Lajme

A mund ta fusë Rama Vlorën në destinacionet shumëngjyrëshe europiane?

Kryeministri Edi Rama duket se nuk lë rast në postimet e tij, pa reklamuar Rilindjen e lagjes së vjetër të Vlorës, ose asaj që njihet si pjesa historike e saj. Në një album me shtëpi e ndërtesa shumëngjyrëshe, ai prezantoi edhe sot ndërhyrjen rrënjësore në këtë pjesë të qytetit bregdetar, e cila për të thënë të vërtetën, kishte arritur një degradim total.
Nga Bashkia e Vlorës që ka ndjekur punimet, kreu i Urbanistikës të këtij institucioni, Erion Hamataj do të deklaronte në janar të këtij viti se “krahas punimeve të rikonstruksionit është kryer edhe prishjea e shtesave anësore dhe në lartësi të objekteve”.
Sipas tij, mirëkuptimi me banorët ka qenë vështirë, por më në fund ata e kanë kuptuar rëndësinë e këtij investimi që do të ndryshojë ekonominë dhe të ardhurat familjare të gjithsecilit.

Qendra historike e Vlorës është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart: rruga “Justin Godard”.
Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.
Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Postën e qytetit.
Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni.
Ngjyrat e forta dominojnë tani fasadat e të paktën 68 objekteve që i janë nënshtruar rikonstruksionit total. Por ashtu si në qytetet e tjera ku “Rilindja Urbane” ka ndërhyrë, pamja në kartolinë është thuajse njësoj: Nuk e merr vesh mirë a je te Pazari i Tiranës, te Pazari i Korcës, apo në Vlorë. Ngjyrat janë njësoj; e njëjta “stampë” , pa marrë ndoshta parasysh traditën dhe historinë e asaj zone. Kjo lagje në Vlorë ngjan me destinacionet e tjera shumëngjyrëshe, kudo nëpër Europë. Por me një ndryshim domethënës: Kudo që të shkosh nëpër qytetet që spikasin me shtëpitë e tyre shumëngjyrëshe, qyteti dhe njerëzit e saj të japin një shpjegim historik apo dicka që lidhet me traditën, se përse janë zgjedhur ngjyrat e shumëllojshme për të dekoruar fasadat e ndërtesave (më poshtë po ju japim disa qytete; për cilindo prej tyre mund të zbuloni se ka një arsye se përse janë shumëngjyrësh).


Po në Vlorë? Si do t’i përgjigjemi një turisti që me naivitet do të pyesë: Ore, pse shtëpitë janë lyer kështu?
Dëshmitë në imazhe historike të para Luftës së Dytë Botërore tregojnë se shtëpitë asokohe shumica ishin të lyera me gëlqere të bardhë. Dhe vetëm tek-tuk të shihte syri ndonjë ngjyrë nëpër fasada.

Sheshi i Pazarit, Vlore (para Luftes se Dyte Boterore)

Qendra historike e Vlores, gjate pushtimit fashist

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë