Mendim

A kështu do të përfundojë bota?!

Duket se të rinjtë, djem dhe vajza, po lodhen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri. Në botën fizike, ata kalojnë më pak kohë së bashku. Në botën digjitale, përpjekjet e tyre për të krijuar lidhje në aplikacionet e takimeve shpesh mbeten në “fazën e bisedës”, për shkak të frikës nga lëndimi apo refuzimi. Dhe në botën politike, duket se po lëvizin drejt drejtimeve krejtësisht të ndryshme. Nga SHBA-ja në Gjermani, nga Koreja e Jugut në Tunizi, kanë hapur hendek ideologjik midis vajzave të reja (më liberale) dhe djemve të rinj (më konservatorë).

Imagjinoni një skenë; të dashurit dhe të dashurat virtualë, të krijuar nga inteligjenca artificiale. Është e vështirë të imagjinohet terren më i përshtatshëm për shfaqjen e chatbot-eve që jetojnë në ekranin tuaj, që nuk lëndojnë apo refuzojnë dhe mund të dizajnohen për të pasqyruar dëshirat tuaja dhe për të mbështetur vlerat tuaja.

Prandaj nuk është befasuese që marrëdhëniet romantike me AI po fillojnë të përhapen. Ndërkohë që ne analizojmë të dhënat për punësimin dhe produktivitetin për të kuptuar nëse AI po rimodelon ekonominë, është e mundur që një rimodelim po ndodh edhe në sferën sociale.

Në vitet e fundit, janë shfaqur shumë platforma për shoqëri me AI, si Replika dhe Character.ai. Një sondazh tek të rriturit amerikanë tregoi se 19% kishin biseduar me një sistem AI që synonte të imitojë një partner romantik, me përqindje më të larta tek të rinjtë (31% tek djemtë dhe 23 % tek vajzat).

Megjithatë, ndërsa të rinjtë amerikanë duket se janë përdoruesit më të etur, kjo nuk është e vërtetë kudo. Në një artikull të titulluar “Pse Amerika krijon të dashura AI dhe Kina krijon të dashur AI”, Zilan Qian, një studiuese në Oxford China Policy Lab, shpjegon se platforma kryesore kineze për shoqëri me AI zakonisht paraqesin karaktere mashkullore në faqet e tyre kryesore. Publiku i synuar nuk janë djemtë të vetmuar në bodrumet e prindërve, thotë ajo, por gratë e arsimuara që jetojnë në qytete, në moshën 25–35 vjeç.

Në Kinë, hendeku midis djemve dhe vajzave ka edhe një komponent gjeografik. Që nga viti 2009, vajzat kanë tejkaluar djemtë në programe universitare dhe pasuniversitare. Si pasojë, ato kanë qenë më të prira të lëvizin në qytete për të gjetur punë, ndërsa djemtë kanë mbetur më shpesh në shtëpi. “Ky grup grash urbane ka qenë target i shumë produkteve,” tha Qian. “E quajnë ekonomia e vetmisë.” Për më tepër, sipas saj, kemi “ngritjen e feminzmit në Kinë, vëmendjen më të madhe të mediave mbi dhunën në familje… dhe diskriminimin e fortë gjinor në vendet e punës. Sipas meje, të gjitha këto i bëjnë gratë të duan të provojnë të paktën një të dashur AI.”

Sa serioze janë këto marrëdhënie është e vështirë të thuhet. Qian thotë se ka shumë postime nga gratë në rrjetet sociale për të dashurit e tyre virtualë, por mund të jetë vetëm një mënyrë për të fituar ndjekës ose vëmendje. Nga ana tjetër, disa mund të duan të fshehin thellësinë e lidhjes së tyre nga frika e gjykimit shoqëror.

Ka arsye të forta për të shqetësuar marrëdhëniet njerëzore me modelet AI. Më e dukshmja: këto janë kompani komerciale që duan të gjenerojnë fitim, gjë që mund të krijojë nxitje për manipulim emocional, duke i bërë përdoruesit të kalojnë më shumë kohë dhe para me shoqëruesit virtualë. Sipas një blogu të publikuar nga Ada Lovelace Institute, një tipar i zakonshëm i abonimeve premium tek shoqëruesit AI është ruajtja e bisedave të mëparshme, me fjalë të tjera, përdoruesit duhet të paguajnë një “tarifë të përsëritur për të mos u harruar nga shoqëruesi i tyre”.

Një rrezik edhe më i madh, sipas meje, është ndikimi i mundshëm mbi marrëdhëniet mes njerëzve. Aplikacionet e takimeve tashmë i kanë mësuar njerëzit të shikojnë partnerin si një produkt online: tundimi është gjithmonë për të vazhduar kërkimin për një “partner më të përsosur”. Kush do të pranojë një njeri të papërsosur kur është mësuar me një chatbot gjithmonë vëmendshëm, që nuk lë çorape në shtëpi?

Në dhjetor, rregullatori kibernetik i Kinës lëshoi rregulla paraprake për të forcuar mbikëqyrjen e AI-ve që simulojnë personalitete njerëzore, duke kërkuar nga ofruesit të paralajmërojnë për përdorim të tepërt dhe të ndërhyjnë në rast të shenjave të varësisë. Qian mendon se qeveria kineze ka një sy të shqetësuar mbi rënien tashmë dramatike të lindjeve. Mund të ketë të drejtë.

Së fundi, kemi dëgjuar shumë nga drejtuesit e teknologjisë për mënyrën se si shpikja e tyre mund të bëhet e vetëdijshme dhe të na shkatërrojë të gjithëve. Por çfarë nëse ndodh diçka tjetër? Ndoshta kështu përfundon bota: jo me një shpërthim, por me një pëshpëritje nga i dashuri juaj AI.

Shkruar nga Sarah O’Connor, reportere e “Financial Times”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë