Arsim

A janë kopshtet private të kontrollueshme?

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Fier disa ditë më parë, ku një fëmijë 3-vjeç humbi jetën si pasojë e nië incidenti në ambientet e një kopshti privat, ka shkaktuar reagime në opinionin publik.

Roza, një punonjëse e një salloni estetik në Tiranë e ka regjistruar djalin e saj 2-vjeç në kopësht publik nisur nga një përvojë personale në familjen e saj.

"Edhe ne më parë kemi pasur në fillim dilemën ku do ta regjistronim. Por nisur nga përvoja e punës sē gjyshes së tij nē kopësht privat ku ishin të punësuar edukatore që kishin mbaruar vetëm gjimnazin, vendosëm ta regjistronim në kopështin shtetëror, ndonëse nuk i ka kushtet si në institucionet private. Frika e neglizhencës së stafit jo të kualifikuar dhe mungesa e  kontrolleve e përjashtuam që në fillim idenë e regjistrimit në privat, megjithë kushtet mē tē mira të ambienteve", thotë Rozi.

Ndërsa Arlinda, një nënë e re, arsimtare në një nga shkollat e Tiranës thotë se nuk ka pasur asnjë dyshim por e ka regjistruar fëmijën në kopësht privat.

"Jam e qetë sepse kam të siguruar transportin, brenda çmimit që paguaj në muaj për vajzën. Nuk e di për të tjerët, por unë një nga arsyet pse nuk e regjistrova në kopësht publik ishte pikërisht arsyeja se nuk kisha njeri të ma shoqëronte vajzën, duke qenë se kam një orar pune në disfavor.

Përveç kësaj, jam e kënaqur sepse në grup nuk ka shumë fëmijë sicc ndodh në kopshtet shtetërore", thotë Arlinda për gazetën "SI".

Nëse e pyet për kushtet që ofron sistemi privat, nëna e re të liston një sërë parametrash që më së shumti kanë të bëjnë me ambientin komod, banjot dhe dhomat ku qëndrojnë fëmijët.

Ndërsa për ushqimin apo cilësinë e mësimdhënies nuk ka asnjë ide për diferencën mes kopshtit të vajzës së saj dhe shtetërorit.

Dhe për këto standarde paguan jo pak, por 30 mijë lekë në muaj, kurse në shtet kjo pagesë varion në 18 mijë lekë.

Por a kontrollohen realisht institucionet private, njësoj si ato shtetërore?

I kontaktuar nga Gazeta "Si", një nga ish-drejtuesit e Shërbimit Social, sociologu Gëzim Tushi thotë se në parim zgjerimi i industrisë arsimore në sasi e cilësi i shërben zgjerimit të mundësive të njerëzve për të zgjedhur shërbime cilësore dhe kjo duhet vlerësuar pozitivisht.

Por sipas tij, tregu arsimor duhet të ketë standarde, të higjienës, ushqimit, edukimit, trajtimit të diferencuar të fëmijëve.

"Në Shqipëri, ideja se institucionet private janë më të mirë se shteti është bërë mit dhe kjo e ka nxjerrë jashtë fokusit të kontrollit të institucioneve në lidhje me këto standarde, duke u mjaftuar vetëm me respektimin e kushteve materiale. Dukja e jashtme mbulon thelbin, ndaj në këtë pikë kontrollet e institucioneve përgjegjëse nuk duhet të fokusohen  vetëm tek institucionet arsimore shtetërore,  ato duhet të jenë të barabarta, organet e kanë të normativizuar dy herë në vit të kryejnë kontrolle në thelb. është mungesë përgjegjësie nëse organet e standardizimit nuk realizojnë kontrollet e paralajmëruara dhe të befasishme", thotë sociologu Gëzim Tushi.

Sociologu thotë se nisur nga standardet cilësore që duhet të ofrohen, varet dhe pagesa që paguajnë prindërit në kopshte, ndaj dhe institucionet private kanë një kosto më të lartë.

"Ne kemi standarde ligjore thjesht nuk zbatohen. Nëse shihet e arsyeshme, duhet të rishikohen e të përmirësohen parametrat e vlerësimit të shkallëve të rrezikut", thotë sociologu i njohur”.

Rasti tragjik i Fierit është një rast për të shkundur përgjumjen e institucioneve përgjegjëse, bashkitë dhe ministrinë e Arsimit  por a  do të ndodh. Ngjarja  përfundoi thjesht si një vepër penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë