Mendim

A po e shmang Palmer qeverinë shqiptare?

Që nga emërimi i tij në detyrë si i Dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, Methju Palmer është takuar me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përveç qeverisë shqiptare. Ai ka takuar gjatë këtij muaji ministrat e Jashtëm dhe të mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut fqinje, presidentin, kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm malazez, ministrin e Jashtëm të Kosovës, atë të Bosnjës dhe të Serbisë, por asnjë përfaqësues të Tiranës zyrtare. A është kjo thjesht një rastësi, apo një mesazh i diplomatit amerikan për qeverinë shqiptare dhe nëse po, çfarë po përpiqet të thotë Uashingtoni zyrtar?

Mundësia më e mirë e qeverisë shqiptare për t’u takuar me Palmer erdhi më 3 shtator, kur zv/ndihmës Sekretari u takua me ministrat e Jashtëm të të gjitha vendeve të Ballkanit, vetëm disa ditë pasi kishte marrë detyrën nga Shtëpia e Bardhë. Ai ishte i ftuari special në forumin strategjik të Sllovenisë, ku u bë edhe prezantimi i parë i zotit Palmer si i dërguari i posaçëm për vendet e Ballkanit.

Ndërkohë që kryeministri Zoran Zaev kishte dërguar dy ministra për t’u takuar me diplomatin amerikan dhe Kosova ministrin Behgjet Pacolli, Shqipëria ishte e vetmja nga vendet e Ballkanit që nuk është përfaqësuar nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

Mathew Palmer takon Ministrin e Jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov dhe Ministren maqedonase të Mbrojtjes Radmila Sekerinska. Gazeta Si, 21 shtator 2019

Siç ka mësuar Gazeta Si, ai që u dërgua për t’u takuar me Palmer ishte Ambasadori shqiptar në Slloveni, Pëllumb Qazimi, por duke qenë se takimi ishte i nivelit të lartë, ambasadori Qazimi nuk është lejuar të flasë si përfaqësuesi i Tiranës zyrtare në këtë forum strategjik. Palmer mbajti takime të njëpasnjëshme me të gjithë ministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por nuk ka takuar në këtë forum asnjë përfaqësues të palës shqiptare. Gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov dhe Ministren maqedonase të Mbrojtjes Radmila Sekerinska në forumin e mbajtur Bled të Sllovenisë, diplomati amerikan deklaroi se SHBA mbështesin fuqishëm Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Në një mesazh të prerë për të gjitha qeveritë e rajonit, përfshirë edhe atë shqiptare, Palmer do të deklaronte nga Sllovenia se “sundimi i ligjit në Ballkan duhet të funksionojë dhe koha për lojëra politike dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë ka mbaruar”. Edhe pse nuk ishte e pranishme, sigurisht ky mesazh ishte një sinjal i qartë edhe për qeverinë shqiptare, e cila e pa këtë mbledhje si spektatore nga Tirana.

Palmer vizitoi më 10 shtator Malin e Zi, të cilin e cilësoi si vendin më të suksesshëm në rajon.

“Mali i Zi është një shembull dhe vendi më i suksesshëm multi-etnik në rajon dhe nuk është rastësi që unë e vizitoj atë të parin pas marrjes së kësaj detyre”, deklaroi Palmer duke u takuar me Presidentin malazez Milo Gjukanoviç dhe kryeministrin e vendit fqinj Dusko Markoviç.

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer me Presidentin malazez Milo Gjukanoviç, Gazeta Si, 21 shtator 2019

Pavarësisht se diplomacia dhe protokolli kanë rregullat e tyre, qeveria shqiptare mund ta kishte shfrytëzuar këtë vizitë tjetër në rajon të Palmerit. Mbetet ende e paqartë nëse është Palmer ai që po shmang qeverinë shqiptare apo është kjo e fundit ajo që neglizhuar mundësitë për t’u takuar me të.

Në një intervistë me “Zërin e Amerikës” më 19 shtator, Palmer e vuri theksin tek kriza politike në vendin tonë, Gjykata Kushtetuese dhe reforma zgjedhore. Duke dërguar kësaj radhe një mesazh të posaçëm për qytetarët shqiptarë dhe jo për politikën, ai deklaroi se: “aleatët tanë, partnerët tanë janë Shqipëria dhe populli shqiptar. Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme”.

“Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike. Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike”, u shpreh Palmer.

Përfaqësuesi i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin, Mathew Palmer, më 9 prill 2019, me politikanët shqiptarë

Për Agim Neshon, ish-Ambasadorin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, emërimi i Palmer si i dërguar special i Sekretarit të Shtetit Pompeo është një strategji për të çuar deri në fund atë që do të ishte një tjetër arritje historike për Shqipërinë: Reformën në Drejtësi.
Nesho ka deklaruar së fundmi për Gazetën “Si” se kjo reformë është prioritet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Palmer si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit është ai që e mbikëqyr në mënyrë direkte.

Sipas zotit Nesho, amerikanët do të insistojnë në realizimin e reformës në drejtësi se kanë investuar me fonde publike, nëpërmjet taksapaguesve të tyre amerikanë për të cilat japin llogari deri në një. Por a është ngërçi i Reformës në Drejtësi arsyeja përse Palmer nuk është takuar me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare?

Vetë Ambasada Amerikane në Tiranë nuk e ka fshehur zhgënjimin pas lirimit nga akuzat të ish-ministrit te Brendshëm Saimir Tahiri, duke e quajtur një vendim shkurajues. I pyetur nëse forcat politike në Shqipëri po përpiqen ta vonojnë dhe zvarritin Reformën në Drejtësi, as ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB nuk e fsheh shqetësimin.

Ish-ambasadori Agim Nesho, Gazeta Si, 21 shtator 2019

“Sigurisht po dhe kjo jo për shkakun e mospranimit të saj. Reforma në drejtësi u miratua nga parlamenti me 140 vota, me konsensusin maksimal. Problemi qëndron që çdo forcë politike që ka qenë në pushtet në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit ka bërë një reformë në drejtësi me prioritet kontrollin e drejtësisë me militantët e saj. E njëjta gjë ndodh edhe sot, pavarësisht se faktori ndërkombëtar është pjesë e lojës. Forcat politike kontrollojnë njëra-tjetrën, kanë dyshime të arsyeshme dhe përpiqen të arrijnë konsensusin. Kjo e vonon reformën në kohë, por nuk mund të ndalohet të realizohet plotësisht”, shprehet diplomati, për të cilin, Reforma në Drejtësi duhet të tregojë së funksionon dhe se është e besueshme, duke filluar nga qeveritarët e sotëm”, thotë Nessho.

Në disa intervista pas vizitës së tij në Tiranë më 9 prill, Palmer bëri të qartë se të vetmen gjë që SHBA-ja nuk do të negociojë mes qeverisë dhe opozitës është Reforma në Drejtësi. Investimi i shtetit amerikan për këtë reformë, mbështetja e tyre logjistike, por sidomos ajo realizuese, është ndoshta investimi më i madh që SHBA-të kanë bërë për Shqipërinë gjatë periudhës së tranzicionit dhe në këtë pikë, Palmer duket se nuk do të bëjë asnjë lëshim, duan apo nuk duan aktorët politikë në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë