Analize

Qepja tinëzare e ligjeve, shteti e ka dorëzuar sigurinë e pallateve tek privati

Mentor Kasa & Enkeleid Llanaj-Nga lindja e idesë në kokën e një investitori për të ndërtuar një pallat e deri në momentin që ai u dorëzon çelësat e shtëpive banorëve të parë të këtij pallati, roli i shtetit është krejtësisht pasiv  për të dhënë përgjigje pyetjes:  nëse ky objekt është i sigurt p.sh  nga tërmetet, aq sa është përcaktuar në projekt. Ligjet, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe udhëzimet e veçanta të ministrive ja besojnë ndjekjen dhe mbarëvajtjen e këtij procesi sipas kushteve ligjore, teknike dhe të sigurisë, thuajse tërësisht subjekteve private.

Përcaktimet bazë kryhen nga ligji për kontrollin dhe disiplinimin e ndërtimeve, një ligj i vitit 1998 i përditësuar për herë të fundit në shkurt të 2013. Ky ligj ka si objekt projektimin, mbikëqyrjen, zbatimin dhe kolaudimi i punimeve për objektet. E thënë më thjeshtë, ligji ka në dorë të gjithë zinxhirin e ngritjes së një godine.

Por cilët janë aktorët që përfshihen në ndërtimin e një objekti privat, që nga projektimi e deri tek kolaudimi i tij? Projektuesi zakonisht është vetë ndërtuesi. Ai dorëzon projektin pranë njësive të qeverisjes vendore për të marrë lejen e ndërtimit. Dosja merret dhe analizohet nga institucionet shtetërore nëse përputhet me planin urbanistik apo jo dhe më pas vendos.

Para se të marrë lejen e ndërtimit, sipas përcaktimeve ligjore, ndërtuesi duhet që të dorëzojë edhe emrin e subjektit privat, mbikëqyrës të punimeve, që mund të jetë individ, ose kompani e licencuar nga shteti. Ligji i jep të drejtën ndërtuesit që si mbikëqyrës të caktojë edhe një punonjës të tij, nëse ai është i licencuar si mbikëqyrës.(!!! konflikt interesi)

Pas plotësimit të këtyre kushteve, ndërtuesi mund të nisë ndërtimin e objektit. Puna drejtohet nga inxhinieri zbatues i kompanisë dhe ajo ndiqet që nga thellësia e themeleve dhe bazamentit, deri në vendosjen e tullës së fundit nga mbikëqyrësi i punimeve.

Ky i fundit ngarkohet me ligj që të ndjekë të gjithë procesin e ndërtimit të objektit sipas projektit të miratuar nga organet shtetërore. Ligji e detyron gjithashtu mbikëqyrësin që të denoncojë tek inspektoriatet ndërtimore të bashkive çdo devijim nga projekti, apo moszbatim të kushteve dhe rregullave të sigurisë teknike të tij.

Pasi objekti përmbyllet hallka tjetër është kolaudimi i tij. Edhe në këtë rast, ky proces nuk kryhet nga shteti, por sërish nga privati. Kolaudatorët janë inxhinierë privatë të licencuar nga shteti që përkundrejt një tarife kryejnë kolaudimin e objektit, duke përcaktuar nëse ndërtuesi i është përmbajtur projektit fillestar, përfshirë këtu edhe sigurinëteknike të godinës.

Nëse kolaudatori i jep dritën jeshile, atëherë ndërtuesi merr lejen e shfrytëzimit të objektit. Në të gjithë këtë proces, pra nga projekt-ideja, e deri tek kolaudimi i objektit të ndërtuar strukturat shtetërore kontrollojnë vetëm letrat. Kontrolli në të shumtën e rasteve kryhet në përfundim të procesit, atëherë kur objekti është fakt i kryer dhe për më tepër nuk është ligjërisht shtrëngues.

Bëhet fjalë për oponencën teknike, që kryhet nga Instituti i Ndërtimit. Oponenca teknike sipas përcaktimeve ligjore kryhet vetëm për ndërtime publike e private me vlerë preventive mbi 1 miliard lek të vjetra. Pjesa më e madhe e pallateve e tejkalojnë këtë vlerë dhe sipas ligjit duhet ta kenë këtë oponencë.

Inxhininerët vetë e interpretojnë “oponencën teknike”, që duhet të realizohet mbi projektin e paraqitur, si garancia e fortësisë së objekteve që ndërtohen. Por, vetë oponenca teknike ligjërisht nuk është e detyrueshme, madje në të shumtën e rasteve, sipas asaj që pohojnë pjesa më e madhe e inxhinierëve ndërtues që kontaktoi gazeta “Si” shpërfillet edhe nga vetë bashkitë.

Pra, në të gjithë këtë proces shteti garanton sigurinë e ndërtesave, përfshirë këtu edhe sigurinë sizmike të tyre, vetëm në letra. Në terren, i gjithi ky proces i është besuar privatit, ndaj veç përditësimit të hartës së riskut dhe të Kodit Antisizmik, duke përqafuar Eurokodet, a mos është koha që pas kësaj tragjedie të ndërhyhet në ligjet dhe VKM-të e miratuara ndër vite për t’u dhënë  institucioneve të shteti, apo pushtetit lokal një rol me aktiv dhe përcaktues në sigurinë teknike të çative ku fusim kokën?

Kjo për momentin nuk ndodh, por duhet të ndodhë për të paktën disa arsye fare të qarta: Sipas raporti të fundit të Bashkimit Europian, paratë e mafies në Shqipëri  pastrohen në ndërtim çka do të thotë që fuqia e krimit afërmendsh është mbi fuqinë e çdo inxhinieri apo subjekti privat. Nga ana tjetër Shqipëria raportohet si vendet me korrupsion të lartë dhe të gjerë duke e lënë fare të hapur mundësinë që marrëdhëniet  korruptive të diktojnë që ndërtime në Shqipëri të mund të jenë më pak të sigurta për shkak të shtysës që investitorët  kanë për të ulur kostot.

Megjithëse në një ekonomi tregu të hapur janë forcat e tregut që shtyjnë përpara, siguria publike sado liberale të jetë një qeverisje nuk duhet të mbetet në ndërgjegjen e privatit sic kundër jua treguam. Mbikëqyrësit  apo duksh tjetër mund të mbaj përgjegjësi penale, ndoshta  dhe mund të shkoj në burg për shkak të dëmeve dhe viktimave të shkaktuar në tërmetin e  26 nëntorit, siç po thuhet shpesh këto ditë. Por ai nuk është as i votuar dhe asi zgjedhur nga publiku. Por janë qeverisjet ato që siç duket  nuk kanë prej kohësh as përgjegjësi ligjore ,  e le pastaj as përgjegjësi politike dhe morale.

Oficere te forcave te armatosura, police dhe punonjes te emergjencave civile duke nxjerre nje person te mbetur nen rrenojat e Hotel Miramare, ne Durres, Gazeta “Si” 4 nentor 2019

Nga pyetjet në terren që gazeta “Si” bëri me ekspertët e huaj që po përcaktojnë sa të rrezikshme jo janë banesat e dëmtuara nga tërmeti, mësuam se duhen vetëm 10 minuta kohë mesatarisht për të bërë ekspertizën  e më pas për të dhënë një vendim profesional. Nëse  institucionet  shqiptare do të kishin të paktën një  ekip me 10 vetë  me ato pak pajisje por mjaft të denja siç kishin ekspertët e huaj, për të kontrolluar të 48 mijë ndërtimet aq sa nisën në vitin 2018 në të gjithë Shqipërinë ( sipas INSTAT) atëherë secilit do ti duhen vetëm 3 muaj punë ( llogaritur 8 orë në ditë)  për ti thënë shqiptarëve se ndërtimet e tyre janë të sigurta. Pra as elementi kosto në buxhetin e shtetit nuk qëndron për të shpjeguar se pse shteti ka hequr dorë nga përgjegjësia kushtetuese për t’i garantuara jetën qytetarëve të tij . Kjo qepje tinëzare e ligjit duket se i kanë lënë shqiptarë të paditur se ku duhet ta kthejnë kokën për përgjegjësinë. Ndaj nëse  duhet marrë përgjegjësi duhet se pari të ndërhyhet me ligj. Sepse jeta qytetarit shqiptarë nuk është çështje e ekonomisë së tregut  


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë