Policia është vënë në kërkim të hajdutëve që për gjithë natën në qetësi dhe pa u shqetësuar kanë vjedhur rreth 500 litra vaj ulliri duke e lënë të zotin e shtëpisë me gisht në gojë. Lajmi bëhet i ditur për Gazetën “Si” nga agjentë të krimeve pranë policisë së Farkës, të cilët po tenojnë të zbulojnë me informata në rrugë operative se cili nga banorët gatuan më shpesh me vaj ulliri. Pas denoncimit, një agjent qëndroi gjatë në fshat dhe takoi edhe informatorët e tij, jo vetëm si sfidë për ta zbardhur çështjen, se sa për zbuluar se cili është destinacioni i 500 litrave vaj. Për këtë, banorët e Petrelës me shumë gjasë janë me veshët lart për të gjetur se cili nga komshinjtë po e tepron duke gatuar me vaj ulliri, apo cili prej tyre befas ka kryer tregti.

Duket e pabesueshme – pohoi burimi jozyrtar i Gazetës “Si”, por ngjarja ka ndodhur në fshatin Petrelë në banesën e denoncuesit me inicialet A.D. Pikërisht ky shtetas kur ka zbritur në katin e parë, aty ku kishte të instaluara mjetet për përpunimin e vajit ka vënë re se dritarja ishte e spostuar. Filimisht i zoti i shtëpisë nuk ka dyshuar, pasi dera kryesore ishte e paprekur dhe e padëmtuar. Po ashtu edhe tubat, pajisjet e përpunimit të ullirit, si dhe dpozitat e mëdha, të pajisura me rubineta e tuba shkarkues me një kapacitet prej pesë tonësh. Por depozita që vazhdonte të kishte vaj, ishte zbrazur e gjitha. Gjithsej sipas pretendimeve të denoncuesit, pesha ishte 500 litra vaj ulliri. Veç boshatisjes së vajit të ullirit për të cilin i zoti i shtëpisë ende nuk i jep drejtim se si është larguar kjo sasi e konsiderueshme, hajdutët kanë përvetësuar edhe 50 metra kavo. “Pasi kontrollova ambjentin, pashë që zgara e dritares ishte hequr, – tregon pronari – e po ashtu edhe xhamat e kanateve”. “Nuk dyshoj tek askush, pasi fabrika është sezonale dhe nuk kishte punëtorë apo të tjerë që hynin brenda”, ka thënë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




