“Inteligjenca njerëzore, është një ndër gjërat më të brishta të natyrës”, shkruante dikur kritiku Neil Postman. “Nuk duhet shumë mund për t’a shpërqendruar, shtypur apo edhe zhdukur”.
Ishte viti 1988, kur një ish-aktor Hollywood-i ishte në Shtëpinë e Bardhë, dhe Postman ishte i shqetësuar për fuqinë që kishin fotot mbi fjalët në mediat amerikane, kulturë e politikë. Televizioni “kufizon mendjen tonë për të konceptuar botën nëpërmjet pamjeve të fragmentuara dhe detyron mediat e tjera të veprojnë njësoj”, argumenton ai në librin e tij ”Conscientious Objections”.
“Shoqëria nuk ka nevojë t’i detyrojë akademikët të largohen për t’i bërë ata të pafuqishëm. S’ka nevojë të djegë libra për t’u siguruar se ato nuk do të lexohen… ka mënyra të tjera për të arritur idiotësinë”.
Ky shkrim i 1988-s duket si profeci në perspektivën e 2024-s.
Këtë muaj, OECD nxorri rezultatet nga një anketë e gjerë: vlerësime personale të aftësive të shkrim-leximit, numërimit dhe zgjidhjes së problemeve të 160,000 të rriturve të moshës 16-65 vjeç në 31 vende dhe ekonomi të ndryshme. Krahasuar me grupin e fundit të vlerësimeve një dekadë më parë, tendencat në aftësitë e shkrim-leximit ishin të habitshme. Treguesi u përmirësua ndjeshëm vetëm në dy vende (Finlanda dhe Danimarka), mbeti e qëndrueshme në 14 dhe ra ndjeshëm në 11, me përkeqësimin më të madh në Kore, Lituani, Zelandën e Re dhe Poloni. Niveli i shkrim-leximit ishte i dobët edhe në mesin e individëve me edukim të lartë. Amerika dhe Singapori kishin problematikat më të mëdha sipas raportit. 30% e amerikanëve kishin një nivel leximi të një 10-vjeccari.
“Është e paimagjinueshme që 1 në 3 persona që ti takon, kanë vështirësi të lexojnë gjëra të thjeshta”, thotë Andreas Schleicher, drejtues i edukimit dhe aftësive në OECD.
Në disa vende, përkeqësimi shpjegohet nga një popullsi në plakje dhe në emigrim, por Schleicher thotë se nuk janë faktorët e vetëm. Hipoteza e tij nuk do ishte surprizë për Postman: që teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si shumë nga ne e konsumojnë informacionin, nga librat e artikujt e gjatë në postime të shkurtra në rrjete sociale.
Në të njëjtën kohë, rrjetet sociale e kanë konfirmuar se të ofrojnë përmbajtje që konfirmojnë qëndrimet tuaja dhe nuk të ofron perspektiva të tjera, dhe këtu duhet të kuptosh e të ndash faktin nga opinioni, të kërkosh mbi paqartësitë dhe vështirësitë, shpjegon Schleicher.
Implikimet për politikën dhe cilësinë e debatit publik janë tashmë të dukshme. Edhe këto ishin parashikuar. Në vitin 2007, shkrimtari Caleb Crain shkroi një artikull të quajtur “Twilight of the Books” në revistën The New Yorker rreth asaj se si mund të duket një kulturë e mundshme pas shkrim-leximit. Në kulturat gojore, shkroi ai, klishetë dhe stereotipet vlerësohen, konflikti dhe thirrja vlerësohen sepse janë të paharrueshme dhe folësit priren të mos korrigjohen sepse “vetëm në një kulturë të shkolluar duhet të llogariten mospërputhjet e së kaluarës. “.
A tingëllon e njohur kjo? Këto tendenca nuk janë të pashmangshme apo të pakthyeshme. Finlanda demonstron potencialin për arsim me cilësi të lartë dhe norma të forta sociale për të mbështetur një popullsi shumë të arsimuar, edhe në një botë ku ekziston TikTok. Anglia tregon ndryshimin që mund të bëjë shkollimi i përmirësuar: atje, aftësia e shkrim-leximit të 16-24-vjeçarëve ishte dukshëm më e mirë se një dekadë më parë. Pyetja nëse AI mund ta lehtësojë apo përkeqësojë problemin është më e ndërlikuar. Sistemet si ChatGPT mund të performojnë mirë në shumë detyra leximi dhe shkrimi: ato mund të analizojnë grupe informacioni dhe ta reduktojnë atë në përmbledhje
Një numër studimesh sugjerojnë se, kur vendosen në vendin e punës, këto mjete mund të rrisin ndjeshëm performancën e punëtorëve me kualifikim më të ulët.
David Autor, një profesor i ekonomisë në MIT, madje ka argumentuar se mjetet e AI mund të mundësojnë më shumë punëtorë të kryejnë role me aftësi më të larta dhe të ndihmojnë në rivendosjen e “zemrës së klasës së mesme të tregut të punës në SHBA”. Por, siç thotë Autor, për të përdorur mirë një mjet për të “niveluar” aftësitë tuaja, ju duhet një bazë e mirë për të filluar.
Në mungesë të kësaj, Schleicher shqetësohet se njerëzit me aftësi të dobëta shkrim-leximi do të bëhen “konsumatorë naivë të përmbajtjeve të parafabrikuara”. Me fjalë të tjera, pa aftësitë tuaja të forta, ka rrugë të shkurtër tek mbështetja në makineri e deri në gjetjen e vetes së varur prej saj.
Shkruar nga Sarah O’Conner, redaktore në Financial Times
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.