Drejtësia

A përgjoi SPAK gjyqtarët? Gjykata Kushtetuese: Nuk kemi pasur asnjë ndikim apo presion nga jashtë!

Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka reaguar zyrtarisht në lidhje me aludimet se SPAK ka vënë nën përgjim njërin prej gjyqtarëve të këtij institucioni, nën dyshimin se mund të jetë tentuar të ndikohet për favorizimin e të pandehurit Pëllumb Gjoka, i cili kishte ankimuar në Kushtetuese për zhvlerësimin e përgjimeve të “Sky ECC”.

Në deklaratën e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se ajo distancohet nga çdo keqinterpretim dhe debat i paargumentuar në media.

Institucioni nënvizon se procesi i vendimmarrjes së tij bazohet ekskluzivisht në parimet dhe procedurat e përcaktuara nga ligji, duke garantuar qëndrueshmërinë dhe korrektësinë e tij.

Kushtetuesja thekson se nuk do që të jetë pjesë e asnjë diskursi mediatik, duke shtuar se, “Gjykata ka shprehur edhe më parë bindjen se ushtrimi i veprimtarisë në një klimë besimi nga kushdo i shërben forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur, ndaj ka ngritur shqetësimin rreth keqinterpretimeve dhe përpjekjeve për ta përfshirë atë në debate të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrje konkrete dhe për të ndërhyrë në pavarësinë e saj”.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata Kushtetuese shkruan se: “Nisur nga debati mediatik i ditëve të fundit, për vënien nën përgjim nga Prokuroria e Posaçme të një gjyqtari kushtetues, që lidhet me ushtrimin e veprimtarisë së tij, konsideron me rëndësi që të sqarojë opinionin publik se në ushtrimin e misionit kushtetues për garantimin e epërsisë së Kushtetutës, ajo udhëhiqet nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në ligjin themelor”, – thuhet në njoftimin për mediat.

Gjykata thekson se “është e vetëdijshme për ndikimin që ka veprimtaria dhe forca e autoritetit të saj ndaj aktorëve politikë dhe institucionalë, ndaj medias, palëve në proces, ashtu edhe ndaj opinionit publik. Për këto arsye, Gjykata ndjek rregullat e transparencës në vendimmarrje, me qëllim krijimin dhe ruajtjen e besimit publik ndaj saj”.

Gjykata ka “shprehur edhe më parë bindjen se ushtrimi i veprimtarisë në një klimë besimi nga kushdo i shërben forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur, ndaj ka ngritur shqetësimin rreth keqinterpretimeve dhe përpjekjeve për ta përfshirë atë në debate të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrje konkrete dhe për të ndërhyrë në pavarësinë e saj.

Kushtetuesja shton se do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj me korrektësi, integritet dhe e pavarur ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm.

“Gjykata, duke pranuar rëndësinë që ka në një shtet të së drejtës ushtrimi i kompetencave të çdo organi publik në respektim të kornizës kushtetuese dhe asaj ligjore, dëshiron të theksojë se ajo, sikundër ka vepruar deri më tani, do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj me korrektësi, integritet dhe e pavarur ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm”.

Rreth 10 ditë pë parë, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha se i janë drejtuar SPAK-ut me një kërkesë për informacion nëse janë të vërteta pretendimet që janë vënë ose jo nën përgjim gjyqtarë të këtij institucioni.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, dyshohet se ka pasur tentativa për të ndikuar për favorizimin e pandehurit të SPAK, Pëllumb Gjoka për të zhbërë rëndësinë e përgjimeve të “Sky ECC”.

Për këtë arsye, gjithnjë sipas burimeve paraprake, prokurori Klodjan Braho, ka vënë në përgjim të paktën një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, avokatë dhe persona të tjerë të përfshirë, ndërsa janë vendosur mjete përgjimi për filmim ose fotografi në vende publike, gjë që ka sjellë reagime të forta që flasin për një skandal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë