shkon 90/10”, ironizon Bedinaj.
Një tjetër shqetësim i këtij sektori është aftësia menaxhuese e pushtetit lokal.
“Bashkitë dhe komunat nuk do të kenë aftësi për të menaxhuar hapësirën publike. Çdo 1 kilometër nuk e menaxhojnë dot, duhen struktura më vete, bashkitë dhe komunat e kanë pasur plazhin dhe kanë dështuar. Kjo ne na tremb; a do të arrijnë dot? Ata nuk mbajnë dot pastër territorin, ndërsa aty do të ketë shezllone e dhoma, se do të vendosin dhe shezllone e do t’i japin me çmime minimale”, sqaron Topuzi.
Ai thekson se në 2025-n nuk do të ndjehen ndryshime, pasi ka subjekte që kanë kontrata aktive edhe për vitin e ardhshëm.
50/50, Rasti i Greqisë
Sipas ligjit që u prezantua para verës, 50% e plazhit duhet të jetë publik dhe plazhi privat nuk mund të kalojë hapësirën 500 m .
Plazhet me përmasa më pak se 4 metra në gjerësi ose gjatësi ose me një sipërfaqe totale prej 150 m2 do të dalin në ankand.
Gjithashtu, do të krijohet një platformë online ku palët e interesuara mund të aplikojnë për ankandet e përdorimit të vijës bregdetare për të siguruar procedura transparente; një dispozitë e re për “plazhet e paprekura” nuk do të lejojë çadra dhe shezllone në plazhet e virgjëra; do të ketë rregulla më të rrepta në lidhje me menaxhimin e plazheve për të siguruar akses të lirë të publikut.
Qëllimi, tha ministri grek i Ekonomisë dhe Financave, Kostis Hatzidakis, është të sigurojë akses të lirë në plazhe për publikun, të mbrojë plazhet dhe mjedisin e vendit, të kontribuojë në përmirësimin e produktit turistik të vendit dhe të mbrojë interesin publik,
Sipas legjislacionit të ri, shkeljet në lidhje me aksesin në plazhet publike do të penalizohen me gjoba deri në 60.000 euro.
Paralajmërimi i Ramës
Në podkastin e tij të 14 shtatorit, kryeministri Edi Rama njoftoi të gjitha ndryshimet që do të miratoheshin një muaj më vonë, nga lejet vetëm për hotelet tek kapacitetet.
“Përveçse se ata kanë hotele nuk mund të jepen më leje plazhesh për të ardhur një individ, një person juridik apo fizik, për të thënë dua këtë plazhin këtu do të vë beach bar e do të vë shezllone. Mund të vësh beach bar por nuk ke shezllone. Mund të kesh restorant por nuk ke shezllone. Plazhi duhet shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe shijimi i plazhit mes atyre krevateve të ngjitur me njëri tjetrin është e pamundur. Nuk mund të kesh një hotel me 40 dhoma dhe të vesh 200 shezllone e të marrësh popull aty e t’i detyrosh të paguajnë. Do të vësh shezllone për aq sa ke kapacitet! Natyrisht jo një për dhomë, dhe do të lësh distancë nga shezlloni në shezllon.
Nuk mund t’i çosh shezllonet deri në breg, që njerëzit kur duan të kalojnë në breg ta kenë të pamundur ose të bien me not ose të dalin nga rruga e të mallkojnë veten që erdhën në plazh.
Kreu i qeverisë sqaroi se hapësira publike do të menaxhohet nga bashkitë e qyteteve, të cilat do të vendosin një çmim tavan të detyruar.
“Do ta fillojmë me bashkitë, që bashkitë të marrin hapësira e të vendosin bashkitë çadra. Aty ku është e arsyeshme e shezlloneve, por me çmim tavan të detyruar. Është e rëndësishme që dy pensionistë të kenë mundësi të shkojnë në Vlorë, Velipojë, apo Shëngjin të shkojnë e të rrinë me një çmim shumë të arsyeshëm. Të kenë mundësi njerëzit të rrinë me çadrat e tyre, dhe ata të paguajnë një shumë minimale. Nuk mund ti mbyllim derën e turistëve me çantë në krah por duhet të kombinojmë shumë gjëra” tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.