Njerez

A janë kampet verore në Shqipëri një zgjidhje për fëmijet edhe tani në kohë pandemie

Nga Blerina Goce- Erbli kishte menduar se vera e 2020-ës do të ishte një nga më të mirat që do të kalonte. Ai do të takonte shokët e tij të kampit dhe do të argëtohej e mësonte gjëra të reja. Por nuk ndodhi kështu, sepse tashmë prej muajsh, ai dhe vëllai i tij qëndrojnë brenda në shtëpi për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ky do të ishte viti i katërt që ai do të shkonte në një kamp ditor pa gjumë, ku ka kaluar çdo verë, që kur ishte 7 vjeç.

Për të, ndërsa prindërit punojnë, kampi është vendi ku ndihet shumë mirë dhe tërësisht vetja, ndërkohë që shkëputet nga televizori, i-padi apo telefoni dhe hap veten ndaj mundësive të reja.

 “Jam i mërzitur që gjatë kësaj vere nuk po shkoj në kamp. Është një verë jo dhe aq e bukur sa vitet e tjera dhe mezi po pres, që mami dhe babi të marrin pushimet e të rri pak ditë me ta, ndoshta, të shkojmë diku në plazh”, - thotë 11 vjeçari.

Qendra “Kallz” është një qendër multifunksionale, që zhvillon kampe verore, ndërkohë që është e hapur gjatë gjithë vitit edhe si qendër programesh pas shkolle për fëmijët nga 6-12 vjeç. Por këtë vit është më e kufizuar në aktivitete dhe pjesë e saj janë bërë shumë më pak fëmijë.

 “Pandemia na ka frenuar në aktivitete, siç janë përshembull eskursionet, apo në numrin e fëmijëve të regjistruar, pasi nuk mund të ketë grumbullime të mëdha”, thotë themeluesja dhe drejtuesja e {Kally{, Albana Muçaj.

Për shumë fëmijë, pamundësia për të qenë pjesë e kampeve verore për shkak të pandemisë është në listën e përvojave të humbura dhe shkakton mërzi të madhe.

 Ashtu si Erbli, edhe Rajna, këtë vit nuk ka shkuar në kamp veror. Ajo po qëndron në shtëpi, herë me njërin prind e herë me tjetrin, sipas përshtatjes së orareve të tyre me punët përkatëse.

“Gjatë viteve të tjera kam qenë në kamp veror. Bënim shumë aktivitete me shoqet dhe shokët. Më pëlqen shumë kampi. Bëjmë vizatime, luajmë gjaegjazash e shumë lojëra të tjera. Më vjen keq, që këtë vit po rri në shtëpi.”

Por, në ndryshim nga Erbli dhe Rajna, ka dhe nga ata fëmijë, të cilët vijojnë të shkojnë në kamp edhe gjatë kësaj periudhe.

“Kam një nip të vogël. Është e vështirë ta mbajmë në shtëpi. Është problem i madh. Prindërit vendosën ta çojnë në kamp gjatë paradites, sado që është periudhë pandemie”, -thotë Zana, një grua 65 vjeçare.

Pandemia e COVID-19 ndryshoi jetën tonë të përditshme. Në një situatë pasigurie, mjaft prindër pyesin veten, nëse është e sigurt të dërgojnë fëmijët e tyre në një qendër kujdesi apo kamp veror?!

Sigurisht që vendimi është personal dhe për të vendosur duhet të vihen në peshë nevoja për të punuar e prindërve me shëndetin dhe sigurinë e familjes.

Por, përpara se të marrim një vendim të tillë është mirë të kemi parasysh disa gjëra.

E vërteta është se kampet verore nuk janë thjesht një vend për argëtim dhe çlodhje, por mund të jenë shumë mirë edhe një vend ku fëmijët të mësojnë.

Për më tepër, një pjesë e mirë e këtyre kampeve mund të shërbejnë edhe si vend ku plotësohen njohuritë, në shumë raste të cunguara gjatë këtij viti mësimor, për shkak të kushteve specifike të krijuara nga pandemia dhe para saj, nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Sikur të kishim kampe të ndërtuara në atë mënyrë që të përmbushnin pikërisht mangësitë e sistemit gjatë pandemisë do të kishte qenë gjëja më e mirë. Sivjet kam frikë që edhe mbylljet e pishinave dhe argëtimeve të tjera i cungon edhe më shumë fëmijët. Madje mendoj që sivjet do të ishte e nevojshme të ishin organizuar dhe në shhkolla, kampe enkas për atë që nuk ishte bërë edhe gjatë kohës së pandemisë”, - shprehet Anxhela Çikopano, nëna e një djali dhe një vajze, që i përkasin grupmoshës së fëmijëve që frekuentojnë kampet.

“Krahas programit argëtues, ne kemi futur edhe program edukues përmes lojërave, por edhe disa orë përsëritje mësimore”.,vëren drejtuesja e “Kallz”, Albana Muçaj.

Ajo shpjegon se ka lojëra specifike, që zakonisht bëhen nga animatorët, të cilat japin një mesazh dhe vetë grupi i fëmijëve del në përfundime në fund të lojës.

“Këto janë kryesisht për temat sociale, por edhe për zhvillimin më tej të trurit. Lojërat ‘brain train’ janë një mundësi shumë e mirë për fëmijët. Pa u thënë atyre, kuptojnë mesazhin nga loja dhe çojnë në një tjetër nivel njohuritë e tyre, ose ndryshojnë këndvështrimin për një situatë. Këto lojëra mundësojnë mendimin jashtë kornizave dhe shikimin e situatës në disa këndvështrime”, vijon Muçaj.

“Prindërit janë në punë gjatë verës dhe mezi sajojnë se me kë t’i lënë fëmijët, të cilët e kanë të gjithë verën pushim. Por përveç nevojës që fëmijët të jenë të mbikëqyrur, prindërit duan edhe që fëmijët ta kalojnë sa më mirë e sa me sa më shumë përvoja këtë kohë të gjatë. Në ditët e sotme ekziston edhe rreziku që pa aktivitete, ata të jepen pas teknologjisë, përdorimi pa kriter i së cilës është një problem me shumë delta për prindërit, pasojat e të cilit zgjatin e zgjidhen me vështirësi”,shprehet Rudina Çupi, nënë e dy vajzave, njëra prej të cilave 12 vjeç.

Gjatë kësaj vere, Rudina është angazhuar si mësuese, shkrimtare dhe artiste në një kamp krijues për të vegjëlit në Qendrën e Librit për Fëmijë.

“Në librarinë e Qendrës së Librit dhe Kulturës për Fëmijë tani zhvillohen ëorkshop-e të shkrimit krijues dhe aktivitete argëtuese e edukuese për të vegjlit, dashamirës të botës së librit. Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua si drejtuese e këtyre atelieve krijuese se sa kur Ajla fare e vogël u thotë prindërve: “Ika tani se kam mësim” dhe e thotë gjithë gëzim dhe do që të ketë “mësim” çdo ditë.

Është koha ta themi me gojën plot se tani është e mundur që të mos kërkojmë veçse “çerdhe” ku të lëmë fëmijët të mbikëqyrur gjatë verës, por ta kalojnë këtë kohë në mënyrë sa më të dobishme, të bëhen më të zotë, të zhvillojnë aftësi të tjera nga ato që mësohen në mënyrë formale në shkollë.”, pohon Çupi.

Sipas saj, pak vite më parë, kur thoshe kamp veror kishe thënë pishinë – me çmime të kripura sa një palë pushime familjare, me aktivitet të vetëm hyrje-daljen nga pishina e me shërbimin e transportit e ushqimit, me shumë pak persona të rritur që më shumë ishin mbikëqyrës dhe organizatorë sesa kishin ndonjë agjendë veprimtarish të hartuar mirë, por, për fat tani gjërat kanë ndryshuar:  Njerëzit nuk konsiderojnë argëtim vetëm freskimin në ujin e pishinës dhe fotot me sfond.

Kampet sportive në shkolla, kampet në gjuhë të huaj, kampet në ferma etj., janë vetëm një pjesë e kampeve të cilët funksionojnë vend, që ndihmojnë shumë në zhvillimin fizik të fëmijëve dhe në shoqërizimin mes tyre dhe ku fëmijët mësojnë duke luajtur.

Kampet në natyrë

Një formë interesante e këtyre kampeve janë edhe kampet verore që zhvillohen në ferma, ku fëmijët veç të tjerash ndihmojnë e bëjnë punë të ndryshme, duke e prekur me duart e tyre realitetin.

 “Besoj se nuk do të jetë e largët dita kur të kemi edhe kampe me fjetje në natyrë (tip rangers), ku ata të bëjnë një jetë në natyrën e hapur, të mësohen t’ia dalin pa shumë sende mirëqenieje e të bëhen të zotë e praktikë.”, thotë Çupi. 

Një nismë e tillë është edhe ajo e qendrës sociale “Në shtëpinë tënde”, e cila zhvillon ekskursione njëditore në vende rurale kryesisht, ku fëmijët mësojnë të jenë të pavarur, t’ia dalin vështirësive, të bëjnë aventura, të njohin Shqipërinë, të duan dhe të kujdesen për natyrën, të vizitojnë objekte historike e të mësojnë rreth tyre, të ushqehen shëndetshëm e të pastrojnë vendin pas piknikut, të lexojnë në grup e të zhvillojnë lojëra në ajër të pastër, të diskutojnë për tema aktuale dhe, mbi të gjitha, nxiten të shfaqin altruizmin duke ndihmuar më të vegjlit e të bashkëpunojnë mes njëri-tjetrit, të sillen më të disiplinuar e larg tekave.

Edhe qendra “Kallz” ofron një përvojë të ngjashme, me atë që e cilëson “Fermer për 1 Javë”. Qendra ofron një sërë aktivitetesh për fëmijët, si: vjelje perimesh, pastrim të barit, mjelje të dhive, ushqim i patave dhe rosave, lojëra sportive në ambient të jashtëm, lojëra Brain&Train, në grupe të vogla dhe më të mëdha, lojëra me ujë, ushqim buzë liqenit të produkteve dhe gatimeve të agroturizmit etj.

Frika dhe preferencat e prindërve

“Jemi pak në dyshim nëse janë mirë kampet apo jo, sepse në këto fëmijët kanë shumë ndërveprim me njëri-tjetrin, megjithatë të njëjtin ndërveprim me njëri-tjetrin e kanë edhe kur luajnë në oborr, edhe kur luajnë në një kënd lojërash”, nënvizon Anxhela Çikopano, por  pavarësisht dilemës së vet si prind, shton se megjithatë kampet kanë të mirën e vet, sepse prindërit, sado që mund t’i argëtojnë dhe t’u ofrojnë mundësi fëmijëve nuk mund të ofrojnë të njëjtën gjë si kampet.

“Atje fëmijët janë në habitatin e tyre, me njëri-tjetrin, mësojnë dhe luajnë. Kam pasur përvoja të kampeve, ku fëmijët më kanë mësuar fjalët e para të anglishtes, ku vinin të kënaqur se kishin bërë lojëra, se mësonin gjëra të reja”.  

Sipas saj, frekuentimi i këtyre kampeve është diçka me interes edhe në krijimin e raporteve njerëzore, pasi atje takojnë njerëz të ndryshëm nga ata që takojnë zakonisht dhe diçka e tillë i ndihmon në përballjet shoqërore.

Sipas Albana Muçaj, drejtueses së Kallz, ata që zgjedhin kampet për të çuar fëmijët janë kryesisht prindër në punë, ndërsa prindërit, kur kanë kohë të rrinë me fëmijët, zgjedhin të qëndrojnë me ta.

“Koha e fëmijës e kaluar cilësisht me prindin është e pazëvendësueshme. Ata që zgjedhin kampin janë kryesisht prindër në punë. Por, mendoj se ka kampe shumë cilësorë për fëmijët. Disa prej tyre zhvillohen nga psikologë, ose shkolla, të cilat shfrytëzojnë ambientet dhe kapacitetet e tyre humane për të dhënë më të mirën”.

Ajo thekson se në këtë periudhë të pandemisë, kampet për fëmijë duhet të funksionojnë patjetër, pasi janë çlirim për fëmijën, për prindin dhe për punonjësit e kompanitë që merren me këtë punë.

“Sigurisht me norma të reja të distancimit social dhe një kujdes shumë më të madh për higjienën, aktiviteti është i mundur. Pandemia na ka stepur, si prindër, si sipërmarrës, si qytetar, por besoj se shumë prej nesh po synojnë t’i japin rëndësi edhe shëndetit mendor. Një mbyllje e gjatë në shtëpi, nuk ndihmon për këtë”, vijon Muçaj. Ajo shton se pandemia, përveç frenimit në aktivitete dhe në numrin e ulët të fëmijëve që marrin pjesë në këto kampe ka sjellë edhe rritje kostosh, “për material higjenizimi, blerje termometri në distancë etj”, gjë, që Muçaj e sheh si pozitive, pasi “Në tërësi ka rritur vëmendjen për më shumë higjienë edhe nga vetë fëmijët dhe kjo është diçka e mirë”.

Terapia e librit

Të mësosh dhe argëtohesh në të njëjtën kohë kërkon impenjim, por është plotësisht e mundur. Këtë pohon me plot gojë Rudina Çupi bazuar në përvojën e saj të ateliesë krijuese me fëmijët te Qendra e Librit për Fëmijë.

“Mjafton t’ua gërvishtësh pak fantazinë dhe fëmijëve u buron fantazia si vullkan... ata kanë nevojë t’i drejtojnë prirjet e tyre, të gjejnë hapësirë ku t’i shfaqin, të diskutojnë që të mprehin vështrimin kritik që të mos bëhen turmë kur të rriten... Ata të befasojnë dhe të bëjnë të shtosh përpjekjet të përgatitesh më fort e të bësh më të mirën çdo herë.

Në fillim mendova se do të ishte e vështirë dhe zor se do të gjenim prindër ta kuptonin vizionin tonë. Kishte nga ata që thanë: “E pse duhet ta sjell fëmijën në një kurs të gjuhës shqipe, kur ai ka mësuar që një vjeç ta flasë atë?”.”

Rudina me fëmijët

Por çfarë mësohet në një kamp apo atelie të kësaj natyre?

Sipas Çupit, përfitimet që ka fëmija në një kurs të të shprehurit krijues nuk kufizohen vetëm te gjuha e përditshme, por janë së pari paketë kulturore. Ata mësojnë përmes pikturës, muzikës, skulpturës; mësojnë që çfarëdo që të bëhesh në jetë duhet ta përdorësh kreativitetin, sepse përmes tij ti tregon se je unik dhe i papërsëritshëm; mësojnë se të jesh kreativ së pari duhet të jesh praktik...

“Ata mësojnë se çdo gjë që bën tregon për ty, se ti je çfarë zgjedh; se zgjidhja e çdo problemi është përreth teje, se të shkruarit të ndihmon të zbulosh veten, mësojnë se mënyrat e të shprehurit janë të pafundme dhe duhen zgjedhur ato shprehi që janë të dobishme dhe pozitive; mësojnë të jenë bisedues të mirë, të respektojnë folësit, të përmbajnë dëshirën për të ndërprerë e dëshirën për të reaguar sipas emocioneve të çastit...

E gjitha kjo në vetvete është si një shkollë jete dhe, e zhvilluar në një librari, merr një kuptim tjetër... aty ata mësojnë të jenë horizonte të gjera e të shpalosen me të gjithë potencialin”.

Si mësohet?

“Në fillim ata çuditeshin me emrat që unë u vija metodave: jufka frazeologjike, patatinat e ngjarjes, përshkrimozauri, koshi i shkrimtarit, karrigia e autorit, folja balerinë, monologu i memecit, rrjeta e merimangës, kalldrëmi prej çamçakëzi, arti i shkarravinës, fleta e lënduar, aeroplani i foljeve, shkrimi i koduar, libri dhe ekuilibri, kopshtet e varura të Babilonisë, dykuptimshmëria në pikturat e Dalisë... por tani shpikin dhe u vënë vetë emra veprimtarive”, tregon Çupi, ndërsa pohon se metodat janë të gjitha bashkëkohore dhe praktike dhe nuk ka asgjë të ngjashme me mënyrën e ngurtë se si mësohet në shkollë.

Gjithnjë më ka bezdisur fakti se edhe pse jemi në shekullin e njëzetenjëtë dhe bota është e mbipopulluar nga sendet, ne ende i mësojmë fëmijët me dy sende bazike: lapsi dhe fleta për nxënësin, shkumësi e tabela për mësuesin. Sikur të shfrytëzonin të gjitha hedhurinat si mjete për riciklim, arsimi ynë do të ishte më cilësor”.

Me se mësohet?

“Kur ndokush prej fëmijëve ka ardhur para meje, del e më ndihmon, sepse gjithnjë shkoj e ngarkuar, me makinën e vjetër të shkrimit, brumë kripe, baltë, plastelinë, kripë për fshehje thesari, qumësht, makarona të lagura, kokoshka, gjethe të thara, kunja dhëmbësh, pipa pijesh, gota e shishe plastike, kavanoza, fije leshi, kuti kartoni nga të cerealeve, çorapë, shall e madje edhe kosh hedhurinash e detergjent enësh”.

Fëmijët bëjnë punë kërkimore nëpër librari, punojnë në grupe, bëjnë punë me prerje e ngjitje, përdorin rroba e fije, bëjnë konkurse... krijojnë personazhe, pantonima, këngë hip-hopi, monologë, dialogë, teatrojnë e imitojnë, shkruajnë, rishkruajnë e korrigjojnë.

Kështu ata mësohen të jenë të lirë e të zbulojnë te vetja të mrekullueshmen e të qenët siç janë.

Ndërsa unë zbuloj se çdo fëmijë është artist. Ky kurs është një ëndërr e realizuar për mua”.

Çupi vëren se ajo vetë e angazhon vajzën e saj, Irelin, në shumë kampe të kësaj natyre, duke e çuar në kampe sportive, të anglishtes dhe në ekskursione. Ndërsa në atelie ajo është bashkëpunëtorja kryesore e këshilluesja e saj dhe punon për krijimin e mjeteve ndihmëse, për organizmin e aktiviteteve, për leximin e fragmenteve nga librat, ndihmon të vegjlit etj.

“Përfshirja në të gjitha këto kam vënë re se e ndihmon të përballojë në mënyrën më të shëndetshme luhatjet e adoleshencës, pasi aty sheh shumë moshatarë të tjerë dhe bën zgjedhje të mira të veprimeve e sjelljeve.”

Çupi thekson se është shumë e rëndësishme që fëmijët të angazhohen në forma të tilla dhe prindërit duhet të kujdesen, që fëmijët, jo vetëm të hanë shëndetshëm, të mësojnë e të sillen, por edhe të aftësohen për jetën e t’ia dalin.

 “Pas muajve të gjatë mbyllur, pas frikës gjithëpërfshirëse, pas streseve të shtresëzuara që ia përçonim njëri-tjetrit do të bënim më shumë dëm nëse nuk do t’u dhuronim atyre normalitetin. Për fatin e mirë vera është stina e duhur për t’u furnizuar me imunitet, për të marrë vitaminën D që na mungoi për muaj me radhë, për t’u kujdesur si për anën fizike, ashtu edhe për atë psikologjike.  Me pak kujdes nga ana e secilit them se është e mundur.”, shprehet Çupi.

Ndërkohë që pasiguria për situatën ku ndodhemi, qëndrimi pezull nëse do të rivendosen kufizimet për shkak të pandemisë na bëjnë të jemi të kujdseshëm, fëmijët, ashtu si dhe të rriturit kanë nevojë dhe duan edhe jetën brenda familjes, ashtu edhe atë jashtë saj. Pandemia sipas specialistëve të fushës, riktheu në vëmendje një zakon shumë të mirë: leximin, i cili për të vegjlit zëvendësoi deri diku shkollën, ku ata kalonin gjysmën e ditës dhe që filloi t’u mungonte.

Siç thekson shkrimtarja Çupi, leximi është një shpëtues dhe nuk duhet ta lëmë anash.

“Koha e lirë me tepri nuk mund të mbushet më mirë se me libra. Dhe, ç’është më kryesorja, nuk mund t’u kërkojmë atyre të lexojnë, ndërsa vetë ne të shohim telefonin: është koha të ndërtojmë një zakon të bukur: të bëjmë gjëra bashkë: Të lexojmë së  bashku me fëmijët”.

Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë