Treg

A mundet ChatGPT t’i ‘vrasë’ programuesit – Ethet e frikës kanë mbërritur edhe në Shqipëri

Nga Megi Iskurti - Jo pak kohë pas kureshtjes dhe ekzaltimit të fillimit që shkaktoi ChatGPT, programuesit nisën të ndihen të kërcënuar.

Fakti që ChatGPT mund të shkruante dhe kode kompjuterike në disa gjuhë të ndryshme programimi, nxiti menjëherë polemikat se ky zhvillim i vrullshëm teknologjik do të riformojë tregun e punës. Në këtë rast, me vullnetin e plotë të përdoruesve të tij.

Mania e përdorimit të tij e ka kthyer ChatGPT-në një “vendtakim” edhe të shumë programuesve shqiptarë. Por përpara se të shqetësohen nëse do ju rrezikohet vendi i punës, për momentin ata duket se kanë zgjedhur të shijojnë benefitet e tij.

Një prej tyre, i cili punon për një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri por nuk dëshiron të identifikohet, tregon për Gazetasi.al se thuajse prej një muaji punon vetëm me ChatGPT-në.

“ChatGPT është i aftë që të krijojë kode kompjuterike duke përdorur një sërë gjuhësh programimi që përfshijnë Python, C dhe Javascript, disa nga gjuhët më të përdorura për zhvillimin e një software.

Është një mjet shumë i vlefshëm në dorën e programuesve tani. Nëse më parë më duhej që një error në kod ta detektoja për më shumë se një orë, tani ChatGPT e bën për më pak se dy minuta. Kam një muaj që e përdor dhe më ka lehtësuar shumë punë”, thotë ai për Gazetasi.al ndërsa shton se procesi i gjetjes dhe korrigjimit të gabimeve është shpesh një proces i mundimshëm që kërkon kontrollimin e sasive të mëdha të kodit për të gjetur se çfarë ka shkuar keq.

Një zgjidhje e problemet të kodimit duke përdorur ChatGPT

“ChatGPT jo vetëm që mund ta automatizojë këtë proces por ai gjithashtu mund të shpjegojë se përse kodi nuk ka funksionuar.

Ndonëse ai nuk mund të shkruajë ende kode komplekse siç janë ato që kërkohen për aplikacionet bankare, ChatGPT mendoj që do të bëhet një kodues i aftë brenda dekadës së ardhshme”, vijon më tej ai për Gazetasi.al teksa nuk ngurron të shtojë se ai të ndihmon duke të dhënë përgjigjet e duhura për pyetje të tilla se si duhet të strukturohen të dhënat.

“Që të jemi të qartë, ne ende nuk mund t’i themi ChatGPT-së që të bëjë një platformë e-commerce që është më efektive në shitje se eBay. Për këtë fillimisht duhet të shpenzosh kohë dhe përpjekje për të gjetur se çfarë e bën platformën e eBay kaq të mirë.

Por, duke të sugjeruar se cilat veçori të ndërfaqes duhet të përdorësh, ChatGPT sigurohet që struktura e kodit të mbulojë të gjitha bazat që nevojiten që aplikacioni të kryejë punën ashtu siç duhet”, thotë mandej ai për Gazetasi.al.

Një pjesë e kodit e krijuar nga ChatGPT

I pyetur nëse ndihet i kërcënuar për tregun e punës, ai nuk mohon mundësinë që shumë nga programuesit të zëvendësohen por thekson se ka më shumë gjasa që shumë prej tyre të kthehen në mbikëqyrës.

“Duhen aftësi për të qenë një programues, për të qenë në gjendje që të strukturosh një program, të ndjekësh logjikën dhe të gjenerosh diçka. Programimi është më shumë se kodim.

Ndonjëherë është punë dhe që kërkon kreativitet, sidomos kur ke të bësh me kërkesa të ndryshme klientësh. Unë mendoj që ka më shumë gjasa që programuesit e mirë të kthehen në mbikëqyrës sepse duhet të sigurohesh gjithë kohës që ChatGPT e ka bërë mirë punën e tij.

Ka ende gjëra ChatGPT nuk i bën dot siç është krijimi i ideve origjinale për llojet e aplikacioneve që nevojiten”, mbyll ai për Gazetasi.al.

Në një mendje me të është edhe Denis Saataçiu, pedagog informatike dhe data engineer.

“Ka disa programues që bëjnë vetëm punë mekanike të cilat nuk kanë nevojë për kreativitet dhe inteligjencë superiore të cilët mendoj që do të zëvendësohen. Por megjithatë mendoj që do të jetë vetë programuesi ai që do të vendosë nëse do e lërë veten të rrezikohet apo jo.

Ndonëse është e vështirë ta parashikosh sa shumë do të rrezikohet tregu i punës sepse shkenca evoluon në mënyrë të frikshme, programuesit që bëjnë punë kreative nuk mendoj që do të zëvendësohen. 

Ka klientë që janë të vështirë për t’u kuptuar dhe që kanë kërkesa shumë specifike, në këtë rast do të duhet gjithmonë mendja njerëzore pavarësisht se ChatGPT ka tendencën për të qenë një sistem vetëpërmirësues”, thotë ai për Gazetasi.al ndërsa shton se për momentin është mjet shumë i rëndësishëm që u vjen në ndihmë programuesve.

"Do të jetë vetë programuesi ai që do të vendosë nëse do e lërë veten të rrezikohet apo jo", shprehet Saataçiu

“Mënyra e kërkimit të saj është më e mirë se Google dhe të çon më lehtë drejt zgjidhjes së problemit. Por megjithatë ajo të jep një përgjigjie të kufizuar siç e ka dhënë makina, dhe jo mendja njerëzore”, vijon ai.

Që tregu i punës mos të riformohet nga fillimi, Saataçiu thotë se do të duhet ndërhyrje nga qeveria.

“Duke qenë se ChatGPT sa është nxjerrë në treg, është ende i pastruktuar dhe palegalizuar tamam për momentin. Me shumë mundësi që pak më vonë qeveria do të ndërhyjë për të vendosur disa ligje dhe kritere se çfarë mund të gjenerosh me ChatGPT.

Pra këto kufizime do të ndihmojnë që të mbahet njëfarë trendi punësimi dhe që tregjet të mos luhaten shumë”, thotë ai për Gazetasi.al.

Inxhinieria e shpejtë do të bëhet një aftësi e re e kërkuar në epokën e Inteligjencës Artificiale. Sipas programuesve deri tani është pak por e sigurt që ajo nuk do të “vjedhë” punën e tyre por do të zhvillojë “një racë” të re zhvilluesish.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë