Analize

A mund të mbërrijnë hetimet deri te Vangjush Dako?

Prokuroria e policia e Durrësit bërë të ditur se kanë nxjerrë 17 urdhër-arreste për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit ku u shënuan 51 viktima. Pjesa më e madhe e të arrestuarve dhe të kërkuarve janë ish-zyrtarë të ALUIZNI-t, Kadastrës (Hipotekave), inxhinierë dhe vlerësues të objekteve dhe projektues. Në listën e të arrestuarve figuron edhe një shtetase që ka një studio private projektimi që sipas policisë realizonte projekte false ndërtimi. Hetimet kryesisht janë përqendruar në zonat ku në Durrës pati viktima, por grupi hetimor në një deklaratë e ka vlerësuar se kjo është faza e parë e hetimit. Prokuroria ka nisur hetimet fillimisht për veprat penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Shpërdorimi i detyrës” të parashikuara nga nenet 199/a/3 dhe 248 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë hetimore ka rezultuar se ndaj 17 personave të urdhëruar për t’u ndaluar, ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se kanë konsumuar veprat penale të“Vrasjes me dashje”, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve”,etj, të parashikuara nga nenet 76,79/dh,248,186/3 të Kodit Penal. Hetimet pritet të zgjerohen dhe mund të prekin edhe zyrtarë të tjerë. Por arrestimet deri më tani kanë prekur kryesisht drejtues të institucioneve si Kadastra dhe ALUIZNI, por gjatë kësaj periudhe opozita po i cilëson këto veprime si “cironka”, peshq të vegjël.

Prej ditësh drejtuesit e PD-së po kërkojnë që të hetohet edhe Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku i Durrësit, duke e akuzuar për dhënien e lejeve të ndërtimeve të shumta. “Piramida e krijuar nga Dako firmoste për ndërtimet, shiste beton për ndërtimet, supervizonte ndërtimet, firmoste dhe vuloste për të dhënë financimet. Por Dako është jashtë juridiksionit të prokurorisë, për faktin e thjeshte se është nën juridiksionin e Ramës”, do të ishte deklarata më e fundit e PD-së që kërkonte “kokën” e njeriut që drejtoi Durrësin prej vitit 2007.
Por a mund të mbërrijnë hetimet deri te Dako? Për sa i përket dhënies së lejeve të ndërtimit funksionojnë të paktën disa ligje dhe vendime të qeverisë. Ato janë ligjet “Për Vetëqeverisjen Vendore”, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, ligji për kontrollin dhe disiplinimin e ndërtimeve, si dhe vendimet (VKM), “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” , i ndryshuar pesë herë nga 2015-2017, si dhe vendim i Këshillit Kombëtar të Territorit, “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave që do të ndiqen nga autoritetet e zhvillimit të territorit për shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore”. Kështu në ligjin për “Planifikimin e territorit”, autoritet përgjegjëse janë: Këshilli i Ministrave; Këshilli Kombëtar i Territorit; ministria përgjegjëse për çështjet e planifikimit të territorit. Në nivel qarku: Këshilli i Qarkut. Në nivel bashkie: a) këshilli bashkiak dhe kryetari i Bashkisë.

Mbi bazën e këtij përcaktimi ligjor përgjegjësia i bie jo vetëm Dakos, por edhe këshillave bashkiakë që kanë miratuar lejet e ndërtimit ndër vite. Sipas nenit 29 të këtij ligji, kryetari i Bashkisë është përgjegjës për: vendimmarrjen lidhur me aplikimet për leje zhvillimi dhe leje ndërtimi në territorin administrativ të bashkisë; vlerësimin e respektimit të kërkesave ligjore për punimet e kryera mbi bazën e deklaratës paraprake për kryerje punimesh; dhënien e certifikatës së përdorimit, sipas nenit 42 të këtij ligji, për lejet e ndërtimit të miratuara prej tij.
Derisa të arrijë në këtë shkallë, hetimi ka disa “pengesa” dhe kjo lidhet me disa vlerësime të tjera që përcaktojnë zinxhirin e ndjekjes së punimeve të ndërtimeve, mënyrës së zbatimit dhe të respektimit të lejeve të ndërtimit. Pikërisht pengesa e parë është ligji “Për kontrollin dhe disiplinimin e ndërtimeve”, që shmang shtetin, pasi oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të bëhet për të gjitha llojet e ndërtimeve, me vlerë të preventuar së paku 100 milionë lekë, nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve.

Aktivistë të shoqërisë civile duke protestuar në Durrës. Foto e publikuar nga n/kryetari i PD-së, Edi Paloka. Gazeta Si, 15 dhjetor 2019

Pra, oponenca dhe ndjekja e punimeve ndiqet nga firma ndërtuese, ku privati mund të vendosë mbikëqyrësin e punimeve. Emërimi i kolaudatorit apo i grupit të kolaudimit është detyrë e investitorit, i cili sipas këtij ligji duhet që këtë t'ia komunikojë personit, institucionit që do të merret me kolaudimin dhe seksionit ose zyrës së urbanistikës të rretheve apo bashkive, brenda 30 ditëve nga përfundimi i punimeve të ndërtimit. Vetë investitori do të përcaktojë afatet e zgjatjes së procesit të kolaudimit. E gjithë përgjegjësia bie te zbatuesi i ndërtimeve, kolaudatori, i cili në fund “kopsit” dokumentet për objektin e ndërtuar dhe ua paraqet zyrave të urbanistikës së bashkive, Inspektoriatit të Ndërtimit.
E gjithë kjo “rrëmujë” ligjore të bën të mendosh se përgjegjësia për viktimat e 26 nëntorit nuk mund të kapë “peshqit” e mëdhenj, por ato që në mënyrë figurative opozita i cilëson si “cironka”, në nivelet e dyta dhe të treta të drejtuesve, si dhe në investitorë, inxhinierë, zbatues dhe kolaudatorë. Por a do të ndodhë pikërisht kështu?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë