Nga Megi Iskurti –Nëse përshkon rivierën e jugut këto ditë, është fare e lehtë të dallosh një miks turistësh. Një pjesë e pashqetësuar buzë detit në plazhe të nderur poshtë çadrave në shezllogët e shtrenjtë dhe mes tyre turistë të djersitur, të lodhur dhe në stres në kërkim të një dhome. Është një situatë e ngjashme me një restorant kur ti dëshiron fort të ushqehesh, aty por nuk ka vende të lira.
Ia ke ngulur sytë një tavoline që është e fundit dhe dhe duke bërë pak e nga pak çdo hap drejt saj me frikën se dikush tjetër mund ta zë, mezi po pret të thërrasin kamarierin për të paguar faturën dhe ti më pas ulesh me vrikë ashtu ende me tryezën e papastruar, “fitimtar” se e zure nje vend pas shumë kohë pritje. Dhe me të drejtë ti je heroi.
…
Në Borsh ti je suphero nëse arrin të gjesh një dhomë. Një grup pushuesish në fshatin turistik me vijën më të gjatë bregdetare prej 7 km, orvateshin nëpër fshat për të gjetur një dhome a një hotel të paktën aty, sepse buzë detit, ishin të gjitha të rezervuara.
Ndryshe nga çdo vit tjetër, Borshi këtë vit gëlonte nga turistët, vëmendje që sipas vendasve kishte ardhur dhe pas organizimit të festës “South Outdoor Festival” në vitin 2019, përgatitjet e së cilës kishin nisur që tani për shtatorin.
Disa nga pronarët e hoteleve pohuan për Gazetasi.al se ky vit për ta është dhe më i mirë se viti 2019 i konsideruar si viti më i mirë i turizmit, dhe se i kishin të gjithë dhomat e rezervuara e nuk kishin më hapësira për të pritur turistë të tjerë.
“Dhomat shumica e turistëve i kanë rezervuar që në fund të majit. Vitet e kaluara zakonisht i rezervojnë nga qershori e të tjerë edhe nga korriku, por këtë vit, jo vetëm në hotelin tim por edhe tek kolegët e tjerë, kam dijeni që të gjithë dhomat janë rezervuar me kohë.
Borshit po i jepet shumë vëmendje edhe nga mediat së fundmi dhe turistët janë shtuar më shumë se gjithnjë por shumë prej tyre unë të paktën jam detyruar të mos i mirëpres për shkak sepse nuk kam patur hapësira të tjera për akomodim.”-tha për Gazetasi.al Sokoli, pronar i një hoteli që në fakt ndodhet në mes të fshatit, e jo afër detit.
Nëse deri para ca kohësh njihej për plazhin e virgjër, këtë vit nuk mund të thuash të njëjtën gjë.

Rruga që gjarpëron mes parcelave me ullinj të dërgon drejt detit, atje ku kafenetë, shezllonet e tendat të ndërtuara prej kashte janë të mbushura tashmë jo vetëm me familjarë që kanë fëmijë të vegjël por edhe me shumë të rinj. Disa syresh prej tyre, treguan për Gazetasi.al se plazhin do e bënin në Borsh ndërsa për të fjetur, ishin akomoduar në një shtëpi në Himarë duke qenë se Borshi nuk kishte më asnjë dhomë të lirë.
“Edhe në Himarë dhe mezi e gjetëm. Ishte një shtëpi e mbajtur jo fort mirë, por ishte e vetmja mundësi. Kudo dhomat ishin të zëna. Kemi kërkuar gjithandej.
Dhe të zotët e hoteleve na treguan se përgjithësisht të gjithë kishin rezervuar për më shumë se një javë. Borshi është i bukur dhe deti shumë i mirë.
Më parë nuk vinim këtu sepse ishte më shumë vend për qetësi dhe familjarë, por tani ka vërtetë gjallëri dhe janë hapur disa bar-e shumë interesantë”-tha Enxhi, njëra nga vajzat e grupit.
Por, veç problemit të akomodimit që shumë turistë kishin hasur për shkak se numri i hoteleve atje nuk është shumë i madh, ata ngrinin dhe shqetësimin e infrastrukturës dhe të ujit të pijshëm.
“Borshi mbytet me ujë dhe ujë nuk ka. Përpos kësaj, infrastruktura është copë-copë. Rruga përgjatë gjithë bregdetit është e paasfaltuar dhe të bezdis.
Nuk e kuptoj se si është lënë pasdore gjithë këto vite e po vazhdon të lihet ende edhe pse tani turistët po mësyjnë gjithnjë e më shumë këtu.”-tha për Gazetasi.al Monda, një turiste e cila kishte rreth 10 vite që i kalonte pushimet vetëm atje.
Mandej fushës me ullinj, pas rreth 5 minutave rrugë me makinë ndodhet “Blue Days”, një ndër hotelet më të mirë të zonës, i cili prej më shumë se 10 vitesh operon atje.
I zoti tha për Gazetasi.al se për jugun pandemia shërbeu për mirë. Shqiptarët i kthyen sytë nga bregdeti ynë dhe po kontribuojnë në turizmin shqiptar.
“Akomodimi është e vërtetë që këtë vit ka qenë i vështirë. Nuk kishim kaq shumë pritshmëri në fillim por të gjithë dhomat janë mbushur plot dhe çdo ditë na vijnë turistë që duhet t’i kthejmë mbrapsht e nuk kemi nga t’i orientojmë sepse e dimë që edhe hotelet e tjerë janë plot”.
Në dalje të hotelit, ndodheshin edhe një çift belg me një fëmijë të vogël që sapo kishin ardhur nga Belgjika dhe pasi kishin kërkuar për dhoma në Himarë dhe në Qeparo, ishin nisur drejt Borshit, me shpresën se aty do të mund të gjenin.
“Ne kemi ardhur dje nga Belgjika. Kemi dëgjuar shumë për jugun shqiptar dhe vendosëm të vizitonim por nuk e dinim që do ishte kaq e vështirë të gjeje një dhomë të lirë.
Kudo ishte plot, kemi pyetur thuajse në ccdo hotel por të gjitha ishin të zëna. Mbase ndikon fakti se kemi ardhur në pikun e sezonit. Në këto kushte do lëvizim drejt Ksamilit apo Sarandës. Po shpresojmë që të paktën të gjejmë atje.”
E njëjta situatë përsëritej në të gjithë jugun.
Turistë që kërkonin dhoma, pronarë që detyroheshin t’i kthenin mbrapsht dhe një udhëtim drejt vendit përtej, me shpresën se akomodimi atje ku do të shkonin do të ishte më i lehtë për t’u gjetur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.






