Mendim

A po e zëvendëson ChatGPT rolin e pedagogut?

Nga Gazeta “SI” – Pedagogët e universiteteve duken sikur nuk kanë më të njëjtin rol si dikur, pasi gjithnjë e më shumë studentë po i drejtohen ChatGPT-së për të kërkuar informacione bazike mbi lëndë të ndryshme, si dhe për të ndërtuar e krijuar ese akademike apo edhe tema diplomash.

Shembulli i lëndës “Diplomacia Publike”, pjesë e fushës së studimit të komunikimit, ku me vetëm një kërkim të thjeshtë në ChatGPT mund të merren burimet kryesore të lëndës dhe shtjellime mbresëlënëse, nuk është i vetmi rast. Në ChatGPT, studentët mund të gjejnë informacione për pothuajse çdo temë, burime të cilat deri dje i merrnin vetëm nga tekstet akademike ose nga shpjegimi i pedagogut.

Pyetja që lind është: deri ku shkon ky ndikim dhe a e rrezikon realisht rolin e pedagogut?

1 në 3 nxënës të moshave 12–17 vjeç kanë përdorur ChatGPT për detyra shkollore, dhe gati gjysma e tyre e përdor pa udhëzime të qarta. 

Një sondazh global zbuloi se rreth 82% e profesorëve universitarë janë të vetëdijshëm për ChatGPT dhe më shumë se 70% shqetësohen për ndikimin në mashtrim akademik. 

Rreth 87% e studentëve përdorin AI për detyra akademike, dhe 90% e përdorin AI për detyra të tjera të jetës, sipas një studimi të fundit, por vetëm 34% ndihen të sigurt se e përdorin teknologjinë në mënyrë etike.   Studimet tregojnë gjithashtu se universitetet shpesh nuk kanë politika të qarta rreth përdorimit të AI-së, ndërsa vetëm rreth 24–28% e institucioneve kanë udhëzime të qarta për përdorimin e ChatGPT. 

Miranda Çili, pedagoge e shkencave të komunikimit në Tirana Business University, thotë për GazetaSi.al se hyrja e teknologjisë në arsim po dikton role të reja dhe përgjegjësi më të mëdha.

“Përtej debateve rreth dëmeve dhe përfitimeve të mundshme të saj, veçanërisht në fushën e arsimit, inteligjenca artificiale ka hyrë tashmë në procesin mësimor, duke u përdorur gjithnjë e më shumë si asistent digjital nga studentët, por edhe nga vetë pedagogët. Teknologjia është një ndihmesë e madhe për studentët, por edhe për pedagogët, të cilët duhet të përfitojnë nga shumëllojshmëria e burimeve dhe lehtësirave që ChatGPT-ja ofron në hartimin e kurikulave dhe detyrave që kultivojnë te studentët aftësi unike, përtej atyre që ofrojnë makinat.”

Miranda Çili

Sa i përket faktit nëse kjo metodë e re e rrezikon rolin e pedagogut tradicional, Çili vëren se gjithçka varet nga mënyra se si përdoret teknologjia.

“Po jetojmë në një kohë të drejtuar nga teknologjia, ku zhvillimet e fundit po nxisin një revolucion arsimor, duke sfiduar metodat tradicionale të mësimdhënies dhe të nxënies. Siç ka ndodhur shpesh në histori, risitë – si Google apo telefonat celularë – kanë frymëzuar njëkohësisht entuziazëm dhe skepticizëm. I tillë ishte edhe lançimi i ChatGPT-së. Ajo nuk është as e mirë, as e keqe, por mënyra se si ne zgjedhim ta përdorim përcakton nëse do të sjellë përfitime apo dëme.”

Megjithatë, ajo thekson se teknologjia po ndryshon mënyrën e të mësuarit, por jo domosdoshmërisht rolin e pedagogut.

“Fakti që ChatGPT ofron mundësi për të nxitur të nxënit e personalizuar nuk do të thotë që roli ynë bëhet i tepërt. Përkundrazi, na dikton role të reja dhe përgjegjësi më të mëdha. Rezultatet më të mira arrihen përmes një bashkëpunimi efektiv njeri–IA, duke e konsideruar atë si një mjet që shton inteligjencën njerëzore dhe jo si një zëvendësues.”

Nevoja për “prekjen njerëzore” nuk del kurrë nga funksioni

Pedagogia dhe ekspertja e komunikimit Irena Myzqeqari Hoxha shprehet për GazetaSI.al se platformat e inteligjencës artificiale kanë vënë në pikëpyetje nocionin e autentikes.

“Është e vërtetë që inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si merret dija dhe informacioni. Në pamje të parë, duket legjitime pyetja pse duhet shkolla ose pedagogu, kur informacioni mund të merret lehtësisht nga ChatGPT. Por e vërteta është më komplekse. Motorët e kërkimit dhe gjenerimit na japin informacione, por aftësia për t’i përshtatur ato në një kontekst real është ajo që e dallon individin.”

Ajo thekson se dija sot nuk është thjesht informacion, por kuptimi dhe struktura që i jepet atij.

Irena Myzeqari Hoxha

“Roli i pedagogut është pikërisht ai i përkthyesit të informacionit në kontekst. Informacioni gjendet kudo, por kjo e bën të vërtetën më të turbullt. Pedagogu nuk zhduket dhe nuk është në rrezik, sepse ne gjithmonë do të kemi nevojë për prekjen njerëzore, për formimin estetik dhe për lidhjen me realitetin institucional dhe social.”

Në përfundim, Myzqeqari Hoxha thekson se nevoja për njeriun si udhëheqës – në këtë rast pedagogun – do të jetë e përhershme.

“Motorët e kërkimit janë thjesht një tullë më shumë për ta bërë kërkimin më cilësor. Ata nuk mund të zëvendësojnë kurrë një pedagog. Kreativiteti dhe gjykimi njerëzor janë të pazëvendësueshëm.”

Përtej debateve që risitë teknologjike sjellin, pyetja kryesore mbetet nëse njeriu do të arrijë ta komandojë këtë proces apo do të kontrollohet prej tij. Edhe pse trendet aktuale anojnë drejt një varësie të tepruar nga ChatGPT, shpresa mbetet që njeriu të rikthehet te analiza dhe kërkimi individual, në mënyrë që paralajmërimi i famshëm i Ajnshtajnit për një “brez idiotësh” të mos bëhet realitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë